BESMIRA MANAJ


Një spikatje e quajtur arritje e qeverisë së fundmi ishte marrëveshja me FMN-në, organizmi që u jep frymëmarrje vendeve me probleme dhe ndeshen me vështirësinë e kapërcimit dhe rritjes.


Por si u prit kjo nga palët e tjera dhe a ka besueshmëri në zbatimin e kushteve që FMN-ja i vuri qeverisë shqiptare?


Meqenëse debati politik ka një prirje moskonsensuale, është logjike të diskutojmë jashtë pasioneve politike dhe mund ta analizojmë më konkretisht situatën tonë. Shqipëria asnjëherë nuk u përfshi në një krizë të mirëfilltë financiare.


Sigurisht ka pasur influencën e saj politika monetare e Bankës së Shqipërisë, pasi një politikë e gabuar monetare shtrembëron sinjalet e tregut të lirë, rrjedhimisht sjell përdorim të gabuar të kapitalit dhe keqmenaxhim të tij.


Mund të themi që Shqipëria pati avantazhin e moskartelizimit të sistemit bankar nga aparati shtetëror për sa i përket koordinimit të normës interesit.


Gjithashtu, distanca nga kriza erdhi edhe për shkak të riinvestimeve të fitimeve, dhe jo nga kreditë bankare.


Por edhe shmangia ka një tendencë margjinalizuese, e cila nxjerr në skenë pafuqinë e suksesit të ekonomisë.


Performanca e dobët e ekonomisë dhe financave shqiptare, demotivimi i biznesit, borxhi i lartë publik janë shpresë e vakët për një rritje ekonomike, aq sa deklarimet dhe programet për rimëkëmbje dukeshin utopi dhe thjesht iluzion.


Në të tilla kushte, që frymëmarrja të fillojë minimalisht, duhej një tentativë e qeverisë për mbështetje financiare. Alternativa më solide dukej FMN-ja. Por, në këtë zhytje të ekonomisë, si i besoi ky makroorganizëm një mikrozhvillimi dhe sa skeptike shprehen dozat pesimiste për këtë nismë?


Sigurisht FMN-ja nuk mund të jetë kaq naive sa në menaxhimin e fondeve të saj i besoi vullnetit për rimëkëmbje. Rrjedha e thjeshtë logjike na thotë se pas çdo rënie të ciklit të ekonomisë, vjen rritja. FMN-ja, krejt objektive në gjykimin e saj dhe në kushtet e vëna, nuk mund të kishte arbitraritet në vullnetin e saj. Ruajtja e stabilitetit, menaxhimi i pagesave, skema e pensioneve apo ndonjë rritje e mundshme taksash duken të vështira dhe impaktojnë pesimizëm në mendësinë e mosnjohësve apo përpjekësve të djallëzuar për të sfiduar vullnetet qëllimmira.


Krejt e arsyeshme ishte, por vendosjen e ca kushteve që shërbejnë si garanci, dhe po të dalim jashtë dimensionit politik do ta vlerësoja si masë disiplinore që shteti mund t’ua vërë politikave menaxhuese.


E dukshme prirja opozitare për t’iu shmangur bashkëpunimit… Por mendoj se të gjithë ekspertët profesionistë do të ishin kuriozë pa emotivitet politik do të pyesnin se si këta kundërshtues do i jepnin frymë biznesit që po ngadalësonin dhe punën e bankave, do të rrisnin papunësinë, për shkak të shtrëngimeve të imponuara, rrjedhimisht do i afroheshim kolapsit të pashmangshëm dhe eurizimi do të mbetej vetëm iluzion teorik.


Diametri i problematikave ekonomike do të kapërcente në rrethin social, i cili do të induktonte sjellje ekonomike të shthurura, drejtësi problematike (siç në fakt është). Kaosi politik degradon në paaftësi për konsensus, fenomen që vështirëson reformimin. Mangësira të importuara nga e shkuara, por me keqardhje mund të pohojmë që shumëfishohen në aspekte të caktuara, duke reflektuar kulturë të vogël dhe dialogu, egocentrizëm të dyanshëm të protagonistëve. Por e gjitha fillon nga dialogu integralisht rritës, që shërben si themel i reformimit, i cili pasohet me konkretizime. Ndaj duhet t’i jemi mirënjohës fort FMN-së, jo vetëm për mundësinë e daljes nga humnera ekonomike, por dhe për imponimin e disiplinës së munguar ekonomike, pasi për fatin e keq vetë nuk po arrijmë të vetëdisiplinohemi.


Por të shpresojmë që të mos jetë vetëm fillim i mbarë, por vazhdimësi përpjekjesh të organizuara në disiplinë llogaridhënie jo vetëm ndaj FMN-së, por edhe ndaj popullit shpresë dhe ndaj politikës shembull dhe shans për integrim.