Gjuha shqipe, degë në Universitetin Publik në Selanik

Negociata për përfshirjen e kësaj lënde edhe në shkollat e mesme dhe 9-vjeçare

Shpresa Mezini

dhori kule me greket per gjuhen shqipeGjuha shqipe do të mësohet edhe në universitetin publik “Aristotelis”, në Selanik të Greqisë. Kështu, si studentët me origjinë shqiptare, që nuk duan të harrojnë gjuhën e tyre amë, ashtu edhe studentët grekë apo të nacionaliteteve të ndryshme, që kanë dëshirë të mësojnë një gjuhë deri tani të panjohur për ta, do të kenë mundësi ta studiojnë këtë lëndë në universitetin publik të Selanikut. Madje, mësohet se aktualisht Konsulli i Përgjithshëm i Shqipërisë në Selanik, Riza Poda, po negocion me Ministrinë e Arsimit në Greqi edhe për realizimin e një projekti pilot, i cili synon të integrojë gjuhën shqipe në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme publike në këtë shtet.

“Do ta vlerësoja si një ditë të rëndësishme, të shënuar për një nga pasuritë e mëdha kombëtare që kemi ne, gjuhën shqipe. Pra gjuha shqipe sot ka një ditë të rëndësishme në Selanik, pasi në universitetin e këtij qyteti bëhet pjesë e të mësuarit zyrtar nga studentët. Që në dy ditët e para kanë aplikuar 70 studentë, vetëm një është me origjinë shqiptare, të gjithë janë shtetas grek. E gjithë kjo është pjesë e një bashkëpunimi të mirë me një rol të veçantë të konsullit tonë të përgjithshëm”, tha rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule.

Sipas tij, fillimisht mësimin e kësaj lënde, falas, do ta ndjekin 30 studentë, në bazë të një marrëveshjeje të bashkëpunimit shkencor, të nënshkruar disa vite më parë, e ripërtërirë në vitin 2012, mes dy universiteteve publike, që janë kthyer në ura të fuqishme bashkëpunimi mes dy shteteve fqinje, Shqipëri-Greqi.

“Universiteti ynë fillon të japë mësimin e gjuhës shqipe për studentët grekë dhe jemi vërtet shumë të gëzuar për këtë fakt, sepse kemi 70 studentë që treguan interes të jashtëzakonshëm, ndërsa kemi edhe profesoren e parë shqiptare që do t’u mësojë studentëve njohuritë mbi këtë gjuhë, dr. Rozana Rrushiti. Pra mësimi i Gjuhës Shqipe, i ka hapur rrugën një epoke të re për universitetin tonë”, shpjegoi Yannis Mylopoulos, rektori i universitetit publik “Aristotelis”, në Selanik.

Përfshirja e gjuhës shqipe në Universitetin Publik të Selanikut, ishte iniciativë e qeverisë shqiptare, ndërsa u bë realitet nga ndërmjetësimi i Konsullit të Përgjithshëm të Shqipërisë në Selanik, Riza Poda, rektorit të Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, dhe homologut të tij, Yannis Mylopoulos. Çelja e kësaj dege të re për këtë institucion të Arsimit të Lartë Publik, u finalizua edhe nëpërmjet nënshkrimit të një marrëveshjeje të përbashkët mes rektorit të UT-së dhe homologut të tij.

Mësohet se rektorët e institucioneve përkatëse dhe dekanët e disa fakulteteve në Shqipëri dhe Greqi, kanë rënë dakord edhe për zhvillimin e një simpoziumi shkencor, referuar kryesisht tri temave specifike si: Ekonomi, Civilizim dhe Edukim, që do të organizohet më datë 28 prill, mes dy institucioneve akademike në Selanik.

Në takimin e zhvilluar pranë Rektoratit të Universitetit Publik në Selanik, ishin të pranishëm edhe dekani i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, Shezai Rokaj, ai i Fakultetit të Shkencave Natyrore, Mynyr Koni, dhe dekani i Fakultetit Ekonomik, Sulo Hadëri, dhe dekanët e fakulteteve përkatëse në universitetin grek.

Autor te 26 Shkurt 2014. Kryesoret, Sociale. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry