LEONARD BODURI
Metamorfoza e Metës
Sidomos pas marrjes së pozicionit të Kryetarit të Parlamentit janë forcuar zërat se Ilir Meta ka ndryshuar dhe këtë herë jo vetëm nga pamja e jashtme. Ashtu është! Madje metamorfoza e tij dhe suksesi i padiskutueshëm në politikë nuk u ka shpëtuar as “rapsodëve” që kanë filluar të thurin vargje dhe t’i këndojnë Ilirit. Në këto kushte, shpura e disa analistëve që janë kryesisht ose këshilltarë të kryeparlamentarit ose nga ata që mbajnë ofiqe të tjera me rëndësi, iu bashkuan vargjeve lëvdonjëse “të popullit”, duke e justifikuar suksesin e LSI-së dhe udhëheqësit të saj me qëndrimet parimore që z. Meta ka mbajtur gjatë gjithë karrierës së tij politike. Shqiptarët nuk shquhen për kujtesë të fortë sociale, por shumica e tyre duhet ta mbajnë mend mbledhjen e famshme të KPD-së socialiste, si pasqyrim i përplasjes së fortë për ndarjen e tortës së pushtetit midis Nanos dhe Metës, që përbën edhe pikënisjen e qëndrimeve “parimore” të z. Meta në karrierën e tij politike. Pas konfliktit të hapur për territor me z. Nano në xhunglën e krijuar brenda PS-së, Ilir Meta, i zhveshur nga postet ministrore, krijoi Lëvizjen Socialiste për Integrim, e cila për hir të së vërtetës dha ndihmesën e saj në hedhjen në greminë të një mazhorance që e kishte marrë të tatëpjetën. Në vitin 2008, para miratimit të ndryshimeve kushtetuese që cenonin vazhdimësinë parlamentare të forcës së tij, z. Meta, protektori i “Dushkut” të zgjedhjeve të 2001-shit, ndërmori një aksion të fortë politik dhe parimor, në favor të një sistemi elektoral të tipit proporcional kombëtar, duke hyrë në një grevë urie epike. Në vitin 2009, kur vetëm me katër deputetë mori tri poste ministrore, kohë në të cilën mjaftonte të hapte gojën për t’u vënë kushte të dy formacioneve të mëdha politike, çuditërisht e harroi betejën parimore për reformën elektorale proporcionale dhe nuk e zuri më në gojë. Së fundi, mbase edhe për arsye “simbolike”, zyrtarizoi marrëveshjen e “1 prillit” para zgjedhjeve të 23 qershorit, duke e zhveshur LSI-në nga të gjitha përgjegjësitë e bashkëqeverisjes “katërvjeçare pa tre muaj” dhe duke e veshur veten vetëm me “meritat” e largimit dhe braktisjes së “koalicionit të Saliut”. Në vijim të qëndrimeve të tij shembullore edhe në diskursin e kësaj legjislature vlen të veçohet mbështetja e plotë e LSI-së për ish të përndjekurit politikë dhe qëndrimi i hapur i z. Meta pro vlerësimit të figurës “legjendare” të Enver Hoxhës. Politikan më parimor nuk më kanë zënë sytë në tërë dynjanë! Ajo që nuk arrij të kuptoj është se ku dhe pse ka ndryshuar zoti Meta, kur paskësh qenë gjatë gjithë kohës model i politikëbërjes dhe “protektektonjës” i parimeve demokratike.
Qëndrimi ndaj reformës elektoralo-territoriale
Për sa i përket rolit moderator që mund të luante LSI-ja qoftë në frenimin e disa nismave antikushtetuese të rilindësve të vetëshpallur apo të uljes së gjakrave midis mazhorancës dhe opozitës, del edhe njëherë në pah roli kryekëput parimor i z. Meta. Kryeparlamentari ka “meritë” të padiskutueshme për polarizimin e politikës me anë të merkatos agresive që zhvilloi menjëherë, duke “blerë” dyshen sulmuese “Gjovalin Kadeli-Luan Duzha”, e cila i çoi numrat e mazhorancës në Parlament përtej numrit magjik 84. Me këtë lëvizje të nëndheshme, Meta i kompleksuar nga marrëveshja “Berisha-Rama” e vitit 2008, nuk i la asnjë shans opozitës të ruante në Parlament pakicën bllokuese kundër arrogancës së skajshme të rilindësve. Akti i “tolerancës” së Metës, duke aneksuar Kadelin dhe Duzhën në partinë e tij “të madhe”, çuditërisht nuk u shoqërua më pas me protestat e tipit “mjaftist” të udhëhequra nga Erjon Veliaj para shtëpisë së Kastriot Islamit me parullat “trafikant votash – tradhtar”. Në vazhdimësi të një linje të qartë pragmatiste, Ilir Meta jo vetëm që nuk luajti as gishtin për të ndalur aktet normative antikushtetuese të rilindësve, por ai ka qenë pjesë përbërëse e vendimmarrjes qoftë për supermakinerinë politike INUK, qoftë për shtyrjen e hyrjes në fuqi të ligjit për administratën publike. Ditët e grevës sfidonjëse të urisë në vitin 2008 nuk ndikuan aspak te parimet e Metës për të mbajtur një qëndrim për skandalin e “dietave” dymijëlekëshe për votimet lokale në Korçë. Habitshëm, tellallët e rilindjes dhe të Metës e kanë quajtur qysh në fillim reformën territoriale të zhveshur nga interesat elektorale. Kjo reformë, që parashikon edhe “fshirjen” e qarqeve dhe organizimin e vendit në 4 deri në 6 rajone, natyrshëm ka ndikim jo vetëm në llogaritë elektorale për zgjedhjet e afërta lokale, por gjithashtu edhe për zgjedhjet parlamentare të vitit 2017. Meta, me qëndrimin e tij të palëkundur, ka eliminuar me gjakftohtësi mundësitë për konsensus mes palëve dhe ka filluar të mbajë leksione për rrobat e reja të mbretit.
Paterica e patericës
Pas rezultatit tenistik 5 me 0 të ndeshjes META-DREJTËSI, profili i Metës ka filluar një proces “katarsisi” të vazhdueshëm. Ne nuk duhet të harrojmë se “akti i pafajësisë” nuk u dha se nuk u pa ujku, por se nuk u gjetën gjurmët, ose më saktë se gjurmët e ujkut ishin siguruar në mënyrë të paligjshme. Kryeparlamentari ynë, që i shpëtoi “gijotinës” së një drejtësie të shumëpërfolur edhe nga ai vetë, ka filluar të vetëlyhet dalëngadalë me ngjyra presidenciale të tipit “mbi palët”. Shumë herë LSI-ja është quajtur paterica e Berishës dhe më pas është quajtur paterica e Ramës. Tashmë termi patericë është zëvendësuar me parullën lëvdonjëse “kingmaker”. Mirëpo kush është paterica e patericës dhe cilat janë arsyet kryesore të një “pompimi” të tillë të Metës? Marrëveshja e “1 prillit” jo vetëm solli optimizëm në kampin LSI-st, por për shkak të skemës elektorale LSI-ja përfitoi edhe nga rreth 100 mijë vota të aleatëve të vegjël të koalicionit të majtë. Nëse Meta do të qëndronte jashtë një koalicioni, pozicioni i saj elektoral do të dobësohej shumë. Vetëm një marrëveshje e natyrës “Renzi-Berluskoni” midis Ramës dhe Bashës do ta linte Metën me gisht në gojë, por klima e konfliktualitetit të lartë midis PD-së dhe PS-së dhe profili “haxhi pishman” i Ramës e bën Metën që të flejë i qetë mbi dafina. Në këtë kuadër, ne do të vazhdojmë të udhëhiqemi nga pakicat e mazhorancave dhe të thurim lavde për udhëheqësit e pakicave. Ilir Meta ka ndryshuar vërtet dhe nuk ka më asnjë shkak të vërsulet kundër vazove të luleve të Parlamentit si Don Kishoti kundër mullinjve të erës, si atëherë kur si një “tolerant model” i shtyrë nga inati dhe qëllime aspak fisnike u vërsul kundër një zonje.