QUO VADIS?

LISIAN ZHUPA

Në botën demokratike, në mungesë të një gjetjeje më të saktë, sovrani shprehet përmes votës. Votë e cila mbart detyrimet dhe shpresën e qenies njerëzore për një të ardhme më të mirë, për një të ardhme që duhet të përvijohet si materializim i përzgjedhjes së tij.

Europa e bashkuar voton në datën 25 maj për përfaqësuesit e saj. Mos të harrojmë, se flasim për një Europë që i dha botës abetaren e demokracisë, të lirive themelore, të filozofisë dhe të artit dhe, së fundmi shtetin social. Kontinenti ku njerëzimi për herë të parë, ngulmoi për të drejta të pamohueshme e thelbësore, ku Mesjeta iu dorëzua Rilindjes. Një Europë që sot tenton ekzistencën reale të asaj që ka zbukuruar në letër. Megjithatë, kontinenti i vjetër trandet i pakënaqur mes pasigurisë së zhvillimeve, ekonomisë të brishtë dhe lëvizjeve sizmike që prodhojnë ironikisht interesat e ndryshme të kulturave, shteteve dhe kombeve.

Vizioni i pasluftës për kontroll të Gjermanisë, mbikëqyrje të zhvillimeve europiane nga SHBA-ja dhe zvogëlim të faktorit rus, sot duket se është ende një aksion i parealizuar. Përveç prezencës së NATO-s në Europë dhe dorëzimin e mbikëqyrjes strategjike dhe ushtarake nën radarët e superfuqisë, asgjë tjetër nuk pajtohet me planifikimin paraprak. Ideja europiane e bashkimit u bazua në një unifikim të politikave të ulëta (low-politics), të cilat përmes harmonizimit të plotë, do hapnin rrugën më vonë për hapa realë në gjithë spektrin legjislativ dhe ekonomik të saj. Ide e hollë dhe praktike. Në këtë mënyrë, teoria e neofunksionalizmit promovohet dhe Europa shfaqet optimiste për një të ardhme të përbashkët. Një të ardhme që bazohet në një ide unike dhe të pashmangshme – Internacionalizmin.

Nuk do ishte ekzagjerim të thoshim, se kriza financiare botërore po shfaq fytyrën e dytë të Europës. Nga vendet nordike e deri në Zvicër, Holandë, Itali, Francë e Greqi, ekstremi i djathtë gjendet në rritje. Një rritje që siguron përfaqësimin e ideve neonaziste në Parlamentin europian, me pasoja të cilat nuk mund të përfytyrohen qartë për të ardhmen. Frymë që shkon kundër me idenë fillestare dhe me aspiratat e vendeve jashtë BE-së për një zgjerim të mundshëm. Popujt europianë, me ose pa dashje, të mbërthyer midis rritjes anemike ose inekzistuese të GDP-së, galopimin e papunësisë dhe asgjësimin e shtetit social, po fillojnë të mendojnë seriozisht se retorika ultranacionaliste nuk është asgjë më tepër se tregues i dashurisë sublime të personave dhe grupeve ekstremiste për vendet përkatëse. Ndonëse, ndonjëherë, kjo retorikë tejkalon pragun dhe shkakton dëme mbi ata me më pak fat, të lindur jashtë kufijve të njësisë së “pastër”, ose jashtë njësisë së gjuhës, fesë, kulturës dhe interesave akute, nuk do të thotë se realisht flasim për njerëz të pacivilizuar. Monstruoziteti që fshihet nën këto ide, që ende duken të mbuluara nën harresën dhe mirëqenien momentale, nuk përfytyrohen nga qytetari europian, i cili kohë më parë i llogariste si të vdekura. Idetë, në diferencim të plotë me qenien njerëzore, nuk mund të vdesin.

Zgjedhjet europiane janë tepër të rëndësishme edhe për ne shqiptarët. Dëshira e madhe e një vendi të vogël me një reputacion të përzier për shijen e hollë të familjes. E një vendi me një ndjenjë inferioriteti të kultivuar, që në aspektet praktike e largon nga e drejta e lirisë, punësimit dhe banimit në vendet e BE-së. Shqiptari u shfaq në ekranin e perceptimit europian në këto dy dekada si sinonim i emigrantit me vese dhe dufe pasionesh të harruara nga popujt e tjerë. Një propagandë disi reale, por tepër kinematografike. Zhgënjimi hutues për mosmarrjen e statusit në fundin e muajit dhjetor, u tentua të qetësohet me fjalën e dhënë, se shumë shpejt edhe ne do të fillojmë udhëtimin drejt tokës së premtuar. Është thjesht një çështje kohe apo mosmarrëveshjeje midis disa anëtarëve? E vërteta e pathënë është pak më e hidhur dhe diskrete.

Së pari, duhet të gjendet konsensusi brenda familjes, për gjitonin famë(fat)keq. Një konsensus që mbas lobimit tonë propagandistik e jo produktiv, nuk qe fare i sigurt as në dhjetor. Një konsensus që duhet realizuar duke bindur edhe SHBA-në, se kemi arritur pjekurinë e domosdoshme që të mbështesim realisht nismat ndërkombëtare dhe, kemi kontinuitet mes politikës së jashtme dhe fjalës së dhënë. Një konsensus të cilin duam dhe mund ta fitojmë, duke përfaqësuar jo në mënyra situative kauzën tonë në Europë dhe botë. Lobimi ynë, fatkeqësisht, më shumë se në tryeza ekspertësh, zhvillohet në media dhe në konferenca shtypi. Është e vështirë të kuptohet, pse botës i lajmëruam mediatikisht mbylljen e një sërë ambasadash e konsullatash, (kryesisht të vendeve të familjes ku kishim trokitur dhe prisnim pas porte), pikërisht në prag të takimit të tyre për të na hapur apo jo portën.

Së dyti, ende nën trysninë e hipotezës se imazhi ynë në vazhdimësinë e kohës shndërrohet në një produkt më pozitiv, ndeshemi edhe me problematika të tjera. Europa dhe Perëndimi në tërësi, mbas 11 Shtatorit të 2001 edhe më shumë janë kapur pre e islamofobisë. Çdo element islamist, perceptohet potencialisht si agjent terrori nga organet e sigurisë kombëtare dhe ndërkombëtare, ose si dikush të cilin nuk e duam pranë nesh, pra afër familjes sonë. Vetë ne, që kemi vuajtur shumë nga racizmi, jemi të këtij mendimi. Shqipëria deklarohet si një vend me përqindje të lartë myslimane dhe, ky fakt edhe pse i parëndësishëm për ne, nuk duket se konceptohet kështu për familjen. Ç’të bëjmë që të nxisim frymën e saj miqësore për shqiptarët? Ta bëjmë Europën ta ndiejë si aset këtë frymë. E më tej, elita e politikës shqiptare, të dialogojë realisht me popullin e vet, mbi gjendjen ekzistuese dhe problemet që përpjekja jonë e përbashkët do hasë në udhë e sipër. Të shikojmë se ku faktikisht ndodhemi, cilat janë opsionet dhe si përmes politikës së jashtme, mund ta kthejmë në favorin tonë rastin e dhënë. Asgjë serioze dhe e denjë nuk fitohet përmes bamirësisë dhe, nuk duhet të presim diçka të tillë nga jashtë ose brenda, sidomos kur optika europiane është hallakatur duke këqyrur organizmin e një populli që nuk gjallon vetëm në një shtet. T’i rikujtojmë Europës rolin tonë jetik në gadishullin ballkanik dhe, më tej, të flasim për faktorin e Kosovës në të. Të dëgjojmë, por dhe të bindim seriozisht aleatët e partnerët tanë, për domosdoshmërinë e dhënies të këtij shansi. Është më se logjike të kërkojmë atë që kemi synuar, sipas standardeve të paracaktuara, aq më shumë, kur standardet  kanë qenë tepër elastike dhe jo të drunjta për një numër të konsiderueshëm anëtarësh dhe kandidatësh të së tashmes. Shpresa e një populli të tërë për të nesërmen, nuk është diçka që mund të vendoset vetëm nga qendrat e pushtetit në Bruksel. Ajo është derivat i përparimit dhe stabilitetit. Shqipëria së bashku me Kosovën e më tej, gjeostrategjikisht ndodhen në pozitën e favorizuar për të ndihmuar dhe qetësuar gjendjen në këtë anë historikisht të dhunshme të Europës. Në bashkëpunim të plotë me fqinjët tanë, përmes nismave të përbashkëta në të gjitha fushat e ekonomisë, si dhe me përmirësimin e nivelit të shkëmbimeve dhe të dialogut. Pra, të prodhojmë besim në hap të parë dhe, më tej, të kërkojmë të na e kthejnë atë.

Drejtimi i Europës është ende i paqartë. Parashikimet po ashtu. Nga vendet më të mëdha të botës e deri tek ato më modestet, zgjedhjet perceptohen si angazhim i detyruar, ose shpërblesë e bindjes politike të personit në partinë-Zot-punëdhënës. Individi nuk kërkon më tej, nuk pajtohet me zgjidhje të papromovuara, nuk ndihet i sigurt larg tufës. Humbet besimin në atë që do dhe përqafon, atë që koncepton të realizueshme. Në ditët e mira, shtetin social. Në furtunë ide më ekstreme, ide më anakronike.

Sigurisht, kurioziteti mbi politikën mbetet një e drejtë personale. Por edhe pse ti nuk interesohesh për të, do këmbëngulte Perikliu, nuk do të thotë se politika nuk do të interesohet për ty.

Autor te 28 Shkurt 2014. Opinion. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry
  • Albani

    Nje analize shume e mire, qe lexohet me kenaqesi. Bravo.