Ultrasit e Kukësit i kërkojnë skuadrës të luajë “si me Tiranën”


LyuQS20140201121623_01021413Nëse Vllaznia fiton në mesjavë ndaj Kukësit, merita mund të mos jetë e futbollistëve në fushë por e tifozëve në shkallët e stadiumit. Këtu nuk bëhet fjalë për mbështetje të pakushtëzuar që motivon ekipin gjatë gjithë ndeshjes, por për një kërkesë të mirëfilltë për tolerim që vjen në adresë të drejtuesve të klubit të Kukësit nga ultrasit e skuadrës verilindore. Gjithçka ka lindur dhe është evoluar me shpejtësi në rrjetet sociale, aty ku tifozeritë e dy ekipeve kanë krijuar këtë aleancë të hapur që mund të zyrtarizohet në sfidën e mesjavës në kampionat.


“Nëse me Tiranën nuk na u deshën pikët, atëherë pse na duhen me Vllazninë? Meqenëse presidenca toleroi me Tiranën se deshën ata, të mërkurën duam ne”. Ky është postimi i shfaqur në një prej faqeve më popullore në Facebook të skuadrës së Kukësit, mesazh i drejtuar presidencës së klubit që ka gjetur mbështetjen e menjëhershme të tifozerisë së kësaj skuadre. Ultrasit kanë bërë të qartë se janë thuajse të gjithë dakord me tolerimin në ndeshjen kundër Vllaznisë në mesjavë, për të shpëtuar sipas tyre një ekip verior që e meriton më shumë se skuadra të tjera që të mbijetojë në elitën e futbollit shqiptar. Shumë prej tifozëve e cilësojnë të mirëqenë tolerimin e Kukësit ndaj Tiranës në ndeshjen e kësaj fundjave, duke mos ngurruar të fajësojnë edhe drejtuesit e klubit. Ndaj atyre u duket shumë më i justifikuar një tolerim ndaj Vllaznisë në “Zeqir Ymeri”, pasi e cilësojnë një skuadër “mike”.


Po në rastin nëse presidenca nuk pranon? Ultrasit kuksianë duket se kanë një zgjidhje edhe për këtë situatë. Për të treguar “pushtetin” e tyre mbi klubin, ata do të jenë si zakonisht të pranishëm në shkallët e stadiumit, por jo për të mbështetur Kukësin, por Vllazninë, një qëndrim që do të konfirmojë dëshirën e tyre për rrjedhën që duhet të marrë ndeshja. Nëse skuadrat në fushë nuk i binden skenarit të tifozëve, këta të fundit mund të marrin vetë situatën në dorë: mjaftojnë disa incidente në fund të sfidës që Kukësi të humbasë ndeshjen në tavolinë dhe që Vllaznia të marrë tri pikët që i nevojiten në këtë moment të vështirë të historisë së klubit shkodran. Në fakt, në fazën e parë, Vllaznia fitoi 3-1 në fushën e lojës ndaj Kukësit, por pastaj rezultati u kthye në 3-0 nga Komisioni i Disiplinës për shkak të incidenteve që ultrasit shkaktuan në stadium në fund të sfidës.


“Aleanca” është konfirmuar më pas me mbështetjen publike që shumë prej ultrasve kuksianë u kanë bërë homologëve të tyre shkodranë në faqet përkatëse në Facebook, duke “zyrtarizuar” këtë marrëveshje. Tifozët shkodranë, nga njëra anë kanë falënderuar iniciativën e ultrasve kuksianë, por nga ana tjetër kanë kritikuar ashpër për të disatën herë klubin shkodran dhe lojtarët që kanë sjellë një situatë ku Vllaznia duhet të kërkojë “lëmoshë”.


Ndaj sfida e mesjavës mes dy skuadrave do të sjellë padyshim probleme, sidomos në radhët e ekipit kuksian. Nga njëra anë, fitorja e Vllaznisë zyrtarizon tolerimet e Kukësit dhe mund të përballet me pasoja më të rënda se humbja e tre pikëve të radhës. Por nëse ndodh e kundërta dhe ekipi verilindor ndalon shkodranët, duke komplikuar luftën e tyre për mbijetesë, krisja e skuadrës me ultrasit do të jetë e pashmangshme dhe nuk përjashtohet mundësia që të shoqërohet me largimin e drejtuesve aktualë në fund të sezonit.


 


Kategoria Superiore


Java 23


12/13.03.2014


Teuta-Tirana


Kukësi-Vllaznia


Laçi-Lushnja


Besa-Flamurtari


Partizani-Bylis


Skënderbeu-Kastrioti


 


Kupa e Shqipërisë


Turneu i dytë futbollistik për nga rëndësia në vendin tonë njeh sot dy çiftet gjysmëfinaliste, pas shortit që do të hidhet në ambientet e FSHF-së. Në garë kanë mbetur katër skuadra të Superiores: Skënderbeu, Kukësi, Teuta dhe Flamurtari, pikërisht skuadrat që mbyllën sezonin e kaluar në katër pozicionet më të larta në klasifikimin e Superiores. Shorti do të jetë i lirë, që bën të mundur çdo kombinim në gjysmëfinalet të cilat luhen me datat 26 mars dhe 9 prill.