Shqipëri-Turqi


Turqia konsiderohet si një partner strategjik në politikën e jashtme të Shqipërisë dhe qeveria “Rama” synon të çojë në një tjetër nivel bashkëpunimin me këtë vend, veçanërisht në fushën ekonomike dhe tregtare. Në këtë kuadër, në Tiranë zhvillon punimet Forumi Ekonomik dhe Tregtar Shqipëri-Turqi. I pranishëm në takim, Kryeministri Edi Rama njohu pjesëmarrësit, veçanërisht investitorët turq, mbi politikat lehtësuese të qeverisë për sipërmarrjen. Kryeministri tha se asnjë detyrim që qeveria ka ndaj biznesit nuk do të vonohet më shumë se 60 ditë. “Ne ju konsiderojmë ambasadorë dhe promovues të vendit tonë. Do të përmirësojmë klimën e biznesit duke zvogëluar burokracitë. Çdo pagesë ndaj biznesit nuk do të vonohet më shumë se dy muaj”, tha ai. Më tej, Rama u ndal edhe te Këshilli Ekonomik Kombëtar, organ i krijuar pranë qeverisë, me objektiv dëgjimin e shqetësimeve të biznesit. Ai tha se në këtë organ të gjithë sipërmarrësit mund të adresojnë problemet e tyre.