Përcaktohet mosha e përfituesve. Propozimet konkrete, në mars
Skema e re e pensioneve që pritet të nisë zbatimin brenda vitit 2014, do të ketë në thelb të saj dhënien e përfitimeve të drejta për të gjithë qytetarët, duke synuar heqjen e tavanit kufizues për përfitimet. Reforma e sistemit të pensioneve, tashmë ka hyrë në diskutime konkrete, ku ditën e djeshme u mblodh për herë të parë grupi ndërministror i punës. Sipas ministrit të Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, skema aktuale e pensioneve ka dështuar, pasi nuk u siguron të moshuarve mjaftueshëm të ardhura për të përballuar jetesën dhe nuk është e përballueshme nga financat publike. “Sistemi i pensioneve ka një rëndësi të jashtëzakonshme. Skema ka disa objektiva të shumëfishta. Qeveritë kanë synimet e tyre dhe duan të bëjnë një rishpërndarje efektive, duke reduktuar varfërinë. Skema duhet të ketë dy elemente, mjaftueshmërinë dhe përballueshmërinë. Skema aktuale ka dështuar me sukses në të dyja këto elemente”, deklaroi ai. Duke vijuar analizën për skemën aktuale të pensioneve, Veliaj theksoi se masa e përfitimit është shumë e ulët dhe skema përveçse nuk e garanton mjaftueshmërinë e benefiteve, është edhe e papërballueshme për financat publike dhe nuk e mban dot veten. “Deficiti ka arritur në 420 milionë dollarë, çfarë ka rezultuar në taksim të dyfishtë të të punësuarve, të cilët po paguajnë edhe sigurime shoqërore, edhe po taksohen për të mbajtur skemën gjallë. Është ngushtuar raporti kontribuues dhe përfitues”, vijoi ai. Veliaj u shpreh gjithashtu se situata është alarmante edhe për shkak të informalitetit. “Ata që janë pjesë e skemës paguajnë për pagën e tyre minimale. Problem mbetet diferencimi mes skemës rurale dhe asaj urbane. Mbi 1 milion shqiptarë janë në moshë pune dhe nuk paguajnë sigurime”, vijoi ai. Duke sqaruar se çfarë pritet të përmirësojë skema e re që do të aplikohet, ministri Veliaj theksoi se reforma do i nënshtrohet një diskutimi të gjerë dhe gjithëpërfshirës. Sipas këtij parashikimi, kjo reformë nuk do të cenojë të drejtat e qytetarëve që janë pranë daljes në pension. Është menduar që grupi që do të përfshihet në skemën e re të pensioneve të jetë mosha 40 vjeç dhe poshtë, që do të thotë se kjo kategori do të ketë edhe benefitet nga heqja e tavanit të përfitimit. Lidhur me këtë fakt, Veliaj nënvizoi se nga skema e re, çdo i moshuar do të ketë mundësi për një pension dinjitoz. “Duhet të përmirësohet raporti i kontribuuesve me përfituesit, si dhe të heqim pensionin tavan”, vazhdoi ai. Ndërkohë, parashikohet që reforma do të krijojë hapësira edhe për zhvillimin e skemave alternative për pension. Sipas përllogaritjeve të bëra, që skema të jetë e suksesshme, raporti duhet të jetë 4-6 kontribuues për një përfitues. Megjithatë, sipas ministrit, nuk do të ketë reformë pensionesh pa bërë pastrimet nga abuzimet. “Kjo do të thotë se sikundër ndihma ekonomike procedohet në elektronikë, e njëjta gjë do të mundësohet edhe për pensionet elektronike, gjë që do të ndihmojë në modernizimin e skemës”, deklaroi ai. Tryeza e djeshme ishte edhe e para e diskutimeve për piketat që do të ndiqen deri në finalizimin e reformës së pensioneve. Përveç takimeve me ekspertët, Ministria e Mirëqenies Sociale do të vijojë takimet edhe me grupet e interesit. Nga ana tjetër, edhe ekspertët e Bankës Botërore kanë dorëzuar propozimet e tyre, të cilat vlerësojnë aplikimin e sistemit shumëkolonësh, heqjen e tavanit të përfitimit, si dhe rritjen e moshës së daljes në pension. Sipas parashikimeve, rritja e moshës së daljes në pension nuk ka gjetur mbështetje, ndërkohë që vijojnë diskutimet për propozimet e tjera. Ndërkohë, sipas afateve të përcaktuara, brenda muajit mars, grupi i punës duhet të ketë propozimet konkrete për ndryshimin e skemës. Vetëm pasi të dalin këto propozime dhe të mbyllen diskutimet me palët, do të mund të kalojë për votim në Parlament reforma e pensioneve.
ISSH
Braho: Pensionet false, kemi kallëzuar 5700 raste
Pastrimi i skemës nga përfitimet e padrejta dhe informatizimi i sistemit të sigurimeve shoqërore ka qenë në qendër të punës së Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Gjatë fjalës së saj në tryezën e grupit të punës për reformën në sistemin e pensioneve, drejtoresha e përgjithshme e ISSH-së, Vjollca Braho, renditi një sërë problematikash që has skema aktuale e pensioneve, si dhe masat që ka marrë ISSH-ja në kuadër të miradministrimit të saj. “Vetëm nga procesi i informatizimit të sistemit dhe si nga kontrollet e bëra në mënyrë manuale nga specialistët e ISSH-së, është bërë i mundur pastrimi i skemës nga 5700 përfitime të padrejta”, deklaroi Braho. Duke sqaruar këtë proces, Braho theksoi se të gjitha rastet janë kallëzuar në prokurori, ndërkohë që vijon puna për pastrimin përfundimtar të skemës nga çdo përfitim i padrejtë. Duke iu referuar punës së ISSH-së, Braho vuri theksin në krijimin e regjistrit kombëtar të pensioneve, ku deri më tani janë hedhur në sistemin informatik rreth 95 për qind e përfitimeve. Aktualisht është bërë i mundur informatizimi i sistemit, si dhe ngritja e infrastrukturës informatike, për realizimin e funksioneve të ISSH-së. Krahas këtij procesi, sqaroi Braho, ISSH-ja ka zhvilluar dhe implementuar portalin e pagesave online të pensioneve. Kjo ka bërë që deri tani të paguhen online nga Posta Shqiptare 306 mijë pensione dhe janë të ngarkuara në sistem në pritje të përgatitjes së infrastrukturës nga ana e Postës Shqiptare 19 mijë të tjerë. “Përfundimi i procesit të informatizimit të të gjithë sistemit, përfundimi i dixhitalizimit të vjetërsisë në punë dhe krijimi i llogarive personale do të bëjë të mundur rritjen e transparencës ndaj publikut, administrimin më të mirë të fondeve, rritjen e performancës së institucionit, përmirësimin e shërbimit ndaj qytetarëve, uljen e kohës së caktimit të përfitimeve dhe rritjen e saktësisë në llogaritjen e tyre”, deklaroi Braho. Duke sqaruar këtë proces, ajo theksoi gjithashtu se tashmë është ndërtuar baza e të dhënave të automatizuara, e cila sjell saktësinë e pagesave, si dhe do të lehtësojë veprimtarinë administruese, duke u realizuar edhe me një numër optimal personeli.