Zhvillimi i ekonomisë shqiptare për 6 vitet e ardhshme do të mbështetet në përmirësimin e klimës së biznesit, mbështetjen e SME-ve, nxitjen e eksporteve si dhe investimeve të huaja. Këto katër shtylla u theksuan dje nga ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj, gjatë prezantimit të draft-strategjisë së biznesit dhe investimeve për periudhën 2014-2020, para grupeve të interesit. Misioni i kësaj strategjie është rrija e konkurrueshmërisë së produkteve shqiptare në rajon dhe tregjet e BE-së. “Strategjia zbaton parimet e marrëveshjes të stabilizim-asocimit dhe kapitujve të saj që lidhen me industrinë, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe parimet e aktit të biznesit të vogël të BE-së. Shqipëria synon të arrijë një vend që zhvillon dhe përmirëson vazhdimisht klimën e biznesit dhe klimën e ndërmarrjeve të vogla e të mesme, nëpërmjet një tregu të hapur konkurrues, industri dinamike e transporte më konkurruese”, deklaroi Ahmetaj. Edhe pse produktet shqiptare nuk janë në nivelin më të lartë të kërkuar, sipas Ahmetajt, duhet të nxiten bizneset, kultura e sipërmarrjes dhe rritja e investimeve të huaja. Sipas kësaj projekt-strategjie synohet që të përmirësohet klima e të bërit biznes në Shqipëri, ndërkohë që parashikohet rritja me 3-5 për qind e ndërmarrjeve dhe investimet e huaja me 6.3 për qind deri në vitin 2020.