Ministria e Bujqësisë publikon skemat e mbështetjes financiare

Bujqësia dhe zhvillimi rural, Rama: E kemi konsideruar sektor prioritar

Ministria e Bujqësisë ka shpallur dje skemat e mbështetjes financiare për fermerët në konferencën kombëtare “Pagesat në bujqësi si mjet zhvillimi”. Në konferencë ishin të pranishëm Kryeministri i vendit, Edi Rama, ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti. Kryeministri Rama shpalosi vizionin e qeverisë për bujqësinë shqiptare duke e konsideruar një sektor prioritar.

“Ne jemi zotuar që ta bëjmë fermerin, përfitues të drejtpërdrejtë të skemave të zgjeruara të shtetit, duke vendosur një distancë të qartë nga praktikat diskriminuese dhe akoma më keq korruptive që kanë karakterizuar marrëdhëniet mes shtetit dhe sektorit në të gjithë këta vjet”, tha Rama. Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, theksoi se këtë vit ndryshe nga çdo vit tjetër buxheti për mbështetjen financiare për fermerët u rrit me 70% dhe ky është një tregues i vëmendjes së qeverisë për këtë sektor prioritar për ekonominë. “Jemi të vetëdijshëm për sfidat me të cilat përballet sektori i bujqësisë, por angazhimi ynë është ndërinstitucional për t’i adresuar këto probleme”, tha Panariti. Ai theksoi se me skemat e reja të mbështetjes financiare, vëmendja e qeverisë është e përqendruar jo vetëm në inkurajimin e fermerit për të rritur prodhimin më kosto të ulët, por në përdorimin me efikasitet dhe eficencë të këtyre fondeve.

Më tej, drejtoresha e AZHBR, Suela Popa, shpalosi dhe skemat e  reja të mbështetjes financiare për vitin 2014. Konkretisht në skemat e reja prioritet për mbështetje financiare është blegtoria e imët; ngritja e pikave të grumbullimit, ruajtjes dhe tregtisë me shumicë të prodhimeve bujqësore dhe blegtorale; mbështetja e shoqërive të bashkëpunimit bujqësor; mbjellja e vreshtit; serat me ngrohje dimërore përmes financimit të karburantit, Për herë të parë mbështeten projekte për hapjen e puseve, rezervuarëve dhe lerave. Risi në skemat e reja është dhe mbështetja për akuakulturën. Grigor Gjeci prezantoi skemat IPARD like, që përfaqësojnë mbështetjen financiare për bujqësinë nga BE në masën 75 % dhe nga qeveria shqiptare në masën 25% me një fond prej 8,270,000 euro. IPARD mbështet kryesisht këta sektorë: sektori i mishit, qumështit, frutave dhe perimeve.

 

 

Autor te 7 Shkurt 2014. Sociale. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry