Banka e Shqipërisë vendosi sot të ulë më tej në një nivel të ri historik interesin bazë të lekut në 2.75 për qind nga 3 për qind që qe më parë, si pasojë e inflacionit të ulët dhe ekonomisë shumë të ngadaltë.
Guvernatori Ardian Fullani tha se rritja e akcizave për karburantet dhe cigaret nga qeveria duke filluar nga 1 janari 2014, solli një ndikim rritës prej 0.5 për qind në indeksin e çmimeve të konsumit, ose në koston e jetesës së shqiptarëve. Por pavarësisht kësaj, çmimet e produkteve të tjera të shportës vijuan të ulen.
“Rritja e akcizave për kategori të veçanta produktesh dha një ndikim shtesë prej 0.5 pikësh përqindjeje në inflacionin total, por ky faktor u kompensua tërësisht nga rënia e inflacionit të ushqimeve. Çmimet e mallrave dhe të shërbimeve të tjera të shportës së konsumit u luhatën rreth niveleve të muajve të kaluar,” tha guvernatori Ardian Fullani në konferencën për shtyp që njoftoi uljen e normës bazë të interesit në ekonominë shqiptare.
“Ekonomia shqiptare shfaqi shenja të qarta ngadalësimi gjatë vitit 2013. Rritja ekonomike e këtij viti gjeti mbështetje në kërkesën e huaj dhe në stimulin fiskal, ndërkohë që konsumi dhe investimet private vlerësohen të jenë tkurrur. Informacioni i ri për zhvillimet e sektorit real në tremujorin e katërt nuk ndryshon vlerësimet tona për një kërkesë të dobët agregate dhe për rritje ekonomike nën potencial. Megjithatë, ai e zhvendos balancën e rreziqeve rreth parashikimit në kahun rënës. Besimi i ulët i biznesit dhe i konsumatorit, plogështia e tregut të punës dhe kushtet e shtrënguara të financimit vazhdojnë të shkaktojnë dobësinë e kërkesës private,” tha Fullani.