Kredia e FMN


Këshilli i Ministrave miraton kredinë prej 330 milionë eurosh të dhënë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Në vendimin e djeshëm të KM-së, thuhet se “miratohet në parim huamarrja prej 330 milionë eurosh, që Fondi Monetar Ndërkombëtar i akordon Shqipërisë, për programin 36-mujor të ndihmës”. Kjo kredi, do të alokohet me 9 këste të barabarta, ku i pari do të përfitohet në muajin mars dhe do të kapë vlerën e 26 milionë eurove. Tashmë që kjo kredi të marrë fuqi ligjore, duhet të ratifikohet nga Kuvendi dhe kryesisht është parashikuar që të përdoret për shlyerjen e borxheve ndaj biznesit. Në total, qeveria ka programuar të shlyejë 350 milionë dollarë fatura të papaguara përgjatë këtij viti, ndërkohë që pjesa e mbetur do të shlyhet në dy vitet e ardhshme, përkatësisht 20 miliardë në 2015 dhe 17.5 miliardë të tjera në vitin 2016. Miratimi i kësaj kredie nga bordi i FMN-së u bë vetëm pak ditë më parë, ku sipas tyre kjo kredi do të përdoret për të mbështetur programin e reformave të autoriteteve. Nga ana tjetër, pritet që edhe Banka Botërore, por dhe Bashkimi Europian, të ofrojnë një asistencë të ngjashme financiare për qeverinë. Pritshmëritë e FMN-së për ekonominë shqiptare gjatë këtij viti janë pozitive, pasi ajo do të ndihmohet nga reduktimi i planifikuar i risqeve në sferën fiskale, shlyerja e detyrimeve të prapambetura ndaj biznesit, masat për kreditë e këqija, por edhe lançimi i reformave strukturore.