Këshilli Ekonomik Kombëtar, Rama vlerëson ekspertët e huaj. Marrëveshja me FMN-në, pozitive


rama me biznesinDy ditë pas miratimit në Kuvend të marrëveshjes së huas me Fondin Monetar Ndërkombëtar, qeveria shqiptare ka nisur negociatat me Bankën Botërore për nënshkrimin e dy marrëveshjeve të reja. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit Ekonomik Kombëtar, ministri i Ekonomisë, Arben Ahmetaj, prezantoi marrëveshjen e huas prej 100 milionë dollarësh për politikat zhvillimore. “Kjo është një hua, për modernizimin e sistemit financiar, ku krahas marrjes së një shume prej rreth 100 milionë dollarësh, qeveria shqiptare angazhohet të kryejë një sërë reformash të rëndësishme në sektorin financiar”, – deklaroi Ahmetaj.


Ndërsa Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij tha se situata ekonomike është optimiste, duke vënë theksin tek ajo që ai e cilësoi si pjesën më problematike të diskutimit me FMN-në, vendosja e tavaneve të të ardhurave që fillimisht u duk të ishte më ambicioze sesa duhet. “Por, deri tani, dhe posaçërisht me realizimin e muajit mars, kemi arsye që të jemi të kënaqur me performancën e administratës, sepse tavani ka qenë i vendosur realisht lart dhe muajt nuk kanë qenë të lehtë. Kemi 6-mujor me 6-mujor, 150 milionë dollarë më shumë”- u shpreh Rama, i cili vlerësoi praninë e ekspertëve të huaj për asistencën që kanë ofruar për qeverinë shqiptare. “Asistenca dhe bashkëpunimi me ta ka qenë një faktor tejet i rëndësishëm në procesin e negociimit dhe më pas në arritjen e këtyre marrëveshjeve të rëndësishme”, – tha ai.


Në mbledhjen e djeshme, ekspertë të njohur ndërkombëtarë në fushën e ekonomisë dhe financave, vlerësuan si një hap pozitiv përpara arritjen e marrëveshjes me FMN-në në garantimin e rritjes ekonomike të qëndrueshme. “Keni arritur në fakt një marrëveshje kaq të mirë, e cila kombinon nga njëra anë stabilizimin afatmesëm të borxhit që është i rëndësishëm dhe i nevojshëm. Dhe nga ana tjetër, mbrojtja sa më shumë që është e mundur brenda rrethanave, të rritjes ekonomike të vendit, e sidomos këtë vit që kemi pasur një ulje të rritjes ekonomike”, u shpreh Stephany Griffith-Jone, profesore në Universitetin e Columbias. Ndërsa, zëvendësambasadori i BE-së që ishte i pranishëm në këtë takim, gjithashtu tha se BE-ja mbështet huat nga institucionet financiare ndërkombëtare për qeverinë shqiptare. “Bashkimi Europian mbështet FMN-në, huat me FMN-në dhe me Bankën Botërore dhe në terma praktikë, po ashtu, ne japim mbështetje të drejtpërdrejtë për t’i komplementuar ato. Ne japim po ashtu, edhe mbështetje për auditin e jashtëm, për ta ndihmuar Shqipërinë që të trajtojë çështjen e borxheve të prapambetura, si pjesë e ndihmës që ne japin për shtetin e së drejtës dhe menaxhimin financiar”, – tha Clive Rumbold, drejtor i Seksionit Ekonomik në Delegacionin e BE-së në Shqipëri.