Ekonomia shqiptare ka një rritje të lehtë në tremujorin e katërt të vitit 2013, i cili në të njëjtën kohë cilësohet si viti më i vështirë në ekonominë shqiptare. Të dhënat bëhen me dije nga Instituti i Statistikave, sipas të cilit Prodhimi Kombëtar shënoi rritje në tre muajt e fundit të vitit, ndonëse me ritme minimale.
“Sipas treguesit të Vlerës së Shtuar Bruto (V.SH.B) ekonomia në tremujorin e katërt të vitit 2013 vlerësohet me rritje prej 1.10% kundrejt tremujorit të katërt të vitit 2012. Ndikim në këtë rritje kanë dhënë degët e ekonomisë si Tregti Hotele dhe Restorante, Ndërtim, Industri dhe Posta dhe Komunikacioni. Degët kryesore të ekonomisë për tremujorin e katërt të vitit 2013 krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2012 shfaqen si më poshtë:
Aktiviteti bujqësor në tremujorin e katërt të vitit 2013 krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë pati rritje prej 1.23%. Grupi i industrive u rrit me 7.18% në tremujorin e katërt të vitit 2013 krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2012. Aktiviteti i ndërtimit në tremujorin e katërt të vitit 2013 pati rritje prej 3.66% krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2012. Grupi i degëve Tregti, Hotele dhe Restorante pati një rritje prej 3,12% në tremujorin e katërt të vitit 2013”, tha Gjergj Filipi, drejtor i përgjithshëm i Institutit të Statistikave.
“Me vlerësimin e tremujorit të katërt, INSTAT jep një vlerësim paraprak për vitin 2013 i cili mbështetur në treguesin e Vlerës së Shtuar Bruto (V.SH.B) tremujore pati rritje prej 0.44% krahasuar me vitin 2012”, thuhet më tej në deklaratën e INSTAT.
7 prill 2014 (gazeta-Shqip.com)