Extra Big Brother Dashuri dhe ndarje në “Big Brother”/ Lori ndahet nga Visari, ndërsa Meridiani...

Dashuri dhe ndarje në “Big Brother”/ Lori ndahet nga Visari, ndërsa Meridiani thotë se tërheqja ndaj Jonës ishte thjesht lojë

1659
SHPËRNDAJE

Dashuri, ndarje dhe keqkuptime… kanë shoqëruar orët e mbrëmshme të spektaklit “Big Brother Albania” në ekranin e “Top Channel”. Vëllai i Madh ka bërë të njohur lidhjet e fshehta të krijuara brenda shtëpisë, për banorët e tjerë. Në një atmosferë romantike, në një tryezë ku ndodheshin dy gota verë, dy çiftet e “Big Brother” kanë ndenjur disa minuta me njëri-tjetrin. Juliana dhe Arditi janë shprehur se ndihen mirë me lidhjen e krijuar dhe se nuk do të donin që banorët e tjerë ta mësonin të vërtetën dhe për pak kohë. Por ishte shumë vonë, pasi në ekran banorët ishin duke parë komunikimin që ata kishin me Arbanën për lidhjen e krijuar. Juliana tha se banorët do të ndihen keq, sidomos Jona. Por kjo e fundit, e pyetur nga Arbana, u shpreh se u uronte shumë dashuri. Nevila tha se i pëlqente shumë çifti, sidomos kur pajtohen pas zënkave. Mikela u shpreh se kishte dyshuar se ata mund të ishin një çift, kurse Enkelejdi tregoi se e kishte kuptuar ndjenjën e tyre, pasi Juliana mundohej ta bënte xheloz Arditin. Valeri tha se i kishte para duke u puthur, por Juliana shpjegoi se lidhja e tyre kishte ndodhur më vonë. Ndërsa Arditi dhe Juliana shpjegonin ndjenjat e tyre, në dhomën tjetër një tjetër histori dashurie po merrte fund. Lori dhe Visari nuk e hapën shishen e verës, pasi Lori vendosi të bënte publik një vendim të sajin. Ajo tha se pas disa kontradiktave që kishte me Visarin, nuk donte ta vazhdonte më lidhjen. Por pas komunikimit që Arbana pati me ta, mbi arsyet e ndarjes, Lori tha se një nga arsyet ishte dhe fakti që Visari kishte një lidhje të ngushtë dhe me vajzat e tjera brenda shtëpisë, çka e bënte xheloze në marrëdhënie. “Lori bëri shou dhe ka luajtur bukur”, tha Visari pasi dolën nga dhoma. Por Lori u shpreh se Visari po viktimizohet, dhe se nuk mund të ishin më bashkë. Jona dhe Meridiani kanë qenë protagonistë të mbrëmjes së djeshme. Gjatë gjithë javës u pa një afrimitet i Meridianit ndaj Jonës, aq sa kjo e fundit priste nga momenti në moment që ai t’i shprehte ndjenjat. Por, ndërsa Jona priste edhe dje gjatë spektaklit se mos Meridiani do të shprehte diçka, i pyetur nga Arbana, pasi u shfaq një video me momentet e tyre brenda shtëpisë, Meridiani tha se është një keqkuptim dhe se ka qenë një lojë. Kjo shprehje e Meridianit e preku Jonën, e cila tha se nuk mund të luhet me ndjenjat. Vëllai i Madh i kishte sjellë Meridianit dje në shtëpi si surprizë dhe të fejuarën, Marsin. Kjo e fundit, mes përqafimesh, tha se Meridiani nuk kishte vepruar mirë me këtë lojë. Një surprizë tjetër, Vëllai i Madh i bëri Arditit. Jetmiri, një djalë rom, tregoi përmes një videoje, se Arditi e kishte ndihmuar shumë në jetën e tij, që të ikte nga jeta e kanoçeve e të bënte gjëra të mira në jetë. Jetmiri erdhi në shtëpinë e “Big Brother” dhe i solli një zarf me një lajm të mirë. Ai do të bëhet dajë. Motra e tij i kishte shkruar një letër, ku i fliste për pritjen e ëmbël, gjë që e emocionoi Arditin, i cili u përlot. Pas lojës me zarfet e “Big Market” që i bëri banorët me dhurata, ata e kanë mbyllur mbrëmjen e djeshme me një festë meksikane.