Kulturë “Heroi” i vonuar jep premierën 4 vjet me vonesë

“Heroi” i vonuar jep premierën 4 vjet me vonesë

273
SHPËRNDAJE

Filmi në Kosovë

Historia e një luftëtari krenar dhe depresionit të pasluftës mbërrin në ekranin e kinemasë 

Vullnet Krasniqi

“Heroi” i vonuarFilmi i subvencionuar nga shteti në vitin 2009, është dhënë premierë të martën, me katër vjet vonesë. I gjatë më shumë se dy orë, “Heroi”, që rrëfen jetën e një ish-luftëtari të UÇK-së, i cili përballet me krizën financiare të periudhës së pasluftës, ka probleme edhe me financat e marra nga shteti. Dosja e këtij projekti të mbështetur me 200 mijë euro nga Qendra Kinematografike është ende e pambyllur. Përtej kësaj, filmi ka shkelur dy afate për premierë të vënë nga QKK-ja.

Shkëmbi (Arben Bajraktaraj) është një hero i luftës së fundit në Kosovë. Ai është krenar dhe nuk pranon asnjë punë që do të prekte ndershmërinë e luftës. Kësisoj, ai jeton në mjerim, por heq dorë nga ndershmëria, pasi dështon të gjejë një punë që do t’i siguronte jetesën gruas (Ardiana Morina) dhe fëmijës të tij.

Ai bëhet një plaçkitës autobusi, duke përdorur të njëjtën armën që kishte gjatë luftës. Por paratë e grumbulluara nga grabitja nuk i shpenzon për asgjë, ashtu sikurse pulën që e vjedh për të mbajtur premtimin e dhënë djalit të tij, se do t’ia gjejë pulën e humbur që ia kishte dhënë dhuratë për ditëlindjen e gjashtë.

Historia e tij nuk ka përfundim të qartë. Në skenën e parafundit bën vetëvrasje, e në atë që mbyll filmin dyorësh, shfaqet duke ecur.

“Heroi” është titulli i filmit të Luan Kryeziut, që është dhënë premierë para gazetarëve të martën në kinemanë “ABC” në kryeqytet. Përpos Bajraktarajt dhe Morinës, në rolet kryesore luajnë edhe Enver Petrovci, Çun Lajci e Kryeziu, i cili ka shkruar skenarin, ka bërë regjinë dhe njëkohësisht ka kryer punën e producentit në filmin që ka nisur realizimin si projekt qysh në vitin 2009.

Por realizimi i filmit të mbështetur nga shteti, që portretizon njeriun e ndershëm, ka pasur probleme të kryerjes me kohë dhe raportimit të shpenzimit të parave tek autoritetet shtetërore.

Shkelja e afateve

Kryeziu obligohej nga QKK-ja që ta përfundonte filmin në dhjetor të vitit 2012, por nuk kishte arritur ta bënte këtë.

Në fillim të 2013-s, regjisori Kryeziu kishte bërë dy kërkesa për të shtyrë afatin e premierës.

Muaji mars ishte paracaktuar nga QKK-ja. Kryeziu nuk ia kishte dalë.

Shtatori i vitit të kaluar ishte caktuar si afati i fundit nga QKK-ja, kur Kryeziu me shtëpinë e tij filmike “Ilira Film”, do të duhej të jepte premierën. As në këtë afat nuk kishte mundur ta përfundonte filmin.

Kryeziu thotë se u vonua, pasi donte të bënte film cilësor.

“Që të dalë një film i mirë dhe me kualitet të lartë ashtu siç pretendoj se e kam bërë, është dashur kohë, sepse rregullimi i çdo detaji ka kërkuar kohë dhe para shtesë”, tha Kryeziu, në konferencën për median të mbajtur pas shfaqjes së filmit.

Por përmbajtja e filmit kritikohet nga dramaturgu Jeton Neziraj. “Filmi është dashur të pastrohet nga shtresat idealizuese e moralizuese që nganjëherë dalin në pah në film”, thotë Neziraj. Ai në vitin 2009 ishte pjesë e jurisë që kishte zgjedhur skenarin e Kryeziut si të denjë për t’u financuar nga shteti. Por Neziraj nuk pajtohet me përmbajtjen finale të filmit.

Para katër vjetësh, më 2009-n, projekti filmik i Kryeziut ishte mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës në konkursin për subvencionimin e projekteve filmike.

Nën drejtimin e Zeqir Hamitit, që në atë kohë udhëhiqte fondin e filmit në vend, “Heroi” ishte mbështetur fillimisht me buxhet prej 60 mijë eurosh.

Pas konkursit, Kryeziu kishte bërë kërkesë për më shumë para në Ministrinë e Kulturës, në kuadër të së cilës operon QKK-ja.

Nëpërmjet QKK-së, ministria i kishte dhënë edhe 130 mijë euro buxhet, ndërsa vitin e kaluar projekti ishte ndihmuar edhe me 10 mijë euro shtesë nga QKK-ja, për të mbuluar promovimin e “Heroit”. Krejt filmi ka kushtuar afro gjysmë milioni euro.

“Dosja e ‘Heroit’ nuk është e mbyllur”

Por, përderisa për Kryeziun, “Heroi” është punë e kryer edhe si film, por edhe si projekt, në QKK ky projekt ende nuk është mbyllur.

“Projekti i filmit ‘Heroi’ financiarisht në QKK ende nuk është mbyllur”, ka thënë Arben Zharku, drejtor i QKK-së.

Ai nuk ka mundur të tregojë me saktësi se për çfarë arsyesh nuk është mbyllur dosja e këtij filmi.

“Ende nuk e kam parë dosjen”, thotë Zharku, i emëruar në dhjetor të vitit të kaluar në pozitën e drejtorit të Qendrës Kinematografike të Kosovës.

Por, sipas regjisorit Kryeziu, arsyeja e kësaj vonese ka të bëjë me disa ndërrime për mënyrën se si janë shpenzuar paratë e marra nga shteti.

“Për shembull, në dosjen fillestare kur kam konkurruar, nuk kam pasur emra të ekipit dhe kam parashikuar të tjera pagesa, por kur kam zgjedhur ekipin, kostoja ka ndryshuar për secilin”, thotë Kryeziu, i cili në garën për drejtor të QKK-së kishte qenë konkurrent me Zharkun.

Madje Kryeziu kishte pretenduar se zgjedhja e Zharkut në krye të QKK-së ka qenë konflikt interesi.

Zharku ishte kryesues i këshillit drejtues në QKK, përpara se të konkurronte për drejtor në këtë institucion.

Zharku nuk ka qenë prezent në premierën e filmit. Por, sipas të dyve, mosprania e Zharkut nuk ka të bëjë me akuzat.

Në premierë nuk ka qenë as aktori i njohur për rolin e tij në “Harry Potter”, Arben Bajraktaraj, pasi është i angazhuar në një shfaqje në Kamboxhia. Marrë nga GazetaJNK