Emigrimi
Përplasja për dyshtetësinë e Visho Ajazit u paralajmërua nga gazeta “Shqip” dy vjet më parë
Betimi i shtetësisë – “Betohem (ose pohoj) se unë do të jem përkrahës dhe do t’i tregoj besnikërinë e vërtetë Madhërisë së saj Mbretëreshës Elizabetë II, Mbretëresha e Kanadasë, trashëgimtarëve dhe pasardhësve të saj, dhe se unë me besnikëri do të respektoj ligjet e Kanadasë dhe do të përmbush detyrat e mia si qytetar kanadez”
Përplasjet institucionale që do të shkaktonte dyshtetësia e kreut Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi Lika, dhe problemet që mund të lindnin nga kjo u paralajmëruan nga gazeta “Shqip” në një shkrim të sajin të titulluar “Visho, shtetasi kanadez që punon për Shërbimin Sekret Shqiptar” të datës 12 gusht 2012. Kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi-Lika, ka qenë një nga emigrantët politikë të ikur disa muaj pas ngjarjeve tragjike të vitit 1997. Ai u shpërngul në Kanada duke kërkuar për të jetuar për 12 vite me radhë. Nëse pas tre vitesh qëndrim, Lika do të ketë përfituar nënshtetësinë kanadeze, sipas ligjeve të atjeshme, i bie që shefi i Shërbimeve Sekrete Shqiptare duhet të zbatojë ligjet e përtej Atlantikut. “Pikërisht ky është dhe paradoksi, sepse Lika nëse ka dy nënshtetësi duhet të vendosë se cilit shtet duhet t’i shërbejë me besnikëri e devotshmëri, Shqipërisë apo Kanadasë, për të cilën jetoi dhe punoi për 12 vite në Toronto, ku pati dhe kontribute monetare në fondet e pensioneve të këtij shteti. Nuk dihet nëse dy drejtuesit e lartë të shtetit shqiptar e kanë marrë në konsideratë një fakt të tillë, pra që shefi i ri SHISH-it ka jetuar prej vitesh jashtë Shqipërisë dhe që të ketë marrë nënshtetësinë kanadeze ose jo”, thuhet në shkrimin e lartpërmendur.
Në vitin 2009, Lika do të deklaronte pasurinë që kishte arritur të akumulonte gjatë gjithë jetës, e cila rezulton të jetë krijuar në Kanada. Ajo që binte në sy në deklaratën e tij të pasurisë, lidhej me faktin se Lika ka preferuar që të ardhurat e fituara nga puna dhe kursimet për pensionin t’i investojë në kompani të specifikuara për menaxhimin e të ardhurave. Visho Lika ka deklaruar se ai ka investuar 60 mijë dollarë kanadezë (CAN) fond pensioni në një shoqëri të quajtur “Mutal Funds Standart Life” në Kanada, me qëllim investimin e tyre nga kjo kompani dhe për pasojë rritjen e përfitimeve personale. Të njëjtën gjë ai ka bërë dhe me një shumë tjetër prej 50 mijë CAN, të cilën e ka depozituar pranë “Canadian Bank Of Comerce” (CIBC), përsëri me qëllimin për të rritur të ardhurat e tij. Por këto investime nuk i kanë sjellë frytet e pritura, por përkundrazi humbje të të ardhurave. Kështu, në vitin 2009, Lika deklaron se gjatë këtij viti për depozitën 60 000 CAN ka pasur një humbje 30% dhe po kështu të njëjtin vit për shumën 50 000 CAN ka pasuar një humbje 30%.