Raporti
Rritja për 2014 parashikohet 2,1%, për 2015, 3,3%. Rimëkëmbje në shkallë globale
Fondi Monetar Ndërkombëtare ka publikuar dje raportin e ri për pasqyrën ekonomike globale “Rimëkëmbja fuqizohet, por dobësitë mbeten”.
Sipas raportit, rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto të Shqipërisë në vitin 2014 do të gjallërohet në 2.1%, pas një zgjerimi prej vetëm 0.7% në 2013.
Ekonomia shqiptare pritet të gjallërohet në 2015-n, me një rritje prej 3.3%, parashikon raporti.
Gjithsesi, performanca e ekonomisë vendase, që në 2013-n kaloi vitin e saj më të keq në një dekadë, pritet të mbetet poshtë nivelit të lartë prej gati 8% që u arrit në 2008-n. Sipas raportit të FMN-së, në vitin 2019, rritja ekonomike e Shqipërisë parashikohet të jetë 4.7%.
Në 2013-n, Shqipëria u rrit shumë më pak se mesatarja e Europës në zhvillim prej 2.8%. Nga vendet e rajonit, në 2013-n, Shqipëria ka shënuar rritjen më të ulët në rajon, me përjashtim të Kroacisë, që u tkurr me 1.1%.
Vetëm në afatin e gjatë pritet që vendi ynë të zgjerohet më shpejt se mesatarja e Europës në zhvillim.
Raporti i prillit i Fondit Monetar Ndërkombëtare parashikon që rritja globale të jetë 3.6% këtë vit dhe 3.9% vitin e ardhshëm, nga 3% vitin e kaluar. “Rimëkëmbja që filloi të shfaqet në tetor, po bëhet jo vetëm më e fortë, por edhe më e gjerë”, tha në një konferencë për shtyp në Uashington Olivier Blanchard, këshilltari ekonomik i FMN-së dhe drejtor i Departamentit të Kërkimeve. “Pengesat e ndryshme që dëmtuan rritjen po zvogëlohen gradualisht. Konsolidimi fiskal po ngadalësohet dhe investitorët janë më pak të shqetësuar rreth qëndrueshmërisë së borxhit. Bankat po bëhen gradualisht më të forta. Megjithëse jemi larg një rimëkëmbjeje të plotë, normalizimi i politikës monetare, është tani në axhendë”, tha z. Blanchard.
Duke folur për zonën euro, ai tha se lajmi i mirë është se për herë të parë në dy vite, shtetet periferike jugore parashikohen të jenë pozitive, megjithëse duhet pranuar se rritja është e ulët. “Por, ndërsa eksportet e tyre janë në përgjithësi të forta, kërkesa e brendshme është ende e dobët dhe ajo duhet të bëhet e fortë në mënyrë që rritja të jetë e qëndrueshme”.
Raporti thekson se megjithëse rreziqet imediate janë ulur, ato nuk janë zhdukur. Rregullimi dhe rimëkëmbja në shtetet e Europës jugore nuk mund të merret e mirëqenë, veçanërisht nëse inflacioni në zonën e gjerë të euros do të mbetet i ulët ose në më të keqen kthehet në deflacion, duke e bërë detyrën e rikthimit të konkurrueshmërisë në Jug edhe më të vështirë. Reforma financiare nuk është e plotë dhe sistemi financiar mbetet në rrezik. Rreziqet gjeopolitike janë rritur, megjithëse ato nuk kanë pasur ende pasoja makroekonomike globale.