I premtohet industrisë së fasonit mosndryshimi i pagës minimale dhe mendimi i VKM-së së 2013-s


Zamir Alushi 


FasonetQeveria ngrin për katër vitet e ardhshme rritjen e pagave dhe bën marrëveshje në kurriz të 150 mijë punëtorëve të industrisë së fasonit. Ky kusht i FMN-së, i papranuar zyrtarisht nga autoritetet, duket se do të zbatohet fillimisht për pagat minimale të punonjësve të këtij sektori. Mësohet se, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë (MMSR), si pjesë e iniciativës për hartimin e paketës lehtësuese, u ka premtuar përfaqësuesve të këtij biznesi ndryshimin e vendimit që mori qeveria “Berisha” në fund të mandatit të saj për rritjen e pagës minimale. Sipas premtimit, “MMSR do të amendojë VKM Nr. 573, datë 3.7.2013 ‘Për përcaktimin e pagës minimale në shkallë vendi’”. Kjo është fiksuar në matricën me titull ‘Propozime në proces zgjidhje për Paketën Lehtësuese për Industrinë e Fasonit”, të cilën gazeta “Shqip” e disponon. Zv.ministrja e MMSR, Gentiana Sulo, e pyetur për këtë pikë të matricës, nuk bëri koment, ndërsa zyra e shtypit e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik njoftoi se “mundet të ketë keqformulim të kësaj pike”, por nuk e përcaktoi nëse ishte fjala për propozimin apo për premtimin.


Kërkesa e fasonistëve


Në pikën 3 të paketës, në krahun e propozimeve shkruhet kërkesa: “Ngrirja e pagës minimale për një periudhë të paktën katërvjeçare, si një nga faktorët që ndikon edhe në rritjen e konkurreshmërisë në rajon e më gjerë dhe që ka të bëjë me një shpenzim që llogaritet në rreth 80% të shpenzimeve të përgjithshme të kompanive tona”. Më tej saktësohet baza ligjore që duhet ndryshuar sipas fasonistëve. Bëhet fjalë për VKM Nr. 573, datë 3.7.2013, “Për përcaktimin e pagës minimale në shkallë vendi”, pika 1,                                                     “Paga bazë minimale mujore për punonjësit, në shkallë vendi, që është e detyrueshme të zbatohet nga çdo person, juridik a fizik, vendas ose i huaj, të jetë 22 000 (njëzet e dy mijë) lekë”. Ky vendim pati qëndresë të ashpër edhe para një viti, në dy mbledhje të Ministrisë së Punës, në atë të Komisionit të Pagave dhe Pensioneve dhe në Këshillin Kombëtar të Punës. Ministri Ksera e përcolli këtë situatë edhe në relacionin përkatës që shoqëronte vendimin e qeverisë.


 


Krahasimi me rajonin


Sipas Eurostatit, i cituar nga “Open Data”, krahasuar me vendet e rajonit, vendi ynë renditet i fundit pas Kosovës. Shteti më i ri i Ballkanit aplikon një pagë të veçantë minimale, sipas moshës së të punësuarit. Nën moshën 35 vjeç, paga minimale është 130 euro/muaj, ndërsa për moshën 35-65 vjeç paga minimale është 170 euro/muaj. Dallim tjetër bën Maqedonia, ku paga minimale vendoset sipas sektorit të punësimit, ku paga minimale më e ulët është 178 euro/muaj.


Opsionet


Ngrirja apo heqja e pagës minimale, sipas burimeve nga grupi negociator qeveri-fason, parashikon disa opsione, por akoma nuk është zgjedhur një prej tyre. Ato janë: a)Heqja e pagës minimale kombëtare dhe zëvendësimi i saj me pagën minimale sipas sektorëve, të negociuar midis punëdhënësve dhe punëmarrësve; b)Ngrirja për një periudhë tre-katërvjeçare e aplikimit të pagës minimale, në mos në gjithë ekonominë të paktën në disa sektorë kritikë, të cilët gjenerojnë vende pune (fasoni, agrobiznesi, industria tekstile etj.); c)Aplikimi i shkallëzuar i pagave minimale vetëm për grupmoshat e reja; d)Decentralizimi dhe diferencimi i pagës minimale sipas territorit dhe nivelit të varfërisë në kontekstet rajonale. E thënë me fjalë të tjera, punonjësit e rretheve të varfra si Tropoja, Kukësi, Malësia e Madhe, Librazhdi do të kenë pagë minimale më të vogël se sa Tirana apo qendra e tjera të mëdha urbane.


 


Vendimi 753


Me propozimin e ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta dhe ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave vendosi:


Pika 1 – Paga bazë minimale mujore për punonjësit, në shkallë vendi, që është e detyrueshme të zbatohet nga çdo person, juridik a fizik, vendas ose i huaj, të jetë 22 000 lekë.


Pika 2 – Paga bazë minimale mujore jepet për 174 orë pune në muaj të kryera gjatë kohës normale të punës; Pika 3. Paga bazë minimale orare të jetë 127 lekë.


Pika 4 – Shtesat me karakter të përhershëm jepen mbi pagën bazë. Pika 5. Vendimi nr. 445, datë 11.7.2012, i KM, shfuqizohet; Pika 6. Ky vendim i shtrin efektet financiare nga data 1 korrik 2013.


[callout]Paketa


Pika të tjera të panjohura të paketës lehtësuese 


Substancat e rrezikshme, ndryshim në dëm të shëndetit


Arben AhmetajPaketa lehtësuese ndaj industrisë së fasonit ka edhe disa pika të tjera që rrezikojnë përkeqësimin e trajtimit të punonjësve. Kështu, biznesi fason kërkon që “Raportet mjekësore për të punësuarit të shkojnë një herë në dy vjet (nga një herë në gjashtë muaj që është tani). Bëhet fjalë për disa vendime për mbrojtjen e shëndetit të punonjësve, por sidomos për njërin, “Për përcaktimin e substancave të rrezikshme”. Premtimi i MMRS është rishikimi i Rregullores në zbatim të vendimit të qeverisë “Për përcaktimin e substancave të rrezikshme”. Duket se dëshira për të arritur një rezultat të shpejtë në shifrat e punësimeve të reja, e ka çuar ministrinë në pranimin e një kërkese që nuk lidhet fare me krijimin e klimës së mirë ndaj biznesit, as të krijimit të fronteve të punës.


 


Taksa e pasurisë – Një premtim tjetër lidhet me taksën e pasurisë. Ministria e Financave u ka premtuar fasonistëve se do të rishikojë gjatë vitit 2014 tërësisht sistemin e taksimit të pasurisë, duke filluar nga krijimi i instrumenteve të miradministrimit të kësaj takse deri në ndryshimin e modelit të taksimit, nga lekë/m² në përqindje ndaj vlerës së tregut. Në draftimin e dispozitat ligjore, MF do të mbajë në konsideratë edhe kërkesën e fasonistëve.


Përfaqësim politik – Duket se fasonistët kërkojnë garanci në mbajtjen e premtimeve prandaj kanë bërë edhe një kërkesë për “përfaqësim politik të industrisë së lehtë dhe ushqimore në nivel ministrie.Do të shihet mundësia që një përfaqësues i industrisë së fasonit të bëhet anëtar i KEK”, ka premtuar Ministria e Zhvillimit Ekonomik.[/callout]