Rimbursimi i TVSH-së, Financat ftojnë subjektet të tërheqin paratë 


tatimetShumë kompani që shteti u detyrohet shlyerjen e TVSH-së së prapambetur, nuk bëjnë tërheqjen e shumave pranë Thesarit. Financat, të ndodhura para këtij fenomeni që nuk e kishin e parashikuar, po bëjnë njoftimin e firmave që nuk janë paraqitur. “U bëjmë thirrje subjekteve që të njihen me listën e detyrimeve të hedhura në Thesar dhe të procedojnë me pagesën në institucionet përkatëse”, thuhet në njoftimin e Financave. Deri në mbyllje të muajit prill, Ministria e Financave ka zhbllokuar rreth 160 milionë dollarë detyrime të prapambetura në sektorët e investimeve publike, rimbursimit të TVSH-së dhe atij energjetik. Në muajin mars 2014, sapo qeveria shqiptare miratoi strategjinë e shlyerjes së detyrimeve të prapambetura ndaj biznesit dhe individëve, Ministria e Financave publikoi listën me subjektet dhe faturat për likuidim.


Në lidhje me rimbursimin e TVSH-së, ministria ka shpallur listën e subjekteve për detyrime që i takojnë periudhës deri më 31 dhjetor 2013, me vlerë rreth 85 milionë dollarë. Pra, nëse për likuidimin e borxhit ndaj firmave private tek investimet publike ministria është duke proceduar për vitet 2010-2011, te rimbursimi i TVSH-së ka avancuar duke mbyllur kështu 2013-n (pas rakordimit me Drejtorinë e Tatimeve në lidhje me detyrimet që ka biznesi). “Nëse llogarisim edhe detyrimet e paguara në dhjetor 2013, në total fatura e borxheve të vjetra të shlyera deri më tani arrin gati në 200 milionë dollarë. Për vitin 2014, është parashikuar në buxhet të shlyhen rreth 350 milionë dollarë fatura të prapambetura”, informon Ministria e Financave.


Tabelat paraqesin të listuara kompanitë me detyrimet në fushën e investimeve dhe të rimbursimit të TVSH-së, të cilave u janë çelur fondet në Thesar nga Ministria e Financave. “Publikimi i tabelave me kompanitë, datën e faturës, datën e krijimit të pagesës, institucioni me të cilin ka lidhur kontratë, shumat etj., që nga dita e parë e nisjes së procesit bëhet në kuadër të transparencës së plotë, për t’i njohur me ecurinë e pagesës”, njoftojnë Financat.


Shkarkoni: Lista_e_kompanive_qe_do_te_rimbursohen_2014 (PDF)