Librat e rinj

Oriana Fallaci
“Penelopa në luftë”
Përktheu: Beti Njuma

Botimet: “Pegi”

Çmimi: 700 Lekë

librat“Dashuria e njëanshme nuk mjafton, X. Këto të tuat janë fantazi mazokiste. Nuk i dhurohet shpirti dikujt që nuk është i gatshëm të japë të tijin. Kush nuk bën dhurata, nuk i vlerëson ato. Ti kërkon Perëndinë në tokë dhe je e gatshme për çfarëdolloj gënjeshtre, vetëm që ta sajosh. Por Perëndia nuk sajohet, dhe as dashuria. Dashuria është dialog dhe jo monolog…”, pjesë nga libri. Oriana Falaçi është një prej figurave më të njohura të gazetarisë italiane dhe autore e një sërë romanesh.

 

Paolo Giordano
 “Trupi i njeriut”
Përktheu: Adrian Beshaj
Botimet: “Dudaj”

Çmimi: 900 lekë

Për ushtarët e një toge që komandohet nga nënoficer Antonio Reneja, misioni në Afganistan është prova e parë e madhe e jetës së tyre. Në çastin e nisjes, ende nuk e dinë ende se vendi ku do të dërgohen është një nga më të rrezikshmit e krejt zonës së konfliktit. Të sfilitur nga vapa, nga mërzia dhe nga frika e ndonjë kërcënimi që mund të vijë nga çasti në çast, ushtarët rindërtojnë në bazë jetën që njohin. Por natën, në heshtjen e plotë, arrijnë të ndiejnë rrahjet e zemrës, gumëzhimën e organeve të tjera të brendshme – veprimtarinë e pareshtur të trupit njerëzor. Rasti kur do të detyrohen të futen në territorin armik do të jetë gjithashtu ai kur secili, papritur, do të duhet të bëjë llogaritë me atë që kanë lënë pezull.

Colette

“Lindja e ditës”

Përktheu: Dea J Klosi

Botimet: “Iris”

Çmimi: 500 Lekë

“Një flatër e lehtë drite përpëlitet ndërmjet dy kanateve dhe prek, me pulsime të pabarabarta, murin ose tavolinën e gjatë dhe të rëndë të shkrimit, të leximit, të lojës, tavolinën e pafund që vjen nga Bretanja, siç vij dhe unë. Flatra e dritës është herë e trëndafiltë mbi murin prej gëlqereje të trëndafiltë, dhe herë blu mbi qilimin blu prej pambuku maroken.  Kush do të ma dëftonte, në Mourillon, gjashtëdhjetë kilometra tej, shtëpinë e tim eti dhe të gjyshërve të mi ? Të tjera vende më kanë përkundur, kjo është e vërtetë, – disa me një dorë të fortë. Një grua thotë se ka po aq vendlindje, sa ç’ka pasur dashuri të lumtura. Ajo lind gjithashtu nën çdo qiell, në të cilin shëron dhimbjen e dashurisë. Kështu, ky breg blu, i mbjellë me domate dhe speca, është dy herë i imi. …”pjesë nga libri.

Antonio Tabuçhi
Rekuiem
Një shajni
Përktheu: Shpëtim Kelmendi
Botimet: “Dudaj”
Çmimi: 600 lekë

Një rravgim, një shajni, një përshpirtje. Një rekuiem që është një ndarje lamtumire nga fantazmat e një gruaje, të një babai, të një miku, të një poeti, të një shtëpie, të një qyteti. Në një gjendje midis vetëdijes dhe pavetëdijes, midis përvojës së reales dhe perceptimit të ëndrrës, pa qenë fare në gjendje të shpjegojë si e qysh, të dielën e fundit të një korriku, një njeri e sheh veten në mes të ditës në një Lisbonë të shkretë dhe zharitëse. Ai e di se ka veprime për të kryer – të fundmin sidomos: takimin me një personazh të famshëm dhe të vdekur, i cili, me gjasë, ashtu si të gjitha fantazmat, do të vegojë vetëm në mesnatë – por nuk e ka fare idenë se si do t’i kryejë. Kësisoj, ai i beson rrjedhës së rastësisë, sipas një logjike që ndjek asociacionet e lira të pavetëdijes.

Autor te 2 Mars 2014. Kulturë. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry