Viti 2013, rritet frikshëm “krimi i rrugës”

Tiranë

Mbi 15 vjedhje në ditë në kryeqytet. Shtohen veprat penale kundër personit

Sokol Çobo

vjedhja_1-(1)Kriminaliteti në Tiranë arrin majat. Pak ditë më parë publikuam se, gjatë vitit 2013, ndodhte një krim i rëndë në ditë, si vrasje, grabitje me armë, ndërsa sipas statistikave të prokurorisë, “krimi i rrugës” po pëson rritje drastike. Mbi 15 vjedhje mund të ndodhin në ditë në kryeqytet, ndërsa shumë pak janë zbuluar. Rritje kanë pasur edhe çështjet kundër personit dhe kundër autoritetit të shtetit.

Statistikat

Vjedhjet, shifra alarmante

U hetuan 6345 çështje

Sipas raportit vjetor të vitit 2013 të Prokurorisë së Tiranës, rezulton problematikë veprat penale kundër pasurisë dhe ekonomisë (vjedhjet e grabitjet). Janë regjistruar 6345 çështje. Megjithatë, tjetër problematikë është edhe moszbardhja e këtyre çështjeve. Ka rezultuar se janë dërguar në gjykatë vetëm 819 dosje. Janë pushuar 390 çështje dhe 3386 dosje të tjera janë pezulluar, për mungesë provash. 67 çështje janë dërguar në prokuroritë e tjera, ndërsa nën hetim janë ende 1772 të tjera. “Për sa i përket këtij grupi veprash penale, evidentohet se, veprat penale që lidhen me pronën kanë njohur rritje dhe janë 1047 procedime penale që janë regjistruar më tepër. Zgjerim është hasur në drejtim të vjedhjeve të kryera në mjedise publike, e thënë ndryshe vjedhja e hapur. Veprat penale kundër autoritetit të shtetit janë rritur. Po ashtu, rritje kanë pësuar edhe veprat penale kundër personit, duke regjistruar 238 procedime penale më tepër”, thuhet në raportin e prokurorisë.

Problematika

Raporti me Policinë e Shtetit

Lëvizjet e OPGJ-ve ndikuan në hetime

Probleme janë hasur për sa u takon zvarritjeve në hetim, lëvizjeve pa kriter të shpeshta të ndodhura në vitin 2013, edhe për shkak të vitit elektoral që kaluam, hetimi jo krijues, jo dinamik, relacionet e tyre janë shpeshherë thjesht paraqitje e veprimeve të kryera sipas listimit të veprimeve nën urdhrin e prokurorit dhe jo analiza e provave të evidentuara, duke bërë kështu që të sugjerojnë zgjidhje të çështjes së pambështetur në rezultatet e hetimeve. Problematikë ka vazhduar të jetë edhe transferimi i oficerëve të policisë gjyqësore, që ka sjellë çrregullime në veprimtarinë hetimore dhe zvarritje e panevojshme të hetimit. Ky problem, në mënyrë dinamike, u është bërë i ditur strukturave drejtuese të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, duke kërkuar njëkohësisht shmangie sa më tepër të përfshirjes së OPGJ-ve që merren me hetimin, në detyrat e tjera që ligji i ngarkon Policisë së Shtetit.

Ekspertimet

Mjekoligjorët dhe policia

shkencore vonojnë raportet

Pengesë serioze për verifikimin në kohë të materialeve kallëzuese, sipas prokurorisë, ka qenë kryerja dhe administrimi në kohë i akteve të ekspertimit mjekoligjor. “Në vlerësimin tonë, puna e Institutit të Mjekësisë ligjore dhe të DP Shkencore në këtë drejtim, nuk ka qenë në nivelin e duhur dhe për rrjedhojë ka sjellë pasoja të dukshme në shpejtësinë e verifikimit të një pjese të konsiderueshme të materialeve kallëzuese”, thuhet në raportin e Prokurorisë së Tiranës, e cila ka bërë një analizë të gjerë të veprimtarisë së saj në vitin 2013. Shpeshherë, këto institucione i vonojnë me disa muaj ekspertimet, duke sjellë shtyrje të pajustifikueshme të hetimeve, madje rrezikojnë edhe afatet e tjera procedurale. Por ka pasur edhe raporte të dyshimta të këtyre institucioneve. Ndërkohë, përveç këtyre institucioneve, vonesa për çështjet kanë ardhur edhe si pasojë e një pune të pamjaftueshme të oficerëve të policisë gjyqësore të seksionit të prokurorisë, të cilët duhet të jenë më aktivë në rolin e tyre.

Gjykatat

Pafajësi për katër persona

të dyshuar për vrasje

Sipas prokurorisë, gjatë vitit 2013, Gjykata e Rrethit ka vendosur shpalljen të pafajshëm të katër personave, të dyshuar për vrasje. “Gjykata e Tiranës ka vendosur shpalljen e pafajshëm të katër personave, të cilët dyshoheshin për vrasje në rrethana të tjera cilësuese. Dy persona janë shpallur të pafajshëm për shitje të lëndëve narkotike”, thuhet në raportin e prokurorisë, pa përmendur emrat apo ngjarjet ku ishin të përfshirë këta persona. Krahas këtyre statistikave, edhe prokuroria ka “liruar” nga burgu disa persona, ndaj të cilëve nuk u faktua vepra penale. Sipas raportit të Prokurorisë së Tiranës, janë konstatuar tri raste gjatë vitit të kaluar, kur çështjet penale me persona që ndodheshin me masë sigurimi arrest me burg janë pushuar. Rasti i parë është procedimi penal 6165, ku arrestimi ka filluar në datë 31 dhjetor 2012 dhe procedimi penal është pushuar më datë 20.09.2013. Procedimi penal ka qenë ndaj personave Trim Fejzo dhe Flamur Pjetergjokaj, të dyshuar për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Rasti i dytë ka qenë për shtetasin Arlind Dumani i dyshuar për vjedhje. Rasti i tretë ka qenë për shtetasin Serxhio Marku, i dyshuar për armëmbajtje pa leje.

Dënimet alternative, kriza

prek edhe të dënuarit me gjobë

Një nga problemet e hasura gjatë vitit të kaluar ka qenë mosekzekutimi i vendimeve penale me gjobë. Në bashkëpunim me zyrën e Përmbarimit, disa prej këtyre të pandehurve nuk kanë pasur mundësi për të shlyer gjobën, ndërsa ka rezultuar se nuk kanë pasur as prona në emër të tyre. Edhe më parë, prokuroria është ndeshur me të tilla probleme, ku të dënuarit me kusht nuk kanë pasur të ardhura për t’i paguar. Madje, në disa raste, këta të dënuar me gjobë kanë preferuar që të kryejnë më mirë burg sesa të paguanin gjobën. Edhe vitin e kaluar, një pjesë e këtyre të dënuarve ka kryer burg në vend të gjobës së marrë nga gjykata. Prokuroria thotë se, në disa raste, ka pezulluar dënimin dhe ka kërkuar në gjykatë një tjetër dënim alternativ, ajo e punës së detyruar në shërbim të komunitetit. Kjo lloj praktike është ndjekur së fundmi në vendin tonë, ku të dënuar të ndryshëm bashkëpunojnë me institucionet vendore për pastrimin e qytetit apo për punë të ndryshme.

Diskutimi

Qentë shtëpiakë, të rrezikshëm,

pronarët mund të ndiqen penalisht

Prokuroria e Tiranës po diskuton mundësinë që të ndjekë penalisht të zotët e qenve shtëpiakë, të cilët përbëjnë rrezik në momentin që dalin në rrugë apo në parqe të ndryshme. Gjatë vitit të kaluar, por edhe në dy muajt e parë të këtij viti, ka pasur disa denoncime në prokurori nga disa qytetarë të dëmtuar nga këto kafshë shtëpiake. Por, në asnjë rast, prokuroria nuk ka filluar hetimet, për shkak se nuk ka dispozita ligjore. Duke parë këtë problematikë, akuza e kryeqytetit po shikon mundësinë që këto ngjarje t’i cilësojë të paktën si prishje të qetësisë publike, ku nën akuza do të vihen të zotët e këtyre kafshëve shtëpiake. Por, sërish do të ketë diskutime të tjera, ndërsa po shikohet e arsyeshme që të shtohet edhe një dispozitë e veçantë penale, për dënimet e pronarëve të këtyre kafshëve. Një nga rastet më flagrante, sipas akuzës, është regjistruar disa javë më parë, kur një rojë i shkollës denoncoi se ishte dëmtuar nga një qen shtëpiak, megjithëse i zoti ishte prezent. Qeni rrezikoi edhe jetën e fëmijëve të shkollës, por fatmirësisht, roja ka mundur ta nxjerrë nga oborri i shkollës.

 

Numri i kallëzimeve

9430 çështje ka referuar Policia e Shtetit

1467 çështje kanë denoncuar qytetarë të ndryshëm

364 çështje kanë denoncuar nëpunësit publikë

0 çështje, policia e ndërtimit nuk ka referuar asnjë dosje

9 çështje janë referuar kryesisht

11308 çështje në total janë hetuar në vitin e kaluar në Prokurorinë e Tiranës

 

Autor te 2 Mars 2014. Aktualitet. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry
  • benseven11

    I bie te jete bere cdo dite 1 vjedhje per cdo 20 mije banore.
    Nuk duket aq alarmante.
    Si eshte struktura e hajduteve te kapur nga policia sipas grupmoshave?.
    Sa hajdute jane te moshes 16-20 vjec?
    Sa jane 20-25 vjec.Sa jane 25-35 vjec?
    Sa jane 35-50?Sa jane mbi 50 vjec?
    Nga numri total i hajduteve te kapur,sa jane nga qyteti i Tiranes me banim?
    Sa janeme banim ne fshatrat perret?.
    Sa vete jane te ardhur nga qytete te tjera per te bere ndonje vjedhje te shpejte?