Kulturë Diferenca

Diferenca

760
SHPËRNDAJE

Një rikthim mes tablosh në Shqipërinë komuniste. Artisti i ri, Enkelejd Zonja, frymëzohet nga e shkuara për të treguar të tashmen. Një rrëfim për artin bashkëkohor sot…

Edhe konceptimi i ekspozitës ka marrë shkas nga kjo tablo dhe mbështetet në nostalgjinë dhe kontradiktën midis botëkuptimit dhe mentalitetit tim, të një të riu që ka lindur në atë kohë, pra në atë botën tjetër dhe që i është dhënë mundësia të udhëtojë nëpër botën perëndimore, të jetojë, të ndiejë diferencën dhe të kuptojë deri diku mentalitetin dhe këndvështrimin e familjes, të tim ati kryesisht.

Askush nuk mund t’i shmanget së shkuarës. Ajo është gjithmonë aty, në formën e kujtimeve apo aromave që të ngacmojnë, duke të kujtuar se e tashmja nuk është gjë tjetër veçse një formë e asaj që ka ndodhur dikur… Enkelejd Zonja i përket një brezi të ri artistësh të artit bashkëkohor në Shqipëri, që përmes punëve të tyre po sjellin një frymë tjetër në pikturë. Një frymë që, pavarësisht të resë, nuk mund ta shmangë të shkuarën. Këtë tregojnë dhe tablotë e ekspozuara në ekspozitën e tij personale të hapur në galerinë “Zeta”, “Vizitë në plagë”. Shalli i kuq dhe personazhe të njohura të realizmit socialist, mes tyre dhe ish-udhëheqësi Enver Hoxha, të çojnë pas në kohë. Kjo është ekspozita e tij e parë në Tiranë, pas një përvoje jashtë Shqipërisë. Ai kthehet në vendin e tij dhe kërkon të tregojë sërish të shkuarën, të hedhë vështrimin pas, si për të rrëfyer se diçka vazhdon të ngacmojë sërish të tashmen prej saj. Një vit më parë, Zonja u vlerësua me çmimin “Live Art 2013”, me veprën “Kabareja e shallit të kuq”, pjesë e një serie pikturash, të cilat kanë si motiv nostalgjinë për shallin e dikurshëm të pionierit që mbahej si uniformë në shkollë. Më poshtë, Enkelejdi vjen në një bisedë mbi ekspozitën dhe artin bashkëkohor sot në vend…

“Vizitë në plagë”. Le ta nisim bisedën nga kjo tablo…?

Tabloja “Vizitë në Plagë” është realizuar pothuajse dy vite më parë. Në fakt, lindi fare rastësisht nga një minikatalog që më është dhuruar në atë kohë me punët e piktorit të viteve 1600, Caravaggio, por edhe nga një diskutim mes meje dhe tim ati, për të kaluarën e tij. Pra, ngacmimi vjen si një lloj kujtese e tim ati për rininë, për jetën e tij në rini, e sidomos për nostalgjinë e tij për liderin e asaj kohe, por edhe si një zhvendosje dhe hulumtim në blloqet e kujtimeve të fëmijërisë sime në sistemin komunist. Edhe konceptimi i ekspozitës ka marrë shkas nga kjo tablo dhe mbështetet në nostalgjinë dhe kontradiktën midis botëkuptimit dhe mentalitetit tim, të një të riu që ka lindur në atë kohë, pra në atë botën tjetër dhe që i është dhënë mundësia të udhëtojë nëpër botën perëndimore, të jetojë, të ndiejë diferencën dhe të kuptojë deri diku mentalitetin dhe këndvështrimin e familjes, të tim ati kryesisht. Ndoshta kjo lloj kontradikte provokoi idenë e pikturimit të dorës nëpër plagë. Ekspozita në vetvete, edhe pse përmban katër punë, pra dy piktura dhe dy instalacione, është menduar si një punë e vetme.

Çfarë është plaga?

Nisur nga referenca e pikturës me tematikë biblike, nga e cila u provokova, siç duket qartë në tablo është një hapje horizontale që eksplorohet nga një gisht i drejtuar prej një mendjeje kurioze dhe mosbesuese. Se di. Ndoshta vendin ku duhet të ndiejmë shkojmë dhe e prekim. Ndonjëherë për kuriozitet, ndonjëherë për mall dhe jo rrallë si pa dashje për lëndim.

Një artist i ri, që tregon në punët e tij elemente të së shkuarës. Çfarë është e shkuara për ju?

Siç edhe thuhet gjithmonë, nostalgjia krijon ndjesi të mira. Në këtë rast qasja ime dhe e tim ati me të shkuarën ka qenë si një kujtim i bukur. Për mua personalisht ishte një ndjesi rreth një të kaluare me shumë aventura fëmijërore dhe momente të lumtura gjithashtu. Me ditët dhe çastet e kaluara në rrethinat e një fshati të vogël ku jam rritur deri në moshën 10-vjeçare dhe nga i cili ruaj lloj-lloj kujtimesh. Edhe në këtë rast, pikturimi i këtyre dy tablove, që janë pjesë e një cikli dyvjeçar, ishte jo vetëm një gërmim rreth së shkuarës sime dhe familjes, por edhe një reflektim rreth së tashmes. Mendoj se e shkuara, jo vetëm e imja dhe e tim ati, është edhe e tashmja në një farë mënyre. Ne mbështetemi, jetojmë me të, dhe në mënyrë apo në një tjetër e trashëgojmë atë. Kështu që rrënjët dhe hija e së shkuarës sonë me të mirat dhe të këqijat e saj, që reflektohet dukshëm në punët e ekspozuara, nuk është shumë e vështirë për t’u parë dhe ndier brenda realitetit aktual.

Si e shihni artin bashkëkohor që bëhet në Shqipëri?

Mendoj se edhe pse skena dhe sistemi i artit në Shqipëri është akoma në fazë formimi, ka pasur disa aktivitete të mira. Për mua si përqasje është pothuajse në koherencë të plotë me artin bashkëkohor që ndodh sot në botë. Do të thosha se është një grup artistësh që jetojnë dhe punojnë brenda vendit dhe që janë aktivë, kanë prezantuar krijimet e tyre me shumë kualitet, por edhe të tjerë që jetojnë jashtë, të cilët kanë qenë shpesh prezentë brenda skenës shqiptare, duke ndarë jo vetëm kërkimet dhe eksperiencat e tyre, por edhe kulturat e ndryshme të cilat kanë marrë. Pra, edhe këto lëvizje them se janë të shëndetshme për t’u dhënë një dinamikë tjetër aktiviteteve dhe skenës së artit vizual brenda vendit.

Çfarë i mungon skenës së artit bashkëkohor, artistëve të rinj?

Siç edhe e përmenda pak më lart, ajo që është më e rëndësishme, është ndërtimi i sistemit të artit. Problemi fillon që nga interesi i vetë artistit për të qenë kërkues dhe pjesëmarrës, energjia dhe bashkëpunimi mes tyre dhe pastaj me radhë, me kuratorin, muzetë, galeritë private, koleksionistët, kritika, botimet, shkollat e artit, rezidencat apo platforma që krijojnë kushte të favorshme për kërkim dhe krijim etj. Gjithashtu, edhe interesi nga institucionet shtetërore apo dhe bizneset private, për të mbështetur projektet e ndryshme kulturore, talentet e reja, brezin e artistëve emergjentë dhe skenën e artit në tërësi. Edhe pse ka lëvizje për t’u vlerësuar, sërish mendoj se ka mangësi që sigurisht kërkojnë kohën e vet, për të marrë jetë në një realitet si ky i yni.

Çfarë është për ju një vepër e bukur?

Sigurisht që është pak subjektive vlerësimi ndaj një vepre arti. Thuhet se ka dy shkolla mendimi, si për atë që është e mirë dhe e keqe. Disa besojnë se të mira dhe të këqija janë dallime personale dhe varen tërësisht në syrin e shikuesit. Të tjerë besojnë se ka art të mirë dhe art të keq dhe askush nuk mund t’u tregojë atyre ndryshe. Gjithsesi, personalisht mendoj se një vepër e mirë arti duhet të karakterizohet nga origjinaliteti, pakohësia, përfaqësimi i kohës kur është krijuar, pasion, një kornizë referimi, freski, përmbajtja intelektuale, diçka që ju sfidon dhe pastaj ju bën të mendoni për atë ditë më vonë, të jetë unike e identifikueshme si punë e atij artisti të veçantë. Them se një vepër me kualitet, që t’i rezistojë kohës, duhet të përmbajë sa më shumë të jetë e mundur nga këto karakteristika. Gjithashtu, mendoj se duhet të ketë magji dhe në qoftë se i dedikohesh fort, magjia mund të fluturojë larg. Artisti mendoj se duhet të ketë një vizion dhe është e rëndësishme që puna të mos shkojë në qorrsokak. Kjo është e dobishme, në qoftë se artisti ka kapacitet për të zbuluar krijimtarinë e tij përmes aftësive të ndryshme dhe mediumeve.