Kulturë Sentimentalizmi nuk ka mbaruar

Sentimentalizmi nuk ka mbaruar

1093
1
SHPËRNDAJE

Dastid Miluka / Artisti vjen në një rrëfim për të kuqen, artin që bëhet sot dhe soc-realizmin…

Alda Bardhyli

E kuqja mund t’u japë formë mendimeve në telajo, teksa jashtë Brukseli jeton këtë fund dimri. Dastid Miluka tashmë mund të ndjejë nga larg çdo ndryshim që ndodh, në vendin që të kujton politikën. Ka një lidhje të çuditshme mes artistit dhe vendit ku jeton, një lidhje që vjen natyrshëm e bëhet çdo ditë e më e thellë përmes ngjyrash. Me gjithë politikën që prodhon, ky qytet nuk ka mundur të fusë politikën në pikturën e tij. Dastid ka dashur ta shohë artin të shkëputur prej saj, edhe pse vjen nga një vend ku e shkuara dhe tashmja ndërlidhen vetëm me këtë fjalë. Më poshtë, artisti vjen në një intervistë për të kuqen… dhe artin që bëhet sot…

Le ta nisim bisedën nga piktura juaj “The Kiss” (Puthja). E kuqja dominon këtë tablo… Si do ta përshkruanit rrugëtimin e së kuqes nga koha kur Picasso e përdorte në telajot e tij?

Do të filloja duke thënë që e kuqja, përgjithësisht, ka dhe merr dy role të kundërta dhe kjo përcaktohet nga mënyra se si e vendosim atë mbi telajo. E kuqja mund të konsiderohet si ngjyra më e rrezikshme, për vetë potencën që kjo ngjyrë mbart. Në këtë kuptim, ajo mund lehtësisht të shkatërrojë një punim por në rastin tjetër, kur është e mirëpërdorur, mund të bëjë të kundërtën. Thjesht e mrekullon atë. Për sa i takon tablosë “The Kiss”, është një nga punimet që i përket periudhës së fundit, ku kam eksperimentuar me këtë ngjyrë dhe ku për më tepër ajo, në mënyrë simbolike, i vishet figurës femërore. “Puthja”, është një punim alegorik e cila në qendër ka dy të dashuruar. Në këtë punim duket sikur trupat e tyre nga dy të ndryshëm ridimensionohen, për t’u kthyer në një të vetëm. Jam munduar të ruaj një lloj delikatese, në mënyrën se si trupat janë përqafuar. Ndihet kuptueshmëria ndërmjet tyre dhe ngjyra e kuqe e trupit femëror fiton më tepër në atë çfarë na transmeton. Ka një simbolikë në vetë përdorimin e këtyre ngjyrave. Nëse do ta përshkruaja me fjalë, e gjithë tabloja vendoset në një sfond të errët mbrëmjeje të ndriçuar nga yje, që lindin nga dora e djalit. Ky mban butësisht kokën e vajzës. Flokët e saj ngadalë shndërrohen për të na rikrijuar një tjetër univers. Ashtu si në një poezi, një pikë loti varet nga qerpiku i vajzës e ky në rënie shndërrohet në perlë. Ndërkohë që djali mbetet i lidhur përjetësisht në qiellin e pafund. Hëna është e vetmja dëshmitare e puthjes së tyre. Puthja e tyre është siç mund të takojë zjarri akullin dhe qëndron pezull ashtu si yjet në qiellin e mbrëmjes. Janë pra të gjitha detaje këto, të mbajtura në të njëjtën gamë ngjyrash dhe kjo për të vlerësuar në maksimum të kuqen, që vendoset në qendër të tablosë dhe ku vesh simbolikisht figurën femërore. Tabloja mbetet një këngë për puthjen, simbolit të vetë dashurisë. Ka dhe një detaj interesant për sa i takon kësaj tabloje, e cila duket sikur i jep asaj një vlerë simbolike. Tabloja “Puthja” është blerë nga një koleksionist vitin e kaluar, pikërisht më datën 14 shkurt, ditën e Shën Valentinit. Po të kthehem në rrugëtimin e njohjes me ngjyrën e kuqe, do të thoja që në fakt kontakti im i parë me të, pra si mënyrë e përdorur bukur dhe plot ekspresivitet, ashtu sikundër kjo ngjyrë është, ka qenë fillimisht në punët e Van Gog-ut. Ka një magji në mënyrën se si ai e përdor të kuqen në pikturën e tij, ashtu si, në fund të fundit, ky artist përdor në mënyrë të mrekullueshme dhe ngjyrat e tjera. Ishte pikërisht këtu dhe në atë kohë që kuptova dhe sekretin e intensitetit që kjo ngjyrë krijonte kur vihej në raport të gjetur mirë me ngjyrat e tjera.

Të kuqen në vazhdim e kam gjetur dhe më tej te post-impresionistët e tjerë si Gogen dhe më të fuqishme e pashë te grupimi i fovistëve. Në vazhdim dhe tek Picasso dhe arlekinët e tij. Më pas të kuqen e gjeta tek ekspresionistët dhe në vazhdim te pikturat e ekspresionizmit abstrakt, ku ajo merr dhe vlerën dhe potencën e saj maksimale. Por pas të gjithë këtyre gjetjesh, atë, pra të kuqen, e kam gjetur në Shqipëri. Është një autor i cili më ka mahnitur me të kuqen e tij. Është piktori i periudhës bizantine, Onufri. E kuqja e njohur si e kuqja e Onufrit ishte një revelacion për mua. Pas vizitës në Muzeun e Kalasë së Beratit, aty ku mbaheshin disa nga punimet e tij, njohja me të kuqen e Onufrit ishte zbulimi më i madh dhe mahnitja më e madhe për mua. Mund të them me plot bindjen që e kuqja e Onufrit mbetet maja e përsosmërisë për sa i takon kësaj ngjyre.

Çfarë ju shtyn drejt pikturës? Cilat janë gjendjet që reflektojnë ato?

Për mua piktura është mjet dhe manière të shprehuri. Është një mundësi tjetër e ndryshme komunikimi. Ashtu si një muzikant mund të komunikojë ndjenjën dhe gjendjet e tij emocionale nëpërmjet notave të muzikës kështu dhe në pikturë, nëpërmjet linjës dhe ngjyrave komunikohen shprehje ndjesore, ku fjala ndoshta e ka disi më të vështirë t’i transmetojë. Ka një lloj kodi, ose po e quaj alfabet të linjës dhe ngjyrës. Për krijues të veçantë, ky alfabet është personal por njëkohësisht duhet të japë dhe mundësi nëpërmjet këtyre kodeve, të cilat mund të veprojnë si në koshiencë ashtu dhe në subkoshiencë, çelësin e komunikimit. Në fund të fundit, synimi i artit është komunikimi dhe ky ndjesor. Për mua çdo krijim fillon me një belbëzim ashtu si një bebe e deri sa ritet e në përfundim flet me gjuhën e vet, atë të kodeve, të cilat u lindën dhe janë aty për të dëshmuar gjithë përjetimin e këtij krijimi. Sigurisht që mënyrat se si këto kode përcaktojnë dhe vendosen në raporte me njëra-tjetrën në atë mënyrë dhe transmetojnë gjendjet e ndryshme, të cilat përjetohen gjatë krijimit apo që në koncept janë menduar për t’u krijuar si të tilla. Në këtë rast, gjendjet që reflektohen janë ato në të cilat krijimi ka lindur. Transmetimi i gjendjeve emocionale te shikuesi kalon pikërisht nëpërmjet këtyre kodeve dhe sa më të kuptueshme të jenë ato, aq më e lehtë bëhet dhe përcjellja e tyre. Mendoj që gjithmonë kam qenë i prirur drejt një komunikimi të tillë dhe besoj se kjo më ka shtyrë drejt komunikimit figurativ pra, drejt artit figurativ dhe aktualisht, drejt komunikimit nëpërmjet pikturës dhe vizatimit.

Cilët kanë qenë artistët që ju kanë frymëzuar, apo keni dashur t’u ngjani?

Ka pasur artistë që më kanë frymëzuar dhe po ashtu ka që më frymëzojnë edhe sot. Gjithsesi, nuk mund të them se ka pasur të tillë që kam dashur apo le të them që me koshiencë mund të kem dashur t’u ngjaj. Të gjithë artistët e mëdhenj, për artistët e rinj, janë një shkollë më vete prej të cilëve ka se çfarë të mësohet. Është një proces që nuk mbaron ky dhe mendoj që të mësuarit absolutisht qëndron shumë afër dhe me fillesat e inspirimit. Për sa u përket preferencave, patjetër që çdokush ka dhe bën zgjedhjet e tij. Kjo ka të bëjë me vetë stilin apo mënyrën e komunikimit që artisti zgjedh.

Për artistin e ri, e rëndësishme është që të krijojë veten e tij apo më mirë po them, të vetëkrijohet artistikisht dhe kjo ndodh pikërisht gjatë këtij procesi. Mendoj që gjatë krijimit të veprave, apo dhe përzgjedhjeve të modeleve të tij, artisti është në të njëjtën kohë në krijim të vetvetes. Gjatë gjithë këtij rrugëtimi, sigurisht që ka figura të shquara, të cilët bëhen dhe udhërrëfyes. Në etapa të ndryshme, këta udhërrëfyes mund të mbeten pas dhe të tjerë mund të shfaqen në horizont, por në fund të gjithë këta do të mbeten aty për të piketuar në kujtesë lindjen dhe krijimin e këtyre artistëve të rinj, derisa këta të jenë vetëkrijuar dhe të kenë formuar profilin e tyre artistik.

Sa ka ndikuar jeta juaj gjithnjë në lëvizje, tranzicioni i gjatë politik në Shqipëri në pikturat tuaja?

Mendoj se ka ndikuar shumë dhe ndoshta është ky një nga faktorët kryesorë që krijimet e mia i shikoj gjithnjë në lëvizje apo në transformim e sipër. Ashtu siç dhe jeta ime ka qenë në lëvizje, e njëjta gjë ndodh dhe me vetë krijimet e mia dhe këtë mundohem që ta ushqej dhe ta mbaj të tillë dhe në vazhdim, pasi më duket tepër frytdhënëse. Mendoj se vetë lëvizja jep më tepër mundësi në gjetjen e “lëndës së parë” apo asaj lënde, e cila do të shërbejë për inspirimin dhe që më pas do të bëhet esenca e krijimeve të reja.

Për sa i takon tranzicionit politik, në Shqipëri është e vërtet që ai ka qenë tepër i gjatë. Mendoj që ky ka reflektuar dhe pasojat e tij janë ndier shumë dhe në art. Në vitet ‘90, pas një mbyllje hermetike prej më shumë se 40 vjetësh, dalja jashtë kufijve ishte një eksplorim i ri dhe në njëfarë mënyre e quaj veten me fat në krahasim me artistët që jetuan aty të mbyllur para viteve ‘90. Ndërkohë në artin tim, ende nuk përfshihet në asnjë moment politika. Kjo zgjedhje është e dëshiruar prej meje deri në momentin që po flasim. Deri më tani kam preferuar ta mbaj politikën jashtë krijimeve të mia, por nuk mund ta përjashtoj faktin që ky mund të jetë një element interesant për t’u lëvruar në të ardhmen.

Ka mbaruar koha e sentimentalizmit në art?

Personalisht nuk besoj në përfundime në mënyrë kategorike dhe as në këtë rast të sentimentalizmit. Sigurisht që ka shumë që mendojnë që sentimentalizmi në art, ashtu si dhe në jetë, ka mbaruar.

Ky mendim është i ndikuar drejtpërdrejt nga mënyra e të jetuarit sot. Jetojmë në një tjetër epokë, në kohërat e zhvillimit teknologjik. Ky zhvillim ka krijuar një tjetër lloj individi, atë konsumist, më shumë pragmatist. Patjetër që kjo për pasojë ka sjellë humbjen e atij të ashtuquajtur “modus vivendi” të mëparshëm. Ndërmjet të tjerave është humbur diçka dhe nga sentimentalizmi, ashtu siç e kemi njohur. Sidoqoftë, nuk mendoj se ky është humbur përfundimisht dhe është zhdukur.

Është e vërtetë që në sajë të boom-it të madh edhe në industrinë e artit, ka fluks prurjesh në versionet konsumiste, “fast”, pra të shpejta dhe sigurisht që në këtë lëvizje marramendëse sentimentalizmi ndoshta mund të duket i dalë mode. Unë jam i mendimit se me gjithë këtë shpejtësi të jetuari, përsëri në fund të ditës ne kemi nevojë të pushojmë apo të relaksohemi. Pra, të gjithë ne kemi nevojë të shijojmë atë që themi “udhëtimin të mbështetur mirë në sedilje” dhe është pikërisht ky fakt një nga arsyet kryesore që më bën të mendoj dhe të besoj se sentimentalizmi, si pjesë e kësaj ane të rëndësishme njerëzore, është dhe do të jetë gjithmonë prezent. Mendoj që ai duhet të jetë aty, pasi është  një nga faktorët esencialë të vetë jetës.

Sentimentalizmi mund të na vijë dhe të na rigjejë në një morfologji tjetër, ndoshta me formulimin dhe dimensionin e kohës që jetojmë, por kurrsesi nuk mendoj që ai ka mbaruar. Sentimentalizmi do të jetë i nevojshëm edhe në vazhdim pasi mendoj që ky është një faktor që na mban me afër thelbit të qenies njerëzore. Është pra një nga elementet e rëndësishme të qenies tonë dhe humbja e tij do na kthente thjesht në makina. Nëse sentimentalizmi mund të dukej i superuar apo “old fashion”, unë përsëri do ta preferoja ta kisha prezent në artin tim. Nëse të qenët asentimental në art mund të quhet modernitet, unë preferoj të sakrifikoj nga ky modernitet dhe të shpëtoj diçka nga njerëzorja.

Si është jeta juaj artistike në Belgjikë?

Mund të them se këto vitet e fundit ka qenë goxha e ngjeshur me aktivitete të shumëllojshme. Kam ekspozuar punimet e mia dhe kam marrë pjesë në evenimente të rëndësishme artistike në qytete të ndryshme këtu në Belgjikë, si në Bruksel, Anvers dhe Bryzh. Jam prezantuar po ashtu në evenimente të tjera, jo vetëm në Belgjikë por dhe në vende të tjera. Kam ekspozuar punimet e mia në Francë, Holandë dhe Gjermani. Kam të tjera projekte në vazhdim dhe jam i mendimit që për një artist zgjerimi i hartës së pjesëmarrjes në aktivitete dhe organizimit të evenimenteve kulturore është tepër i rëndësishëm. Ndërkohë mbetem gjithmonë aktivë nëpër ngjarje të ndryshme kulturore që ndodhin sidomos në qytetin ku jetoj, në Bruksel.

Ka rëndësi vendndodhja për një artist?

Vendndodhja apo vendi ku jeton, patjetër që është i rëndësishëm për një artist. Kjo për tre faktorë kryesorë. I pari është për efektin e krijimit. Mendoj se vendndodhja e artistit bëhet një faktor tepër i rëndësishëm dhe thelbësor për atë çfarë ky artist do të krijojë. Pra ka një efekt të drejtpërdrejtë që nga fazat e para, ajo e inspirimit e deri në ideimin dhe realizimin përfundimtar të veprës.

Faktori i dyte është impakti që ky krijim do të ketë në vendosjen përballë ambientit social ku do të prezantohet. Përsëri ky është një faktor po aq i rëndësishëm pasi të jep mundësinë të marrësh impresionet e para në mënyrë direkte nga personazhet apo vetë vendit nga vjen inspirimi. Dhe i treti, mendoj që vendndodhja për një artist në fund të fundit si për çdo qenie njerëzore është ajo foleja e ngrohtë ku ai ndihet i sigurt. Në këtë rast, vendndodhja kthehet në shtëpinë tënde dhe rrjedhimisht që do të jetë e rëndësishme për vetë krijimin. Mendoj që më interesantja ndodh në përgjithësi me artistët pasi fizikisht mund të jetojnë diku dhe me mendje mund të jenë diku tjetër. E kjo ndodh dhe në rastin tim që jetoj këtu por një pjesë të mirë të vendit tim të lindjes e kam me vete.

Si e shihni artin që bëhet sot në Shqipëri?

Arti për mendimin tim është dhe mbetet në mënyrë koshiente apo inkoshiente pasqyrimi i gjendjes social-politike të një vendi. Kjo ndihet dhe në Shqipëri. I gjithë vendi është në tranzicion dhe kjo sigurisht që reflektohet dhe në art. Mendoj që në Shqipëri gjithmonë ka pasur dhe ka artistë shumë të talentuar, të cilët punojnë me gjithë problemet e mëdha të këtij tranzicioni dhe kjo sigurisht që është për t’u përshëndetur. Në anën tjetër ka shumë për të bërë në krijimin e strukturave të specializuara, të cilat do të bënin të mundur vendosjen e politikave nxitëse për sa i takon artit. Mungesa e këtyre strukturave krijon një boshllëk të madh në këtë drejtim.

Në rastin tjetër, ngritja e këtyre strukturave do të kishte impakt të drejtpërdrejt pozitiv edhe në nxitjen e rritjes së mëtejshme të nivelit artistik, pasi ato do të ndikonin drejtpërdrejt në krijimin e një sistemi të qëndrueshëm vlerash. Në të njëjtën kohë mendoj se këto struktura do të shtonin gamën e aktiviteteve artistike e për rrjedhojë do të sillnin dhe një njohje më të madhe dhe krijimin e mëtejshëm të edukimit të shijeve artistike dhe të vetë publikut.

Po ashtu, konkurrenca, dhe këtu flas për një konkurrence artistike të vendosur pikërisht mbi sisteme vlerash, do të ishte një faktor tjetër shtytës për çuarjen përpara të nivelit artistik. Në fund të fundit artistët e kanë të nevojshme që ta ndiejnë edhe këtë lloj trysnie pasi edhe kjo patjetër që jep frytet e veta në rritjen dhe prurjet e reja artistike. Në këtë aspekt, një nga elementet kryesore dhe më të rëndësishme do të ishte nxitja e talenteve të reja dhe artistëve të rinj, që janë apo që dalin nga shkollat, dhe krijimi i mundësive së shpërfaqjes së krijimtarisë së tyre. Kjo besoj do të jepte hov më të madh prurjeve të reja dhe diversiteteve krijuese në skenën kulturore në Shqipëri.

Arti i realizmit socialist është një periudhë e gjatë e historisë sonë. Si e shihni raportin që duhet të mbajë arti me kohën?

Arti i realizmit socialist është arti i cili na vjen dhe i përket një periudhe të caktuar dhe është dhe do të mbetet një nga dokumentet më të rëndësishme, si kohore por dhe artistike të asaj periudhe.

Patjetër që janë krijuar vepra artistike të mrekullueshme gjatë asaj periudhe dhe këto përbëjnë vlera, të cilat patjetër që duhen ruajtur dhe mbrojtur. Ashtu si gjatë periudhës së diktaturës, inkuizicioni komunist shkatërroi dhe zhduku shumë artistë krijues, pikërisht pasi nuk bën kompromise për hir të artit të tyre. Është tragjike dhe fatkeqësi e madhe humbja e atyre veprave me vlera të mëdha artistike dhe historike. Zhdukja dhe shkatërrimi i artit, i një pjese të rëndësishme të kulturës së një kombi është humbje e madhe për vetë kombin. Mohimi në atë kohë i mënyrave të tjera alternative dhe gjetjes së rrugëve të reja të të shprehurit artistikisht ishte dhe është ndier dhe gjatë gjithë periudhës së mëvonshme të tranzicionit post-diktatorial. Por në fund të fundit, arti, në simbolikën e tij, me gjithë trysninë dhe presionin e tmerrshëm që politika e asaj kohe ushtroi, ai përsëri arriti të mbijetojë dhe mendoj që është pikërisht ky një nga treguesit kryesorë të superimit të artit ndaj vetë diktaturës. Ashtu siç e thashë dhe më sipër, ka krijime të mrekullueshme me vlera të padiskutueshme artistike që i përkasin asaj periudhe dhe që për më tepër janë 100% shqiptare. Ato vepra janë dhe do të mbeten aty për të na treguar dhe dëshmuar atë periudhë të caktuar historike që Shqipëria përjetoi. Në fund të fundit neve na takon të ruajmë dhe të mbrojmë çdo formë të artit i cilësdo periudhe qoftë ai dhe koha është dhe do të mbetet seleksionuesi i tij më i mirë.

  • Ligor Luarasi

    LIRIA, OKSIGJENI I JETES.
    ******************************************************
    Z. Dastid Miluka eshte reflektim i plote i mjedisit lirik per artistin ku ai jeton dhe punon.Veprat e tij jane si oksigjeni per frymemrajen e njeriut, sa i takon ndjenjave qe ato shprehin.Pa kete oksigjen s’rojme dot as disa minuta,ashtu si pa lirine e krijimtarise ,pa lirine e vleresimit te artistit, artisti vetedenohet ,peson,derisa shuhet.
    Keshtu jane shojtur ne atdhe shume artiste, nga pavleresimi i tyre prej qevreive komunisto-tranzicioniste.Ketu me fjalen artist kuptoj c’do talent, ne c’do fushe qe ai mund te jape veprat e tij,jo vetem per fushen e artit.Por edhe talent ne politike,te cilin e kane shume per zet xhelozet e politikes,derisa e fundosin.
    Shume talente shqiptaresh vetem pas vdekjes lene me shkrim, te varosen ne vendlindje pse?Sepse nuk i kane vleresuar qeverite e tij,nuk ju krijuan oksigjenin jetik LIRINE.