Rama, Cani dhe Spiropali prezantojnë projektin në Durrës. Nis shfuqizimi i referencave
Qeveria prezantoi nga Porti i Durrësit projektin e Kodit të ri Doganor, përmes të cilit synohet lehtësimi dhe thjeshtimi i procedurave doganore për biznesin, njëkohësisht përafrimi me legjislacionin europian për doganat.
Kryeministri Edi Rama e përshkroi Kodin e ri, si një instrument, i cili do të rrisë sigurinë për importuesit dhe eksportuesit shqiptarë, njëkohësisht nisjen e një epoke transformimi, duke pasur një qasje të re me biznesin, të cilin e quajti një partner strategjik.
“Do të ecim me shpejtësi për të futur sportelin unik, për t’ju bërë ju të gjithëve që të mos shkoni nga një frëngji në një frëngji, nga një derë nga mbrapa te një korridor nga përpara. Të gjitha shërbimet e 15 agjencive të ndryshme shtetërore, që lidhen me eksportin dhe me importin dhe që duhet të japin vulën e tyre, duhet të japin dritën e tyre jeshile, të bëhen në kohë reale, në të njëjtin vend dhe pa letra. Jo shumë vende e kanë. Vende të Bashkimit Europian sot janë duke e futur. Për biznesin, koha është flori dhe shkuar floririt. Sporteli unik sjell vlerën e kohës në sjelljen e shtetit ndaj biznesit”, tha Rama.
Kryeministri deklaroi vendosmërinë e qeverisë për të mos falur asnjë doganier apo punonjës të shtetit, që pengon apo torturon biznesin. Ata, tha Kryeministri, do të përballen me rrufenë e shkarkimit nga puna dhe çuarjen përpara drejtësisë.
Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, shpjegoi më në detaje ndryshimet që pritet të sjellë Kodi i ri Doganor. Përveç thjeshtimit të procedurave, Cani sqaroi se Kodi i ri do të eliminojë edhe çmimet e referencës. “Pranë Ministrisë së Financave është ngritur një grup pune, i cili po analizon tërësinë e zbatimit të çmimeve të referencës, me synim minimizimin e përdorimit të tyre. Synohet të shfuqizohet gradualisht zbatimi i këtyre çmimeve dhe gjithnjë e më shumë të përdoret vlera e transaksionit”, tha ministri i Financave. Sipas tij, komisioni i posaçëm që operon pranë Ministrisë së Financave, këta dy muajt e fundit, ka vijuar me shfuqizimin e referencave të këtyre produkteve, të tjera do të shfuqizohen në vijimësi. Cani tha gjithashtu se paralelisht me Kodin e ri Doganor, Ministria e Financave ka hapur për konsultim ligjin e ri të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), i cili është hartuar në përputhje me praktikat më të mira europiane.
Ndërsa drejtoresha e përgjithshme e Doganave, Elisa Spiropali, shpjegoi me detaje përmbajtjen e Kodit të ri, të cilin e quajti një risi. “Unifikim i rregullave dhe praktikave, kalimi i një mjedisi doganor elektronik, pa letër, aplikimi i procedurave të thjeshtuara dhe operatorët ekonomikë të autorizuar, saktësimin e dispozitave mbi kohën dhe vendin ku lind një borxh doganor, me qëllim që të evitohen vështirësitë dhe zgjidhja juridike, mundësimi i përdorimit të një garancie të vetme globale për disa regjime dhe mbulimin e disa transaksioneve me një garanci të vetme, garantimi i çlirimit të shpejtë të mallrave, kur operatori ekonomik jep paraprakisht informacionet e nevojshme për kryerjen e kontrollit dhe analizën e riskut”, tha Spiropali.