Përplasja


PD kërkon kontrollin parlamentar të SHISH, Turku: Ligji është në Kuvend, por u refuzua nga PS


Iniciatori


Drafti Demi – Partia Demokratike kur ishte në pushtet e bllokoi nismën për kontrollin e SHISH-it. Pas debateve ishte kreu i Komisionit të Sigurisë, Leonard Demi, që paraqiti draftin e shumëdebatuar


HERION MESI


LutajNjë nga ligjet më të rëndësishme të mbetur pezull që nga sesioni i vjetër parlamentar, ai i mbikëqyrjes parlamentare të institucioneve të inteligjencës në vend, ishte temë e diskutimeve të djeshme mes anëtarëve të Komisionit të Sigurisë Kombëtare, grupeve të interesit dhe shoqatave civile. Në tryezën e rrumbullakët me temë “Mbikëqyrja e shërbimeve informative nën një qasje të balancuar” të organizuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim, mazhoranca kërkoi që këto institucione të kalojnë në varësi direkte të ekzekutivit, ndërkohë që opozita theksoi se në Kuvend ekziston një ligj i tillë, që është bllokuar nga vetë socialistët kur ishin në opozitë. Deputeti demokrat, Ardian Turku, theksoi se ligji është prej kohësh në Kuvend, dhe ka kaluar në të gjitha komisionet parlamentare, por ai nuk është miratuar pasi opozita e atëhershme nuk dha konsensusin për këtë nismë. “Problemi është si do të mund ne si Parlament, dhe këtu kërkohet edhe asistencë, por edhe ne grupet politike brenda komisionit, si do të biem dakord për t’u përqasur drejt një modeli të pranueshëm për të dy palët”, tha Turku duke iu referuar pikërisht projektligjit të mbetur pezull të mbikëqyrjes parlamentare të institucioneve të shërbimeve sekrete. Por përgjigjen për këtë e dha kolegu i tij socialist në Komisionin e Sigurisë, Piro Lutaj, i cili propozoi që të gjitha institucionet e inteligjencës si SHIU, SHKB-ja etj., të cilat sipas tij duhet të shmangen nga tendenca e tyre për pavarësi absolute, por ato të jenë në varësi direkte të ministrive përkatëse. “Sipas mendimit tim, shërbimet informative brenda institucioneve duhet të shmangen nga tendenca për një pavarësi absolute ndaj kreut të institucionit. Ministria e Mbrojtjes e ka SHIU-n për të kryer misionin brenda FA-së. Unë kam pasur rezerva për mënyrën se si u miratua ligji i fundit për ligjin e agjencisë. Secili shërbim sekret të jetë brenda shërbimit të vet të përcaktuar. Nuk ka pse vjen drejtori i SHKB-së për të dhënë llogari, sepse SHKB varet nga ministri i Brendshëm. Puna është se ne duhet të përcaktojmë modalitetet dhe mënyrën se si do të vijojmë kontrollin te shërbimet sekrete”, tha Lutaj. Ndërsa përfaqësuesit e IDN-së theksuan se shërbimet informative operojnë nën kontrollin e ngushtë të ekzekutivit dhe, prandaj, mbikëqyrja parlamentare nuk mund të limitohet vetëm te  shërbimet të cilat thjesht zbatojnë, por, gjithashtu, edhe tek ekzekutivi, i cili i drejton ato nëpërmjet udhëzimeve për proceset e grumbullimit të informacionit, si dhe shfrytëzon informacionin e grumbulluar prej tyre. “Prandaj, pa një qasje të tillë, mbikëqyrja e legjislativit do të jetë përherë e pjesshme dhe e pamjaftueshme”, u shprehën ekspertët. 


 


Drejtori juridik në SHISH


Spahiu: Vetë shërbimet janë të interesuara për këtë mbikëqyrje


Përfitoj nga rasti që të shpreh edhe njëherë qëndrimin zyrtar të SHISH-it, që kemi qenë dhe jemi prapë pro një ligji për mbikëqyrjen parlamentare të shërbime informative. Dua të them se më shumë se çdokush tjetër, vetë shërbimet informative janë të interesuara që të kenë një mbikëqyrje parlamentare sa më efikase, sa më të plotë, nga Parlamenti, nga përfaqësues të Komisionit të Sigurisë, qoftë të pozitës, qoftë të opozitës. Atëherë do shikohen ligjshmëria, buxheti edhe më mirë, do të kontrollohej si organizohet puna pa shkelje ligji. Në këtë kuadër edhe masa e popullit do ishte më e qetë. U tha që shërbimet në kohën e diktaturës kanë pasur shije të keqe. Shërbimet sot kontrollohen nga përfaqësuesit e Parlamentit, përfaqësues të opozitës dhe të pozitës.


 


Konstitucionalisti


Jaho: Bllokimi i ligjit erdhi nga politizimi mes palëve


Si Kushtetuta edhe ligjet, që veprojnë në këtë fushë, nuk kanë penguar dhe nuk pengojnë kontrollin parlamentar. Por kjo nuk do të thotë që në Kushtetutë dhe në ligjet e organeve të shërbimit të sigurimeve nuk kanë nevojë për rregullime dhe saktësi. Por nëse nuk e ka penguar legjislacioni në fuqi, atëherë çfarë e ka penguar? Kam mendimin se pengesë ka qenë jo dhe se moskuptimi i brendisë politike dhe të ligjit, por politizimi i problemit. Mungesa e bashkëpunimit dhe konsensusi partiak. Kuvendi e ka kompetencën për të ushtruar kontroll për interpelanca edhe në këtë fushë dhe për dëgjimin e raporteve të kërkuara nga vetë aktorët ose të kërkuara nga vetë komisioni. Asnjë dispozitë kushtetuese nuk pengon ngritjen e komisioneve në drejtim të këtyre organeve.