Historia e Romino Vellkut 21 vjeç, i cili ka shkuar në Luka në moshën 3-vjeçare


ronnyHistoria e një 21-vjeçari shqiptar është kthyer në çështje në Itali, pasi ai rrezikon të deportohet në vendlindje, që e ka lënë në moshën 3-vjeçare. Megjithëse ndodhet në qytetin e Lukas në Itali prej 18 vitesh, Romino Vellku rrezikon të deportohet. Çështja e tij do të shkojë deri në Parlament, ku do të diskutohet ky vendim. Mediat italiane i kanë kushtuar vëmendje këtij rasti, duke pohuar se “një toskan është mbyllur në qendrat e riatdhesimit”. Ai i kalon ditët bashkë me emigrantët në pritje të largimit përfundimtar nga Italia. “Edhe ai duhet të lërë italianë për t’u kthyer në Shqipëri. Është toka e tij e lindjes. Një tokë e panjohur, pasi ai jeton në Luka qëkur ka qenë 3 vjeç. Roni sot është 21 vjeç. Flet në dialektin toskan dhe në Shqipëri nuk ka miq dhe të afërm, madje nuk ka as edhe shtëpi. Prindërit e tij jetojnë në Luka, gjyshërit e tij jetojnë në Luka, të gjithë të rregullt. Miqtë e tij janë toskanë, vëllai i tij ka lindur në Itali, ashtu si edhe e fejuara. Prej një muaji qëndron i mbyllur në një qendër në Bari. Lutet dhe vuan, por është i pashpresë. Ai nuk do të kthehet në Shqipëri. Nuk do ta lërë Toskanën. Avokatët dhe familjarët po luftojnë bashkë me të, por për ligjin italian, Roni është një klandestin dhe ai duhet të largohet. Njësoj si të gjithë shokët e tij të qelisë”, shkruajnë mediat italiane.


Historia e Ronit


Historia e Romino Vellkut, i thirrur Roni nga shokët, është treguar nga të afërmit e tij. Por është një histori jo e izoluar, ku ligji ka shumë distancë nga faktet reale. Gjithçka ka filluar marsin e kaluar, kur i riu është paraqitur para karabinierëve për të rinovuar lejen e qëndrimit. Gjërat nuk kanë shkuar si ai kishte menduar. Në vend të rinovimit të lejes së qëndrimit, atij i është dhënë dekreti i largimit. Kjo, si pasojë e krimeve që kishte kryer në adoleshencë, më parë një plagosje dhe më pas një vjedhje. Ky ishte motivi që leja e tij e qëndrimit nuk duhej rinovuar. Ai është cilësuar nga karabinierët e qytetit të Lukas si i rrezikshëm dhe Roni është transferuar menjëherë në Bari, në bordin e një avioni.


“Është e vërtetë që kam qenë një kriminel, por i kam shlyer dënimet me dy vite heqje lirie dhe tashmë jam i pastër. Nëse më dërgojnë në Shqipëri, më çojnë në një vend të huaj. Unë jam italian”, thotë ai për mediat italiane.


Apelimi


Avokatja e Ronit, Tiziana Sangiovanni, ka paraqitur një apel për vendimin e karabinierëve, ndërsa ka kundërshtuar edhe nenin 5 të ligjit 286/98: “Dekreti thotë se deportimi duhet të marrë parasysh edhe lidhjet familjare dhe territoriale të emigrantit. Çështja e Ronit është e qartë, pasi Italia ka qenë vendi i tij që kur ka qenë tre vjeç. Çështje të ngjashme janë zgjidhur përherë me qëndrimin e emigrantit në Itali, dhe shpresojmë të jetë edhe kësaj here”.


Vendimi i gjykatës mund të marrë parasysh edhe vështirësitë në adoleshencë të Ronit. Ai ka pasur prindër të divorcuar dhe në rini ka jetuar për shumë kohë larg të ëmës, që u transferua në Suedi me shokun e saj, ndërsa ka jetuar edhe larg të atit, që u transferua në Gjermani. Roni mund të kishte marrë edhe nënshtetësinë italiane, pasi është rezident mbi 10 vjet, por e kaluara e tij penale dhe ndarja nga prindërit i kanë shkaktuar shumë probleme.


Çështja në Parlament


Çështja e Ronit do të mbërrijë edhe në Parlament javën e ardhshme, kur deputeti i PD, Federico Gelli, do të paraqesë një kërkesë parlamentare. “Deportimi i këtij djali në Shqipëri do të ishte një fakt absurd, pasi ai jeton në Toskanë që kur ka qenë tre vjeç dhe nuk e njeh vendin e tij të lindjes. E kuptoj që është një ligj, por në të tilla kishte duhet të merret parasysh aspekti human që fshihet pas kësaj çështjeje të komplikuar. Roni është italian. Do t’u paraqes një kërkesë ministrave kompetentë dhe nëse do të jetë nevoja, do të informoj drejtpërdrejt Kryeministrin Mateo Renzi”, ka thënë Gelli. Kjo çështje është diskutuar edhe në qytetin e Lukas, ku ka jetuar dhe jeton aktualisht Roni. “Është dyfish paradoksale, thotë presidenti i CNV dhe deputeti i PD, Edoardo Patriarca. Së pari, është e padrejtë që një person toskan të deportohet drejt një vendi të panjohur. Së dyti, për sistemin CIE, vende më të këqija se burgjet, që vënë në dyshim civilitetin e vendit tonë”.