Aktualitet Zyrtarët me nxënësit e Lazaratit: Me paratë e drogës krijoni biznese

Zyrtarët me nxënësit e Lazaratit: Me paratë e drogës krijoni biznese

622
SHPËRNDAJE

Takimi

Kreu i komunës: Këshilloni prindërit të lënë hashashin dhe të mos lënë paratë në kazino

“Ne nuk pyesim për paratë të fituara në fillim, por ato para të fituara vendosini në punë të ndershme”

“Ju duhet të ngulni këmbë te prindërit tuaj që ato para që fitojnë të mos i shpenzojnë nëpër kazino”

Kryetari i Komunës Lazarat u ka kërkuar nxënësve të shkollës së këtij fshati që të ndikojnë te prindërit e tyre për të investuar paratë e fituara deri më tani në biznese të pastra për t’i dhënë fund epokës së hashashit. Kjo çështje është diskutuar në një takim të organizuar me nxënësit e shkollave në Lazarat me drejtuesit e komunës, drejtuesit e policisë së qarkut dhe përfaqësues të arsimit.

Madje për t’i dhënë fund epokës së hashashit, ai ka përdorur një shprehje të ish-kryeministrit italian, biznesmenit Silvio Berluskoni në lidhje me paratë e fituara nga aktiviteti kriminal. “Ne nuk pyesim për paratë e fituara në fillim, por ato para të fituara vendosini në punë të ndershme dhe jo në punë të pandershme. Ju duhet të ngulni këmbë te prindërit tuaj që ato para që fitojnë mos i shpenzojnë nëpër kazino. Janë hapur tri kazino në Lazarat. Ky është turp! Pse nuk blejnë një market, një dyqan, por blejnë makina 50-milionëshe. Për çfarë duhet makina kaq e shtrenjtë në këtë zonë?”, tha Dashamir Aliko, kryetar i Komunës Lazarat. Por, fjalët e kreut të Komunës Lazarat kanë ngjallur interesin e nxënësve, të cilët janë drejtuar me pyetje të ndryshme. “Nëse ju na thoni që t’i bindim prindërit që të mos kultivojnë më hashash, na siguroni dot që prindërit do na i mbani në punë. Kjo është mënyra e jetesës tonë”, tha një nxënëse. Në këto kushte, kreu i komunës është shprehur se nuk mundet që njeriu të pasurohet me punë të pandershme. “Pa punë nuk është vetëm Lazarati, janë shumica e shqiptarëve”, tha Aliko.

Nga ana tjetër, drejtori i policisë së qarkut ka kërkuar ndihmën e nxënësve në aksionin kundër kultivimit të drogës. Të rinjtë e këtij fshati mendojnë se nevoja ekonomike nxit kultivimin e hashashit. Veç kreut të policisë së Gjirokastrës, Haki Çako, në takim morën pjesë prefektja e qarkut, Zamira Rami, shefi i Komisariatit të Gjirokastrës, Alfred Çepe, dhe zëvendësdrejtoresha e Arsimit në Gjirokastër, Esmeralda Mekshi. Në takimin që zgjati rreth dy orë, u përcoll mesazhi se nxënësit e kësaj shkolle duhet të jenë promotori i ndryshimit të kahut të drejtimit. Nuk ka përgjegjësi kolektive, këtë duhet ta dijë çdo banor i kësaj komune. Kushdo që do kultivojë kanabis do ketë përgjegjësi individuale para ligjit”, tha drejtori i policisë, ndërkohë që gjatë takimit, nxënësve u shpërndanë fletëpalosje kundër drogës, duhanit dhe alkoolit, të prodhuara nga Drejtoria e Policisë së Gjirokastrës. Për dy shkollat e Komunës Lazarat, policia ka hartuar një plan të veçantë, për dhënie të orëve mësimore në mënyrë intensive në funksion të zbatimit të këtij programi, por edhe të sensibilizimit të nxënësve, si dhe të banorëve nëpërmjet nxënësve.