Kryesoret Dënimi maksimal për Bylisin, përjashtohet dhe bie nga kategoria

Dënimi maksimal për Bylisin, përjashtohet dhe bie nga kategoria

747
SHPËRNDAJE

Përjashtim përjetë nga aktivitetet sportive edhe për Kapllanajn

Ermal Kuka

Presidenti i Skenderbeut Artan Take, ai i Bylis Bensik Kapllanaj dhe ai i Teutes Edmond HahanbelliuBylis përjashtohet nga Kategoria Superiore dhe dënohet me rënien e menjëhershme në Kategorinë e Parë. Ky ka qenë vendimi i dhënë nga Komisioni i Disiplinës i FSHF-së, i cili ka dhënë dënimin maksimal ndaj skuadrës ballshiote për ngjarjet e shëmtuara të fundjavës në stadiumin “Adush Muça”.

“Ekipi i KF Bylis, për dështim në organizimin e ndeshjes dhe përmbushjen e përgjegjësive, bazuar në nenet 29, 64 dhe 65.2 të KDS, dënohet me përjashtim nga kampionati dhe zbritjen një kategori më poshtë, si dhe humbjen e ndeshjes në tavolinë me KF Laçi me rezultatin 3-0”, shkruhet në vendimin e dhënë dje nga KDS, duke treguar qartësisht se për këtë vendim nuk është marrë për bazë vetëm dhuna që presidenti i Bylisit, Besnik Kapllanaj, ka ushtruar ndaj delegatit të FSHF-së, Besnik Çela, por edhe sjellja e tifozëve. Fakti se drejtuesit e Bylisit nuk kanë respektuar rregulloren për mosfutjen e tifozëve në stadium, apo nuk kanë garantuar sipas rregullores mbarëvajtjen e ndeshjes duke mos penguar mbështetësit e tyre të hidhnin në vazhdimësi sende të forta në fushën e lojës, ka sjellë këtë dënim ekstrem.

Bylis-Laci-para-ndeshjesGjithsesi, barrën më të madhe për këtë dënim të dhënë e mban padyshim gjesti i Kapllanajt, i cili dje ka dhënë dorëheqjen nga posti i tij në kreun e skuadrës, duke deklaruar se nuk do të investojë më në futboll. Por edhe nëse ai do të ndërrojë mendje, do ta ketë të pamundur ta bëjë një gjë të tillë në Shqipëri, pasi KDS e ka përjashtuar përgjithmonë nga aktivitetet sportive. “Zyrtari i KF Bylis, Besnik Kapllanaj, për dhune fizike ndaj zyrtarëve të ndeshjes me pasoja të rënda për shëndetin, përjashtohet përgjithmonë nga çdo aktivitet sportiv bazuar në nenin 49.2/b të KDS”, është argumentimi i dhënë për ish-presidentin e Bylis, që për momentin duhet të shqetësohet më shumë për kallëzimin penal që është bërë ndaj tij nga zyrtari i FSHF-së. Vendimet e mësipërme mund të apelohen brenda tri ditësh, por me përjashtim të ndonjë çudie të mirëfilltë, Komisioni i Apelit i FSHF-së do të mbajë në fuqi këto masa të rënda ndëshkimore të dhëna ndaj ballshiotëve.

FSHF ka homologuar menjëherë në faqen e saj zyrtare të internetit rezultatin 3-0 në favor të Laçit, që tashmë kthehet përsëri në vendin e dytë në klasifikimin e Superiores. Me humbjen 3-0 në tavolinë do të mbyllen edhe 9 ndeshjet që u kanë mbetur ballshiotëve në kampionat, të cilat nuk do të zhvillohen për shkak të përjashtimit që i është bërë këtij ekipi nga sezoni aktual.

Për sa u përket dënimeve të tjera të dhëna dje, KDS kë përdorur “dorë të hekurt” edhe ndaj drejtorit sportiv të Vllaznisë, Armir Grima, duke e përjashtuar këtë të fundit deri në mbyllje të sezonit “për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes”. Ndërkohë, ka vazhduar seria e gjobave prej 50 mijë lekësh të dhëna ndaj klubeve të Superiores për sjellje të gabuara të tifozëve të tyre, kryesisht për kore fyese, ndezjen e fishekzjarrëve apo edhe hedhjen herë pas here të sendeve të forta në fushën e lojës. Këtë javë, fletën e gjobave në FSHF do ta paguajnë klubet e Vllaznisë, Tiranës, Kukësit dhe Besës, që janë cilësuar si përgjegjës për sjelljen e tifozerive të tyre në ndeshjet e fundjavës së kaluar.

 

 

Bylis

 

Presidenti braktis skuadrën. Të premten, masa e sigurisë

 

Kapllanaj dorëzohet në polici

“Nuk e dija se po më kërkonin”

 

Vetëdorëzohet në polici presidenti i Bylisit, Besnik Kapllanaj, i cili ishte shpallur në kërkim që ditën e shtunë, pasi kishte goditur me mjete të forta në kokë shefin e garave të FSHF, Besnik Çela. Fillimisht, ai ka bërë të qartë para mediave se largohej nga posti i tij në drejtimin e skuadrës, ndërsa më pas ka akuzuar për “abuzim me emrin e tij”. “Më vjen keq për skuadrën dhe qytetin dhe e them se nuk duhet ta dënojnë me pikë apo rrëzim siç edhe kam dëgjuar, kam folur dhe me kryetarin e bashkisë, por nuk ia vlen më. Sa për incidentin, do ta rrëfej para organeve kompetente. Nuk e dija që isha në kërkim për ngjarjen e së shtunës. Jap dorëheqjen, pasi e shikoj se ka shumë padrejtësi. Gjërat nuk janë ashtu siç janë shkruar në media dhe unë do të shkoj të sqaroj se si janë punët në polici”, ishin fjalët e tij para gazetarëve, para se t’i drejtohej komisariatit të policisë. Ndërkohë, zyrtarë të Drejtorisë së Policisë së Fierit kanë pohuar dje për gazetën se është kryer ndalimi i Besnik Kapllanajt, i cili ishte shpallur në kërkim për veprat penale të “plagosjes së lehtë me dashje” dhe “goditjes për shkak të detyrës”. Pritet që të premten të caktohet masa e sigurisë ndaj 39-vjeçarit, i cili aktualisht vuan masën e arrestit në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Fierit.