Ministri i Financave njofton se kredia e FMN-së do të përdoret për shlyerjen e faturave të prapambetura ndaj bizneseve


Shkelqim CaniMinistri i Financave, Shkëlqim Cani, deklaroi dje, se pas miratimit nga Fondi Monetar Ndërkombëtar të kredisë për Shqipërinë, do të fillojë menjëherë shlyerja e detyrimeve të prapambetura të qeverisë ndaj bizneseve, të akumuluara në formën e punëve publike të papaguara, si dhe tepricës së tatimit mbi vlerën e shtuar dhe tatimit mbi fitimin të parimbursuara.


Bordi ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar miratoi të premten marrëveshjen e kredisë me vlerë 330.9 milionë euro për të mbuluar një pjesë të deficitit buxhetor të qeverisë shqiptare. Nga këto, 26 milionë euro u disbursuan menjëherë.


“Kjo është një kredi me terma të butë, më e madhja që i është akorduar ndonjëherë Shqipërisë për mbështetje buxhetore dhe që vjen në një periudhë mjaft të rëndësishme për caktimin e rrugës drejt konsolidimit të financave publike shqiptare”, tha Cani.


Cani bëri të ditur se pret ratifikimin nga Kuvendi i Shqipërisë të marrëveshjes me FMN-në, për të filluar procesin e shlyerjes së detyrimeve të prapambetura.


Qeveria ka në plan të shlyejë rreth 300 milionë euro detyrime të prapambetura ndaj bizneseve, masë që shpresohet se do të ulë sasinë e kredive të këqija në sistemin bankar dhe do të krijojë fonde të reja të lira për kreditim nga ana e bankave.


Kreditë e këqija në Shqipëri janë në masën 24 për qind të totalit të portofolit të huave dhe një pjesë e këtyre kredive janë kthyer të këqija, si pasojë e mospagesave në kohë të buxhetit të shtetit për kompanitë private. Ky është një nga shkaqet që ka sjellë volum të vogël kredish nga ana e bankave për bizneset, ndërsa shumë biznese me marrëdhënie kontraktuale me shtetin nuk konsiderohen prej kohësh si biznese të sigurta për kreditim. Zgjerimi i kredive nga bankat për ekonominë shpresohet se do të rigjallërojë edhe ekonominë reale në tërësi, duke e nxjerrë vendin nga kriza.


“Marrëveshja me FMN-në është marrëveshje për të mbështetur rimëkëmbjen e ekonomisë dhe programin e qeverisë”, tha Cani dje.


Programi me FMN-në synon uljen e borxhit publik në një nivel më të përshtatshëm për një vend si Shqipëria, por pa rrezikuar rritjen ekonomike, madje duke e ndihmuar atë.


“Marrëveshja me FMN-në, përveç ndihmës së drejtpërdrejtë me 330.9 milionë euro për 3 vjet, me terma më të butë se ato të tregut, u hap rrugën dhe financimeve të tjera me kushte lehtësuese apo grante nga Banka Botërore dhe Bashkimi Europian, që nevojiten për mbështetjen e buxhetit dhe shlyerjen e detyrimeve të prapambetura të qeverisë”, tha ministri i Financave.


Kredia e Fondit Monetar Ndërkombëtar do të disbursohet në faza, ndërsa qeveria do të duhet të zbatojë disa kushte, përfshirë uljen e deficitit buxhetor përmes rritjes së të ardhurave apo disa reforma të rëndësishme të shtyra me vite, si mbledhja e faturave të energjisë elektrike apo reforma e pensioneve.


“Të gjitha këto janë masa të nevojshme për të arritur një rritje të qëndrueshme ekonomike. Kjo mbështetje do të përdoret për shlyerjen e transhit të parë të detyrimeve të prapambetura. Për këtë janë realizuar procedurat e nevojshme për fillimin e procesit brenda marsit”, tha Cani.


Qeveria shpreson se pas miratimit të programit të ndihmës nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, disa donatorë të tjerë të fuqishëm si Banka Botërore apo Bashkimi Europian, do të ndërhyjnë me programe ndihmash. Me Bankën Botërore, që prej dy vjetësh po diskutohet për kredi deri në 200 milionë dollarë, të cilat pritet të kenë për destinacion reformimin e sistemit të energjisë elektrike.


Por rruga drejt ristrukturimit të ekonomisë mund të ketë edhe të papritura. Në rast se qeveria nuk arrin të realizojë planin e të ardhurave fiskale apo nuk përmirëson situatën në sektorin e energjisë, Fondi Monetar Ndërkombëtar mund të shtyjë për më vonë ose të anulojë disbursimet e kësteve të tjera të ndihmave.


FMN-ja shërben edhe si garanci për donatorët e tjerë, pasi një program me fondin nënkupton sigurinë që qeveria shqiptare do të jetë në gjendje të respektojë për detyrimet e veta financiare përballë kreditorëve institucionalë apo privatë.