Marrëveshjet


Shqipëria dhe Kosova konkretizuan dje dy marrëveshje të rëndësishme, shmangien e tatimit të dyfishtë, parandalimin e evazionit fiskal, si dhe heqjen e TVSH-së për librat.  Marrëveshjet u nënshkruan dje në Kosovë nga ministri i Financave Shkëlqim Cani dhe homologu i tij kosovar, Besim Beqaj.


“Sot nënshkruam dy marrëveshje të rëndësishme në aspektin fiskal, që lehtësojnë mjaft çështje midis dy vendeve tona. Marrëveshja për shmangien e tatimit të dyfishtë na ndihmon për të paraprirë shmangien e evazionit fiskal. Njëkohësisht, ne nënshkruam edhe shmangien e TVSH-së për tregtimin e librave që të shtohet dëshira për librin e përbashkët në të dy krahët”, sqaroi Cani.


Nga ana tjetër, ministri i Financave i Kosovës, tha se vizita e dytë brenda një harku të shkurtër kohor, konfirmon edhe një herë orientimet tona vëllazërore të bashkëpunimeve ekonomike dhe avancimit të bashkëpunimeve në mes dy vendeve. Dy ministrat ranë gjithashtu dakord të inkurajojnë bashkëpunimin mes dhomave të tregtisë përmes marrëveshjeve të mirëkuptimit, në ndihmë të sipërmarrjes private, por edhe të vetë Ministrive të Financave.