Një ekspozitë me tetë artistë të rinj shqiptarë prezantohet për herë të parë në muzeun e artit bashkëkohor “Pino Pascali” në Polignano a Mare. “Post Young Artist”, nën kurimin e Antonio Frugis e Roberto Lacarbonara, sjell një vështrim në artin e ri shqiptar pas viteve ‘90
(Shqiponja dykrenore e kthyer në një shpend të mjerë të shtrirë përdhe, tërheq vëmendjen e mediave vendase… “Kjo punë është një kritikë ndaj patriotizmit të zjarrtë që na karakterizon ne si popull, duke u munduar të reflektojë tek ajo se si dukemi ne në të vërtetë”, thotë Olson Lamaj)
Alda Bardhyli
Polignano a Mare (Bari)
Është një ditë e kaltër në Polignano a Mare. Nga hapësirat e mëdha të muzeut të artit bashkëkohor “Pino Pascali” mund të shohësh detin. Qyteza vetëm disa kilometra larg Barit duket e paqtë këtë fillimmaji. 46 vjet më parë, Pino Pascali, një nga artistët më të njohur të artit bashkëkohor, jo vetëm italian, mori rrugën në një nga rrugicat e ngushta të këtij qyteti me shtëpi karakteristike të Italisë neoklasike, për të mbërritur në det. Një video që shfaqet në ekranin e vendosur në mur, në katin e parë të muzeut që sot mban emrin e tij, tregon orët në gjysmerrësirë teksa ai përpiqej me një lopatë të largonte detin nga një parcelë që kishte rrethuar në rërë. Ishte viti 1968, dhe ai ishte vetëm 33 vjeç teksa përpiqej të realizonte një prej punëve më filozofike të marrëdhënieve mes njeriut dhe ujit, mes detit dhe tokës, para se të shkonte përgjithmonë. Po atë vit, Pino Pascali do të humbte jetën në një aksident automobilistik, duke lënë pas një karrierë të vrullshme, të realizuar me aq pasion e nxitim, si të kishte parandier ikjen… Sot ai është një nga emrat më të rëndësishëm në artin e pasluftës në Itali. Veprat e tij në skulpturë apo video-instalacionet janë një refleksion jo vetëm i së shkuarës, por mbartin brenda pushtetin pa fjalë të artit. Duket i qeshur, në një foto vendosur në hapësirën kushtuar punëve të tij brenda muzeut, teksa përqafon të dashurën. “Shumë vizitorë pyesin për të, kur shohin këto foto. Ajo u kujdes për prindërit e tij dhe punët për vite të tëra. Më pas u martua me shokun e tij”, thotë Maria Tereza, e cila prej dy vitesh punon në këtë muze. “E kisha ëndërruar të punoja këtu. Më pëlqen shumë Pino dhe skulptura e tij”, thotë ajo. Janë të pafundme pyetjet që një adhurues i artit mund të bëjë për Pinon, artistin që duket sikur nga momenti në moment do të dalë nga një prej dhomave të kësaj ndërtese të mbushura me piktura apo instilacione e do të përshëndesë. Në fakt Pino është aty… përmes shpirtit që ka lënë te çdo punë e tij ekspozuar në këto mure. Prej vitesh muzeu nuk është thjesht një muze arti, por është kthyer në një lloj institucioni promovues të artit të mirë. Emra të njohur të artit bashkëkohor ekspozojnë në sallat e tij, duke e kthyer Polignano a Mare në një qendër të rëndësishme të artit. Artistja australiane, Virginia Ryan, ka hapur këto ditë një ekspozitë personale. E zeza në instilacionet e saj, të fut në të fshehtat e së errëtës. Por, vetëm pak më tej posterit të Ryan, një tjetër poster njofton publikun për një ekspozitë që do të qëndrojë e hapur deri më 15 qershor, një ngjarje, e cila është pritur me interes edhe nga gazetat lokale. “Post Young Albanian Artist”, quhet ekspozita e cila u hap më 10 maj në një prej sallave kryesore të këtij muzeu, ku 8 artistë shqiptarë ekspozojnë punët e tyre më të mira.
Ekspozita
Pasditja e 10 majit bëri bashkë në muzeun e artit bashkëkohor “Pino Pascali”, personazhe të njohura të jetës kulturore, jo vetëm nga rajoni i Pulias, për të qenë të pranishëm në ceremoninë e hapjes së ekspozitës “Post Young Albanian Artist”. Antonio, një pasionant i vjetër i artit, kishte udhëtuar nga Bari për të shijuar aromën shqiptare, siç u shpreh ai. Arti që vinte përtej Adriatikut, nga të rinjtë e këtij vendi, duket se kishte grishur vëmendjen dhe të kritikës. Të pranishëm në ceremoninë e hapjes ishte edhe presidentja për turizmin dhe kulturën në Rajonin e Pulias, Silvia Godelli, konsulli i Shqipërisë në Bari, Ermal Dredha, drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve, Artan Shabani, drejtoresha e muzeut “Pino Pascali”, Rosalba Brana, si dhe drejtoresha për artin dhe kulturën në Ministrinë e Kulturës, Jonida Gashi. Për Shabanin, kjo është një ngjarje për kulturën tonë dhe një mundësi që u jepet këtyre artistëve të rinj për të prezantuar veten. Ekspozita e kuruar nga dy artistët italianë Antonio Frugis e Roberto Lacarbonara, paraqiste punët më të mira të artistëve Alketa Ramaj, Armando Lulaj, Enkelejd Zonja, Endri Dani, Olson Lamaj, Najada Mehmetaj, Remijon Pronja dhe Yllka Gjollesha. Puna e parë me të cilën përballeshe sapo futeshe në këndin e Shqipërisë në “Pino Pascali” ishte ajo e artistit Olson Lamaj. Një shpend me dy koka që është shtrirë përdhe dhe që i kanë hequr puplat, të krijon menjëherë idenë e shqiponjës dykrenore, simbolit tonë kombëtar, por që në punën e Lamajt duket e shkatërruar. Kjo punë e quajtur “Shqipe” kishte tërhequr vëmendjen dhe të “Gazzetta de mezzogiorno”, por dhe të vizitorëve që ndaleshin gjatë për të kuptuar “çmitizimin” që artisti i bënte simbolit shqiptar. Lamaj tregon se e ka realizuar këtë punë në vitin 2007, vit kur Kosova shpalli pavarësinë ndaj Serbisë dhe ku në Shqipëri flitej përherë e më shumë për fatin e saj drejt Komunitetit Europian. Me këtë punë, ai përpiqet të tërheqë vëmendjen duke e kthyer shqiponjën në një shpend të mjerë që shtrihet përdhe. “Kjo punë është një kritikë ndaj patriotizmit të zjarrtë që na karakterizon ne si popull, duke u munduar të reflektojë tek ajo se si dukemi ne në të vërtetë”, thotë ai. Duket që kjo punë nuk e ka humbur fuqinë e saj shokuese, edhe pse kanë kaluar mjaft vite. Fakti që në Shqipëri, edhe pas shumë vitesh vazhdon të ketë krizë politike, probleme me drejtësinë dhe me korrupsionin e shumë probleme të tjera, bënë që kjo punë të jetë plotësisht aktuale edhe pas shumë kohësh. Puna e Olsonit, edhe pse të trondit me këtë imazh kaq të dhunshëm, na bën të reflektojmë më shumë mbi situatën tonë politiko-shoqërore që po kalojmë si vend, duke na bërë më koshient se si dukemi ne në sy të të tjerëve. “Ky ndryshim i mënyrës se si duhet ta shikojmë veten tonë nuk synon demoralizimin apo poshtërimin, por të kundërtën, atë që duke kuptuar se cili je në të vërtetë të fillosh të përmirësohesh për të ecur përpara”, thotë Olsoni.
Prekja e guximshme e simbolit kombëtar tregon që artisti nuk ka frikë të tregojë si ndihet ai vetë në relacion me vendlindjen e tij, por dhe një vetëndërgjegjësim që duhet ta bëjmë të gjithë ne, nëse duam me të vërtetë të ndryshojë kjo situatë. Një punë sa provokuese aq edhe e trishtë ishte dhe vepra e Armando Lulaj “Tjetri”. Një njeri i lidhur këmbë e duar me litar tërhiqet nga katër kuaj. Ky është njeriu sot sipas Lulaj, i shqyer në realitetin ku jeton. Alketa Ramaj fituesja e çmimit “Onufri” dhe çmimit “Ardhje” prezanton një video “Pa titull”. Një çift i shtrirë në shtrat, ku vajza kërkon të zgjojë përmes prekjesh djaloshin e zhytur në gjumë të thellë. “Punët e mia lindin nga jeta. Ndjesitë artistike më vijnë prej situatave reale që mund të kem në jetën time, e më pas shtjellohen e vijnë në formën që duhet të ketë një vepër arti”, thotë Alketa Ramaj, e cila prezanton një punë sa sentimentale aq dhe të dhembshme. Yllka Gjollesha prezantohet me videon “Mute”. Në këtë video një orkestër po luan një vepër simfonike dhe shikuesi gjendet befasisht vetëm përpara veprimit, gjesteve dhe dinamikës vizuale të kësaj skene të “cunguar”. Kështu emocioni normal para një vepre simfonike shfaqet i tjetërsuar në sytë e tyre. Dirigjenti dhe orkestrantët janë vetëm, jashtë tyre është një botë tjetër! Kjo botë me “audion” e saj krejt të ndryshme dhe rastësore (zhurmat e zakonshme të një salle ekspozite në këtë rast) udhëton paralelisht me imazhin dinamik e “memec” të orkestrës në prova, duke krijuar një lojë spontane ku nuk mund të përcaktohet saktë nëse imazhi është në funksion të audios apo është e kundërta dhe, kësisoj, i mundëson publikut krijimin e një marrëdhënieje personale me imazhin. “Mute” është një opsion i thjeshtë që teknologjia na e sjell në një buton të telekomandës. Funksioni i saj është heqja e plotë e audios. Ky gjest i thjeshtë për këdo dhe i menjëhershëm ndan imazhin prej zërit dhe e shpërfaq qartë veçorinë e tij, tashmë të pazëshme. Kështu imazhi fiton një status tjetër, duke ndryshuar njëherazi edhe perceptimin e shikuesit ndaj tij”, thotë Gjollesha. Remijon Pronja sjell një vizatim të hartës së Europës, bri së cilës ka shkruar me shkrim dore himnet e shteteve që janë pjesë e saj. Pronja ka dashur të depërtojë në zemrën e këtyre vendeve siç janë himnet. Tekstet e tyre mbartin dhe shpirtin dhe historinë e këtyre vendeve. Pronja ka dashur të shohë sesi një gjuhë pushton një gjuhë tjetër, duke e dhënë globalizmin në një këndvështrim sa real aq edhe të ndjeshëm. “Suvenire nga vendi im i lindjes” quhet puna e Endri Danit. Puna e Danit është një rrugëtim në qytetin e tij të lindjes, Shkodrës, për të sjellë në një vepër raportet me traditën dhe shenjat që mbartin suvenirët në jetën e secilit vend, apo të dikujt. Enkelejd Zonja e ka lënë punën e tij “Pa titull”. Një mori vizatimesh ku pikas shenja e kuqe, japin rrugëtimin e kësaj ngjyre të njohur në veprat e Zonjës. E kuqja është lidhja e tij që ai bën në kohë me të shkuarën komuniste, ngjyra që ka shalli i pionierit, flamuri dhe gjithçka tjetër që e çon në atë kohë… Zonja vizatoi live për të pranishmit në murin e Muzeut, ku ndodhej ekspozita me artistët shqiptarë, duke sjellë elementë të kujtesës përmes objekteve të vogla. Najada Mehmetaj, një artiste që jeton në Itali prezantoi punën “Laguna”. Për dy kuratorët që udhëtuan një muaj më parë drejt Shqipërisë për të zgjedhur punët, ajo çfarë i përshkon të gjithë këta artistë është nostalgjia. E shkuara duket se është ende gjallë në kujtesën e tyre, dhe kjo për Roberto Lacarbonaran nuk është diçka negative, pasi nëpërmjet saj mund të shohim të ardhmen. Duke e vlerësuar punët e tetë artistëve si tepër bashkëkohorë, Lacorbonaran shprehet se është ndier i befasuar nga prurjet e artistëve të rinj në Shqipëri. Një pjesë e artistëve janë shkolluar në Itali, dhe tashmë ky është një rikthim i tyre si artistë në ekspozitën që mban firmën e vendit të tyre. Rosalba Brana, drejtoresha e muzeut “Pino Pascali” tha se e kanë frymëzuar punët e këtyre artistëve kaq të talentuar. Muzeu “Pino Pascali” prej vitesh ka hapur dyert për vendet ballkanike, dhe pas Malit të Zi dhe Maqedonisë, tashmë është koha e artit shqiptar. Vitet e fundit, arti bashkëkohor, sidomos artistët emergjentë, janë bërë përherë më aktivë në skenën e artit si brenda dhe jashtë vendit. Përfaqësimet ndërkombëtare në Bienalet e Artit dhe ftesat për ekspozita në Galeri të Ndryshme jashtë Shqipërisë tregon për një gjeneratë të re artistësh që po tenton të përfaqësojë me dinjitet Shqipërinë në fushën e artit bashkëkohorë, me gjithë problemet që ka sistemi i artit në vend. Përherë e më shumë shohim artistë që mundohen të krijojnë vepra që flasin për problemet që ka ky vend. Punët e tyre janë të veçanta e ndryshojnë nga arti tradicional që jemi mësuar të shikonim para viteve ‘90. “Kjo gjeneratë e re artistësh, edhe pse jetojnë e punojnë me vështirësi të mëdha në një vend ku kultura është problemi i fundit në zinxhirin e problemeve që ka shteti shqiptar, ata mundohet të gjejnë kohën për të krijuar vepra arti dhe për të investuar kohë dhe para në një fushë tepër të vështirë. Qeveria e re duket e predispozuar të kthejë vëmendjen tek arti bashkëkohor dhe është vënë re nga sponsorizimet e shoqatave të ndryshme kulturore që ndihmojnë artin, duke promovuar konkurset si Onufri ose Festivalin e artit dhe librit që, edhe pse janë akoma pak për çka duhet bërë për artin në Shqipëri, tregon një dritë shprese për skenën kulturore në Shqipëri”, thotë Lamaj. “Post Young Albanian Artists” u mundësua nga fondacioni “Gramsci – Puglia”, fondacioni “Pino Pascali”, Rajoni i Puglias, Komuna e Polignano a Mare në bashkëpunim me Ministrinë Shqiptare të Kulturës, Konsullatën e Përgjithshme të Shqipërisë dhe Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 15 qershor, duke u dhënë mundësi vizitorëve të muzeut “Pino Pascali” të shohin artin shqiptar.
Ëndërroj gjithmonë që të kthehem një ditë
Në kodrën tonë në Siliquastri
Dhe të jetoj pranë teje
Mirë se të vijë varfëria
Por vetëm pranë teje
Kaluan vite
Që kur më kanë detyruar
Të largohem
Çfarë po bën? Çfarë mendon?
Kë do të shpëtojmë në këtë jetë?
Poezi e Gëzim Hajdarit që shoqëron katalogun prezantues, me punët e artistëve shqiptarë në këtë ekspozitë.