Një grup ndërministror nis kontrollin e dosjeve të zonave të lira. Projekti, Ahmetaj: Spitalla, park për fasonët
Zamir Alushi
Zonat e lira ekonomike ose industriale të shpallura nga qeveria “Berisha”, mbetën në letër ose u përdorën si “lavatriçe” që pastronin para. Njësoj si koncesionet e për qindra HEC-e, zonat e lira nuk u ndërtuan kurrë. Qeveria ka vendosur t’i kalojë në sitë dhe të zbulojë se ç’është bërë. Më saktë, ish-opozita e djeshme po grumbullon provat për akuzat që i ka bërë ish-kryeministrit Berisha, sidomos për shpalljen e zonës industriale në Durrës, pasi miku i tij, Damir Fazlliç bleu tokat me transaksionin e njohur me 1.7 milionë euro nga një firmë e regjistruar në Qipro. “Një grup ndërministror po mbledh materialet në institucionet qendrore dhe në njësitë vendore ku janë të vendosura këto zona”, tha për gazetën “Shqip” një burim zyrtar. Deri tani janë zbuluar shkelje në mënyrën e dhënies së këtyre zonave me koncesion, çështje të pazgjidhura pronësie dhe mungesë kontrolli për zbatimin e planeve të miratuara të investimit.
Vendime të dyshimta
Më 12 mars të vitit 2013, ish-kryeministri Berisha anuloi vendimin e tij për zonën e lirë industriale në Elbasan, Qeveria revokoi një vendim të mëparshëm të saj, që shpallte një park industrial brenda Metalurgjikut, ku përfshiheshin disa objekte ekzistuese. Vendimi i krijimit të kësaj zone të lirë daton në 4 qershor 2008. Në këtë zonë ekonomike duhej të zhvilloheshin veprimtari prodhuese, industriale; shërbimi; tregtare dhe import-eksporti. Periudha e funksionimit të zonës do të ishte 35 vjet. Sipërfaqja prej 188.4 ha, pronësi shtetërore jepej gjithashtu me koncesion. Më pas erdhi anulimi i projektit. Por këtij vendimi i ishte bërë një ndryshim para dy vitesh, që të lë të dyshosh për qëllimin e dhënies së kësaj zone me status “park industrial”. Vendimi nr.797, datë 16.11.2011 bën këtë shtesë: “Në rast të mungesës së interesit për dhënien me koncesion të kësaj zone, objektet pronë shtetërore, që ndodhen të lira brenda kësaj sipërfaqeje, i nënshtrohen procedurës së privatizimit”. Pra, parku industrial fshihte interesin tjetër shitjen e këtyre objekteve.
“Beteja e Durrësit”
Nuk mundet ta quajmë ndryshe, veçse betejë, atë proces të gjatë të kundërshtimit të kompanisë turke “Kurum” në ndeshjen me qeverinë për të marrë të drejtën e zhvillimit të zonës së lirë industriale të Spitallës. Por, Berisha që kontrollonte Komisionin e Prokurimit Publik, do të merrte një vendim që e rrëzonte verdiktin e institucionit të qeverisur nga aleati i tij, LSI-ja, megjithëse në këtë kohë akoma nuk kishte nisur krisja mes tyre. Me anë të ankimimit të paraqitur në tetor të vitit 2012, “Kurum” dhe “Ylberi”, aksionerë në këtë sipërmarrje, kundërshtuan arsyet e skualifikimit nga kjo procedurë koncesionare, si dhe kundërshtuan kualifikimin dhe shpalljen fitues të shoqërisë “Sky Master Projekt Holding” sh.a. Në vendimin e firmosur nga kreu i komisionit, Edi Spaho, të cilin gazeta Shqip disponon, shkruhet se pranohet pjesërisht ankesa për procedurën koncesionare me objekt: “Për dhënien me koncesion të statusit të zhvilluesit të një territori të zonës ekonomike, me statusin “Park Industrial” në Spitallë Durrës”, zhvilluar nga autoriteti kontraktuesMinistria e Ekonomisë, në datë 7. qershor 2012. Komisioni urdhëroi anulimin e procedurës koncesionare, pasi, siç u vlerësua, asnjë nga ofertat e paraqitura nuk përmbushte kërkesat e tenderit.
Një zonë industriale për fasonët në Porto Romano
“Asnjë prej 8 zonave të lira industriale nuk është në funksion”, njoftoi ministri i Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj, duke folur para disa ditësh me një grup biznesmenësh italianë, të cilëve u premtoi ndërtimin e një zone të lirë industriale në Durrës, në ndihmë të sipërmarrësve të huaj të fasonerisë. “Kemi disa kërkesa për këtë projekt, prandaj do ta bëjnë një zonë model të zhvillimit ekonomik”, u shpreh Ahmetaj. Sipas ekspertëve të kësaj ministrie, bëhet fjalë për zonën e Kënetës në Durrës, e pazënë me ndërtime, në distancë të barabartë nga Porti i Durrësit dhe Porto Romano. Ky territor është planifikuar që të kthehet në një zonë të lirë industriale, pasi është hapësirë boshe e lehtë për t’u pajisur me infrastrukturë.