Nga Vermoshi në Konispol, ja ndarja e re e zonave administrative në të gjithë Shqipërinë


ndarja 1Edhe pse ende nuk ka një projektim përfundimtar të hartës së re administrative të Shqipërisë, gazeta “Shqip”, në një përpjekje të saj për të krijuar një ide rreth hartës së re administrative, ka nxjerrë disa rezultate paraprake të numrit të njësive vendore që do të ketë Shqipëria pas realizimit të reformës administrativo-territoriale. Studimi është kryer duke iu referuar kritereve të shpallura tashmë nga ekspertët që po punojnë me këtë reformë, si dhe të dhënave të Policisë së Shtetit, e cila u përdor nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në shpërndarjen e mandateve të deputetëve të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit të vitit të kaluar. Ndarja e re administrative pritet të ketë një numër prej 70 njësish vendore.


Ndarja e re


Sipas specialistëve të Ministrisë për Çështjet Vendore, procesi i ndarjes administrativo-territoriale do të fillojë nga rrethet, si njësi bazë e qeverisjes vendore, ku bashkia qendër rrethi do të jetë qendra e re e njësisë bazë të qeverisjes vendore. Por brenda kësaj njësie, pra brenda rrethit, do të ketë dhe njësi të tjera vendore, por për ekzistencën apo krijimin e të cilave ky draft përcakton disa kritere strikte, siç është popullsia, vazhdimësia territoriale, tradita dhe distanca. Më konkretisht, njësi të reja bazë të qeverisjes vendore mund të krijohen brenda kufijve të rrethit, ose nga territore të dy ose më shumë rretheve nëse njësia e re e krijuar është një zonë funksionale më vete, distanca e territorit me qendrën e njësisë mundëson ofrimin e gamës së plotë të shërbimeve për banorët e saj, njësia e re e krijuar respekton parimin e vazhdimësisë territorial, duhet të ketë një numër të konsiderueshëm banorësh, mbështetur edhe në karakteristikat gjeografike të zonës dhe ka një traditë historike dhe karakterizohet nga lidhje tradicionale mes banorëve të të gjithë territoreve përbërëse. Sa u përket këtyre njësive të reja që do të krijohen, në projektligj parashikohet që për zonat me densitet të lartë, numri i popullsisë duhet të jetë minimalisht 30 mijë, për zonat me densitet mesatar, 20 mijë dhe ato me densitet të ulët, 10 mijë banorë. Përjashtohen nga ky rregull njësitë aktuale, të cilat në shumicë banohen nga minoritetet.


Rrethi Berat, 3 bashki


Rrethi i Beratit aktualisht ka një popullsi prej 155,299 banorësh. Duke e përfshirë këtë rreth në kategorinë e parë, Berati mund të ketë 2-3 bashki nga 12 njësi vendore që ka. Bashkia Berat mund të shtrihet me komunat Otllak, Poshnje dhe Sinje. Ndërsa Bashkia Ura Vajgurore mund të marrë Komunën Velabisht.


Rrethi Kuçovë, 1 bashki


Ky rreth do të ketë një bashki, atë të Kuçovës, me një popullsi prej 48 mijë banorësh.


Rrethi Kolonjë, 1 bashki


Rrethi Kolonjë me 20208 banorë do të ketë vetëm një njësi administrative, atë të Bashkisë së Leskovikut.


Rrethi Skrapar, 2 bashki


Me një popullsi prej 27833 banorësh, ky rreth me kriteret e reja të ndarjes territoriale mund të ndahet në 2 bashki nga 10 njësi administrative që ka tani. Bashkia e Çorovodës dhe e Poliçanit janë qendra kryesore.


Rrethi Dibër, 2 bashki


Me një popullsi prej 76722 banorësh, nga 13 njësi vendore që numëron aktualisht, do të ketë vetëm dy të tilla.


Rrethi Mat, 2 bashki


Me një popullsi prej rreth 60 mijë banorësh, ky rreth në hartën e re administrative pritet të përfaqësohet me dy bashki të mëdha të kategorisë së parë, atë të Burrelit dhe atë të Klosit, ku në to do të bashkohen grupohen dhe 10 komuna që ekzistojnë aktualisht.


Rrethi Bulqizë, 1 bashki


Rrethi i Bulqizës nga 8, do të bashkohet në një njësi të vetme vendore të kategorisë së parë, me një numër popullsie prej 40289 banorësh.


Rrethi Durrës, 3 bashki


Ndërsa në Qarkun e Durrësit pritet të kemi gjithsej 3 bashki: Bashkinë e Durrësit, Bashkinë e Shijakut, ndërsa pritet të ketë dhe shkrirje të dy bashkive, atë të Manzit (11300 banorë) me Sukthin (26281 banorë) në një bashki të vetme.


Rrethi Krujë, 2 bashki


Rrethit të Krujës, që aktualisht numëron 16262 banorë, do t’i bashkohet edhe Komuna e Cudhirit që numëron 3167 banorë, duke e kthyer Krujën në një bashki të kategorisë së dytë. Gjithashtu, Bashkia e Fushë-Krujës me 25261 banorë, do të zgjerohet edhe me Komunat e Bubqit, Niklës dhe Kodër Thumanë, duke u shndërruar në bashki të kategorisë së parë me 59312 banorë.


Rrethi Elbasan, 3 bashki


Në Elbasan nga ndarja e re administrative pritet të kemi gjithsej tre njësi vendore: Bashkinë e Elbasanit, Bashkinë e Belshit dhe Bashkinë e Cërrikut, në të cilat do të bëhet dhe shpërndarja e komunave sipas afërsisë gjeografike të secilës nga këto tre bashki.


Rrethi Peqin, 1 bashki


Rrethi i Peqinit, pritet të shndërrohet automatikisht në një njësi të vetme nga 6 të tilla që janë aktualisht, pra në Bashkinë e Peqinit me 31004 banorë.


Rrethi Gramsh, 1 bashki


Rrethi i Gramshit do të ketë Bashkinë e kategorisë së parë atë të Gramshit, me rreth 57 mijë banorë.


Rrethi Librazhd, 2 bashki


Me një popullsi prej 63192 banorësh, ky rreth do të ndahet në 2 bashki, atë të Librazhdit dhe Përrenjasit.


Rrethi Fier, 3 bashki


Rrethi i Fierit pritet të ketë një ndarje me tre njësi vendore nga 17 të tilla, në të cilat do të jenë: Bashkia Fier, Bashkia Patos dhe Bashkia Roskovec.


Rrethi Lushnjë, 2 bashki


Në Rrethin e Lushnjës, që aktualisht numëron 143276 banorë, pritet të kemi dy nga 14 njësi vendore: Bashkinë e Divjakës dhe atë të Lushnjës.


Rrethi Mallakastër, 1 bashki


Në rrethin e Mallakastrës pritet të kemi vetëm Bashkinë e Ballshit me një numër banorësh prej 31356 banorësh.


Rrethi Gjirokastër, 3 bashki


Aktualisht si rreth ka një popullsi prej 82259 banorësh. Për nga specifika do të ketë 3 njësi vendore, ku Dropulli i Poshtëm dhe i Sipërm do të shkrihen në një bashki. Ndërsa dy bashkitë e reja janë Gjirokastra dhe Libohova. E veçanta është se Lazarati mund t’i bashkëngjitet Bashkisë Gjirokastër.


Rrethi Tepelena, 2 bashki


Nga nëntë njësi administrative që ka aktualisht, Rrethi i Tepelenës mund të dalë me 2 bashki më vete. Tepelena dhe Memaliaj janë dy bashkitë e reja.


Rrethi Përmet, 2 bashki


Nisur nga mënyra e shtirjes, Rrethi i Përmetit mund të ketë 2 bashki me një popullsi prej 33302 banorësh. Përmeti dhe Këlcyra janë dy bashkitë e reja.


Rrethi Korça, 3 bashki


Në Rrethin e Korçës, që numëron gjithsej 198991 banorë, pritet të kemi një ndarje prej 3 njësish vendore: Bashkinë e Korçës, në Bashkinë e Maliqit dhe ajo e Voskopojës.


Rrethi Kolonjë, 1 bashki


Në Rrethin Kolonjë do të kemi vetëm një ndarje, Bashkinë e Ersekës me një numër prej 20208 banorësh.


Rrethi Pogradeci, 2 bashki


Në Rrethin e Pogradecit, pritet të kemi dy njësi administrative: Bashkinë e Pogradecit dhe atë të Buçimasit.


Rrethi Devolli, 1 bashki


Në Rrethin e Devollit do të kemi vetëm një njësi vendore, atë të Bashkisë së Bilishtit me një numër popullsie prej 42589 banorësh.


Rrethi Kukësi, 2 bashki


Në Rrethin e Kukësit do të kemi dy njësi vendore të kategorisë së parë, nga 17 të tilla. Bëhet fjalë për Bashkinë e Kukësit dhe atë të Krumës.


Rrethi Has, 1 bashki


Rrethi i Hasit do të bashkohet në një njësi të vetme vendore nga dy të tilla, e cila do të jetë e kategorisë së tretë me 12282 banorë.


Rrethi Tropojë, 1 bashki


Edhe Tropoja do të bashkohet në një njësi të vetme vendore, nga 8 të tilla. Pra do të kemi vetëm Bashkinë Bajram Curri, me një numër të përgjithshëm prej 28235 banorë.


Rrethi Lezhë, 3 bashki


Me një popullsi prej 104848 banorësh, ky rreth mund të pësojë një ndarje me tri njësi të mëdha vendore, ku përveç Bashkisë Lezhë mund të kemi dhe një bashki në zonën e Zejmenit dhe një njësi në zonën e Shëngjinit ose të Shënkollit, si njësitë me numër më të madh të popullsisë.


Rrethi Mirditë, 1-2 bashki


Me një popullsi prej 37434 banorësh, Rrethi i Mirditës do të ketë vetëm një ose dy njësi vendore në hartën e re administrative nga 6 të tilla që ka aktualisht. Nisur nga relievi i këtij rrethi, mund të kemi vetëm Bashkinë e Rrëshenit dhe atë Rubikut, ku këto njësi do të jenë bashki të kategorisë së parë.


Rrethi Kurbin, 1-2 bashki


Me një popullsi prej 72894 banorësh, ky rreth pritet të ketë dy njësi vendore të kategorisë së parë nga katër të tilla, që do të grupohen në Bashkinë e Laçit dhe atë të Mamurrasit.


Rrethi Shkodër, 2-3 bashki


Në Rrethin e Shkodrës, në hartën e re administrative, pritet të jenë 2 ose 3 njësi administrative. Bashkia Shkodër dhe Bashkia e Vaut të Dejës. Ndërsa mund të kemi dhe një shkrirje në Komunën e Bushatit (23471 banorë) dhe të komunave të tjera, si: Komuna Ana-Malit, Bërdicë, Dajç, Guri i Zi. E veçanta në të këtë ndarje të re është se Komuna e Velipojës do t’i bashkohet Bashkisë së Shkodrës.


Rrethi Malësi e Madhe, 1 bashki


Sa i përket Malësisë së Madhe, ajo pritet të ndahet në një njësi të vetme administrative në Bashkinë e Koplikut, me rreth 76 mijë banorë.


Rrethi Pukë, 1 bashki


Rrethi i Pukës do të bashkohet në një njësi të vetme vendore në Bashkinë e Pukës, dhe do të ketë një numër prej 28303 banorësh.


Rrethi Tiranë, 3-4 bashki


Tirana që është dhe rrethi me numrin më të madh të madh të popullsisë do të ketë një ndarje me 3 ose 4 bashki, ku së bashku me komunat, do të hiqen edhe minibashkitë. Konkretisht siaps ndarjes së re pritet të kemi Bashkinë e Tiranës, Bashkinë e Petrelës, Bashkinë Kamëz dhe Bashkinë e Vorës.


Rrethi Kavajë, 2 bashki


Rrethi i Kavajës, me një popullsi prej 118293 banorësh, nga 10 njësi vendore (2 bashki dhe 8 komuna), pritet të ketë vetëm 2 bashki me ndarjen e re: Bashkia e Kavajës dhe Bashkia e Rrogozhinës mund të jenë dy njësitë e reja.


Rrethi Vlorë, 3 bashki


Rrethi Vlorë ka 245750 banorë. Për nga densiteti mund të përfshihet te kriteri i 30 mijë banorëve. Bashkia Vlorë do të shtrihet deri në Orikum, duke e përfshirë si të sajën këtë njësi. Ndërsa për nga specifika, Himara mund të mbesë në njësi më vete administrative. Rrethi Vlorë mund të ketë 3-4 bashki, të nivelit të parë dhe të dytë.


Rrethi Sarandë, 2 bashki


Rrethi Sarandë ka 99569 banorë. Aktualisht ka dy bashki, Sarandën dhe Konispolin. Ky rreth, nëse futet në kriterin e 20 mijë banorëve, duhet të ketë gjithsej deri 2-3 bashki në të ardhmen nga 9 njësi të qeverisjes vendore që ka aktualisht, dy bashki dhe 7 komuna. Rrethi: mund të ketë bashkinë Sarandë, e cila shtrihet deri në Ksamil dhe bashkia tjetër mund të jetë ajo e Konispolit.


Rrethi Delvinë, 1 bashki


Me një popullsi si rreth më vete me 31476 banorë, Delvina mund të ketë një bashki. Pritet të ketë ndonjë lëshim për komunat minoritare.