Aktualitet Shefi i burgut grek: Unë e torturova Ilia Karelin

Shefi i burgut grek: Unë e torturova Ilia Karelin

1012
SHPËRNDAJE

Pasi pranon krimin, gardiani Harris Konsolidis tenton vetëvrasjen

Ilir Kareli - KumeShefi i rojeve të burgut të Nigritës, ku u vra Ilia Kareli, nuk ka arritur t’u rezistojë seancave të marrjes në pyetje, por është thyer dhe ka pranuar se ai ka qenë personi i cili ka udhëhequr gardianët e tjerë dhe ka torturuar të burgosurin shqiptar.

Gjatë hetimit për vdekjen e Ilia Karelit nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm i Policisë së Greqisë së Veriut, janë dhënë dëshmi dhe fakte që hedhin shumë dritë mbi të vërtetën për dhunën e ushtruar mbi shqiptarin. Sipas një dëshmie, shefi i rojeve të brendshme të burgut të Nigritës, Harris Konsolidis, i cili tashmë ndodhet i shtruar në psikiatrinë e Serresit, ka pranuar para kolegëve të tij në polici, se e ka rrahur dhe torturuar shqiptarin brenda në burg. Ai ka pranuar se në torturë ishin edhe nëntë roje të tjera, shtatë nga të cilët e mohuan pjesëmarrjen, ndërsa dy e pranuan fajin e tyre. Kur Konsolidis mësoi se do të arrestohej, tentoi të vetëvritej, por u shpëtua nga kolegët. Mësohet se i ka telefonuar gruas dhe i ka kërkuar falje, më pas ka tentuar vetëvrasjen. Aktualisht ndodhet i paraburgosur në klinikën psikiatrike të spitalit të Serresit për trajtim.

Nga ana tjetër, policët e rajonit të Iteas deklaruan se “Ilia Kareli në asnjë rast nuk u prek gjatë qëndrimit të tij në mjediset e policisë”. Sipas zyrtarëve të kësaj policie, “kur Kareli hyri në rajon, kishte shenja të dukshme në duar dhe kokë. Ai ishte i heshtur dhe kërkoi vetëm pak ujë. Oficeri që e mori në dorëzim ka regjistruar të gjitha goditjet dhe ka bërë një raport”, – thonë zyrtarët e policisë së Iteas për shtypin grek. Dje pritej të kryheshin arrestimet e tetë gardianëve të burgut të Nigritas në Serres, kundër të cilëve është lëshuar urdhër-arresti për torturimin deri në vdekje të të burgosurit shqiptar Ilia Kareli.

Policia greke i la të lirë tre gardianët e burgut të Nigritas, të cilët u ndaluan dje. Sipas policisë, duhet më tepër kohë të përfundojnë procedurat për çështjen. Dosja i ka kaluar prokurorisë dhe pritet një urdhër i dytë. Ndaj zyrtarëve të burgut rëndon akuza për rrahje dhe torturë me pasojë vdekjen, plagosje të rëndë dhe dëmtime të rënda të qëllimshme. Në raportin e prokurorisë vihet në dukje se në bazë të hetimeve, vendi dhe koha e kryerjes së goditjeve vdekjeprurëse, përkon me qëndrimin e të dënuarit brenda territorit të Serresit, gjë që shkarkon nga përgjegjësia gardianët e burgut të Malandrinos dhe policët e rajonit të Iteas.

Përfaqësuesi i qeverisë shqiptare, Konsulli i Përgjithshëm i Shqipërisë në Selanik, Riza Poda, vijon kontaktet me autoritetet hetimore për çështjen e vdekjes së shqiptarit Ilia Kareli. Poda ka kontaktuar me prokurorin e Serresit si dhe drejtorin e Kontrollit të Brendshëm të Policisë, që zhvilloi hetimet. Sipas Podës, autoritetet greke kanë siguruar se hetimet vijojnë me intensitet për nxjerrjen e përgjegjësve dhe do të ketë arrestime dhe ndëshkime për vdekjen e dhunshme të shqiptarit.

 

 

Reagimi

Naço: Drejtësia greke të zbardhë çështjen e Karelit

Ministria shqiptare e Drejtësisë ka reaguar dje mbi ngjarjen që ndodhi ditë më parë në burgun e Malandrinos në Greqi. Në një njoftim për mediat thuhet: “Ministria e Drejtësisë shpreh keqardhjen e saj për ngjarjen e rëndë në burgun e Malandrinos në Greqi, me pasojë humbjen e jetës së shtetasve Jorgos Cironis dhe Ilia Karelit, i cili vuante dënimin në këtë burg”. Gjithashtu, Ministria e Drejtësisë në këtë njoftim ka kërkuar zbardhjen e pa vonesë të çështjes. “Duke besuar në marrëdhëniet e mira të fqinjësisë dhe bashkëpunimit ndërmjet autoriteteve të drejtësisë të dy vendeve, dhe në zbatimin reciprok të ligjit dhe marrëveshjeve e konventave ndërkombëtare, veçanërisht ato me fokus respektimin e të drejtave të njeriut, Ministria e Drejtësisë shpreh besimin se reagimi i drejtësisë greke do të jetë i menjëhershëm për sa i takon zbardhjes së çështjes pa vonesë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.

 

Reagimi

“Ata nuk dinë të respektojnë të drejtat e njeriut, të drejtat e shqiptarëve”

E ëma e Alket Rizait: Kam frikë se i ndodh e njëjta gjë tim biri

E ëma e Alket RizaitReagon pas vdekjes së Kudret Kumes (Ilir Karelit) si pasojë e torturave të ushtruara në burgun grek, nëna e Alket Rizait nga Ballshi, një tjetër shqiptar që vuan dënimin e përjetshëm në burgjet greke, i cili është bërë i famshëm për disa arratisje spektakolare. E ëma e Alket Rizait, Donika, ka shprehur dje për mediat frikën që e ka zënë për të birin, pas mësimit të lajmit për vdekjen 42-vjeçarit nga Zhupani i Fierit, Kudret Kumes (Ilia Karelit). Ajo ka pohuar se nuk ka shkuar të kërkojë takim me të birin vetëm për të shmangur refuzimet nga autoritetet e burgjeve greke, çka mund t’i shkaktonte shqetësime Alketit.

“Jam në frikë për djalin tim. Më ka dhembur në shpirt sapo dëgjova për atë djalin e vrarë. Ata nuk dinë të respektojnë të drejtat e njeriut, të drejtat e shqiptarëve. Prandaj shteti duhet të marrë masa që të na mbrojë fëmijët. Kam frikë mos më ndodh e njëjta gjë me djalin tim. Në atë burg, ku u vra Iliri (Kudreti), atje ka tentuar im bir të arratiset. Ju lutem shumë, kushdo që ka në dorë diçka të veprojë, që të na i mbrojnë jetën e fëmijëve tanë atje, pasi janë të pasigurt”, ka deklaruar për mediat Donika Rizai. Ajo pohon se nuk e ka takuar të birin prej tre vitesh, ndërkohë që shton se nuk ka shkuar në Greqi me qëllim që të shmangë pikërisht refuzimin nga autoritetet e burgut. Alket Rizai është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e sipërmarrësit grek Thanasi Koropiotis, për të cilin dyshonte se kishte lidhje me të dashurën. Vetë Rizai e ka mohuar akuzën dhe ka tentuar disa herë arratisjen, duke arritur që disa prej tyre t’i realizojë. I riu nga qyteti i Ballshit, 38-vjeçari Alket Rizai së bashku me të burgosurin grek Paleokostas u arratisën mesditën e 4 qershorit të vitit 2006 me anë të një helikopteri që u erdhi në ndihmë. Personat që ndodheshin në helikopter qëlluan mbi gardianët duke i çorientuar, ndërsa Rizai dhe greku Paleokostas u ngjitën ne mjetin fluturues dhe u larguan. Rizai u kap më pas nga autoritetet greke dhe që atëherë ka tentuar sërish arratisjen. Tentativa e fundit ishte ajo e 17 marsit të vitit të kaluar kur ai mori peng disa punonjës të burgut por u dorëzua pas 24 orësh. Në burgjet greke të sigurisë së lartë vuajnë dënimet me qindra shqiptarë. Trajtimi i shqiptarëve në këto burgje që kohët e fundit janë cilësuar jashtë standardeve dhe të mbipopulluara edhe nga mediat greke, duket se ka lënë gjithmonë për të dëshiruar. Pak ditë më parë, në burgun e Nigritës u gjet i pajetë 42-vjeçari Kudret Kume, i cili më datë 25 mars vrau një gardian të burgut të Malandrinos. Nga këqyrja e kufomës së Kumes, mjekoligjorët grekë dhe ata shqiptarë kanë konkluduar paraprakisht se vdekja e 42-vjeçarit ka ardhur si pasojë e torturave barbare. Atij i janë thyer kockat e kafazit të kraharorit, të kafkës dhe kocka të tjera të këmbëve. Ndërkohë, i janë gjetur hematoma të plagëve vdekjeprurëse edhe në pjesë të tjera të trupit si dhe dëmtime të organeve gjenitale. Drejtësia greke dhe ajo shqiptare kanë nisur hetimet për këtë rast, ku dyshohet se torturat janë kryer nga punonjës të burgjeve greke. E. Hoxhaj