Kulturë Vaçe Zela, shuhet ëndrra për rikthim

Vaçe Zela, shuhet ëndrra për rikthim

116
SHPËRNDAJE

Oliverta Lila

vace zela“Sa dëshirë do të kisha të ngjitesha edhe një herë në skenë. Por kjo është e kotë tani. Janë dëshira të marra”. Kështu thoshte në 70-vjetorin e lindjes nga Zvicra. Pasi shqiptonte këto fjalë përmes telefonit, Vaçe Zela mbante për pak sekonda frymën. Çastet e heshtjes pasoheshin nga një psherëtimë e gjatë. Mall, nostalgji, keqardhje… Gjeje gjithçka në të. Gjithçka që në vitet e gjata të sëmundjes kishte “përtypur” shpesh. Përvjetorët e përmallonin tepër. Thoshte se zilja i tringëllinte vazhdimisht. Sapo ngrinte telefonin, dëgjohej një “Alo” e butë, e dalë mundimshëm nga laringu që vite më parë i jepte jetë zërit buçitës të këngëtares. Biseda vazhdonte më pas me ritme të ngadalta. Nuk ishte vetëm lodhja fizike që e pengonte. Dridhjet e zërit e tradhtonin teksa falënderonte të gjithë shqiptarët që nuk e kishin harruar. Kjo përsëritej në çdo intervistë, e çdo telefonatë që bënim me të. E fundit, botuar dy vite më parë në gazetën “Shqip”. Kthimi në Shqipëri ishte pengu që e përndoqi deri në ditët e fundit, edhe pse ajo nuk e quante të tillë. Për të ishte një dëshirë e marrë. “Më mungon çdo gjë nga Shqipëria. Dua të shoh se si ka ndryshuar”, thoshte artistja që për ironi të fatit ngjitjen e fundit në skenë e pati në Zvicër në vitet tashmë të largëta, 1991-’92. E përsëriste këtë frazë një herë, dy, tri… Zëri i saj merrte një ngjyrim lutës fëminor. Një këmbëngulje që dukej sikur nuk donte t’i linte shteg qoftë edhe dyshimit më të vogël. Dukej sikur në vitin 2009 ishte në prag të kësaj ëndrre. Shpresonte që 70-vjetorin ta festonte në Shqipëri, në një atmosferë aktivitetesh, në vitin kur ishte një nga tre personalitetet e shpallura nga Ministria e Kulturës. Sërish nuk ia doli. “Mjekët nuk ma lejuan. Mos më ngacmoni se çfarë ndiej. E kam të pamundur ta përshkruaj. Që para dy muajsh, së bashku me familjen e kishim menduar se do të udhëtonim për në Tiranë. Dëshironim që këtë përvjetor ta festonim aty, t‘i mblidhnim të gjithë njerëzit. Por gjendja ime shëndetësore këto ditë është përkeqësuar dhe nuk mundem të vij”, na thoshte një ditë para ditëlindjes. Pasonte me një “ehhhh”. Në momente të tilla dukej e mundur, e lodhur duke shpresuar. Vaçe Zela në të tilla biseda ndalej shumë pak te karriera e saj, te këngëtarja që bëri epokë, te zëri që mori sa e sa lavde. Brenga e saj ishte njerëzore. E dinte që rikthimi nuk kishte më shijen e dikurshme. Por donte ta prekte skenën. Të fliste me njerëzit. Televizori në këtë rast ishte kutia magjike e artistes. Tregonte se prej aty mësonte se çfarë ndodhte. E teksa dukej e shuar, po aty gjente sërish forcën për të ëndërruar. “Shpresoj që ndonjë nga këto vite të mund të kthehem, nëse do të jem ende gjallë”. Në të vërtetë po kthehet, por jo ashtu siç donte. Nuk ia doli që toka të ndiente peshën e një trupi që ende frymon, por të një trupi që kërkon prehje.