BSH: Shtrëngohen kushtet për biznesin. Zvogëlimi i kredisë për ndërtimin -15%
Zamir Alushi
Banka e Shqipërisë ka dështuar në politikën monetare për nxitjen e kreditimit. Dhe kjo ndodh në një kohë që bankat e mbyllën vitin 2013, me një fitim sa dyfishi i vitit 2012. Në raportin e tremujorit të parë të vitit 2014, të publikuar dje, vetë banka detyrohet të pohojë mungesën e reflektimit në sportelet e bankave. “Përcjellja e lehtësimit të kushteve monetare në aktivitetin kreditues mbetet jo e plotë”, raporton Banka.
U shtrënguan kushtet për biznesin
Vrojtimi më i fundit i aktivitetit kreditues pranë bankave tregon prirjet në kahun shtrëngues të standardeve për bizneset dhe në kahun lehtësues të standardeve për individët. Me gjithë ndryshimet ligjore dhe për kolateralin dhe fshirjen nga regjistri të kredive të këqija të humbura, ndërmjetësimi financiar nga sistemi bankarka shënuar tkurrje të mëtejshme, sikurse tregon rënia vjetore me 1.5 pikëpërqindje e raportit të kredisë për sektorin privat ndaj PBB-së në 37.9% nëmuajin dhjetor 2013. Ndërkohë, raporti prej 57.1% i kredisë ndaj depozitavenë muajin shkurt ka shënuar nivelin më të ulët në 5 vitet e fundit. Sipas raportit, për të faktorizuar rrezikun më të madh të kredisë, bankat kanë shtrënguar kushtet e kreditimit, si në kërkesa për mbulimin me kolateral ashtu edhe në rritjen e marzhit për kredi me rrezik.
Bujqësia dhe shërbimet
Sipas sektorëve të ekonomisë, – theksohet në raport, sektori i bujqësisë dhe i shërbimeve janë të vetmit që po shfaqin rritje vjetore të portofolit. Zvogëlimin më të lartë vjetor e ka shfaqur sektori i ndërtimit me -15.3% dhe më pas tregtia me -3.6%. Ndërsa financimi i sektorit të industrisë ka ndalur rritjen në dy muajt e parë të vitit.
Ulet kredia konsumatore
Kreditimi i individëve, sipas raportit, ka vijuar të zgjerohet me ritme minimale. Në krahasim me një vit më parë, ai ka shënuar rritje me 0.5%, duke reflektuar performancën e mirë të kredisë hipotekare. Me gjithë pasiguritë për ecurinë e tregut të pasurive të paluajtshme, bankat kanë ofruar produkte tërheqëse për këtë segment të tregut. Ndërsa, kredia për konsum ka vijuar të tkurret me norma më të ulëta se më parë, me rreth 1.5%.
Kursimet
Bien depozitat në lekë me afat
Depozitat në lekë kanë vijuar të bien. Normat e interesit të depozitave, si dhe prania në treg e bonove dhe e obligacioneve me norma interesi më të favorshme dhe maturitete më të larta, kanë ndikuar në tkurrjen e lehtë të stokut të depozitave në lekë nga fundi i vitit 2013. Depozitat në valutë në muajin shkurt kanë mbetur thuajse në të njëjtin nivel si një vit më parë, duke u rritur me 0.2% vit mbi vit. Rënia më e madhe është te depozitat me afat, kryesisht ato të individëve në të dyja monedhat.
Bonot e thesarit
Përballë obligacioneve afatgjata në financimin e deficitit, në ankandet e fundit, kërkesa e bankave ka qenë poshtë sasive të emetuara
Pse ra dollari?
Dobësimi i dollarit amerikan ndaj lekut me 3.1% erdhi nga rritja e shkëmbimeve tregtare me Kinën dhe Turqinë, të cilat dominohen në këtë monedhë