Censusi 2011
Në fshatin luksoz, mbi 67% e familjeve zotërojnë të paktën një automjet. Nivel i lartë punësimi në “bujqësi”
Zamir Alushi
Studimi i ekspertëve europianë, mbi bazën e Censusit 2011, e nxjerrin Lazaratin një fshat luksoz, ku 67.3% e familjeve ka të paktën një makinë. Qeveria, opozita dhe Komuna e Lazaratit kanë një tezë të njëjtë kur vjen fjala për ndërprerjen e fenomenit të kultivimit të bimëve narkotike. Duke nxjerrë si alibi varfërinë apo mbijetesën e njerëzve të kësaj komune, çështja paraqitet “komplekse”, pra duhet një “zgjidhje sociale”; u duhet dhënë “alternativë zhvillimi” këtyre banorëve, që të braktisin mbjelljen e hashashit. Me ndihmën e analizës së të dhënave të Censusit 2011, gazeta “Shqip” sjell një skaner të situatës ekonomike dhe nivelit të jetesës në këtë komunë.
Statusi: “Suburban”
Dendësia e popullsisë në këtë njësi administrative është 74.26 banorë për km². Dendësia e popullsisë është llogaritur mbi bazën e kufijve të komunave dhe bashkive të krijuara për qëllime statistikore.
Vlera më e lartë është 10462.7 banorë për km² në Tiranë dhe më e ulëta, 1.7 banorë për km² në Leskovik. Duke qenë në periferi të Gjirokastrës, Lazarati hyn te qendrat suburbane. Këtë status, ekspertët e BE-së në studimin “Tipologjia e komunave dhe e bashkive”, kur e kanë klasifikuar Lazaratin, janë nisur nga gjashtë faktorë, që shprehin dendësinë e popullsisë, vazhdimësinë e zonës së ndërtuar, punësimi në bujqësi, evolucioni pozitiv i popullsisë, ndërtimet e reja, përqindjen e personave që udhëtojnë për punë jashtë banimit.
Transporti
Numri i Njësive Ekonomike Familjare në Lazarat që zotërojnë të paktën një makinë, sipas Census 2011, është 67.32%. Kjo shifër kërcet në krahasim me mesataren e vendit, që është 24.8%. Por jo të gjithë i përdorin makinat për punë, pra një pjesë janë makina luksi. Kështu, transporti për në punë me makinë dhe me motoçikletë arrin në 47.60%, kur Shqipëria e ka mesataren 24.6%. Duke analizuar shifrat e transportit për në punë, del se me autobus, minibus, tren dhe taksi udhëtojnë 16.25% e popullsisë së komunës. Kjo përqindje del nga raporti i numrit të personave që shkojnë në vendin e punës me autobus, mikrobus, tren ose taksi ndaj numrit gjithsej të personave që punojnë në një vend fiks larg shtëpisë në Shqipëri, atyre që nuk kanë një vend pune fiks në Shqipëri dhe atyre që punojnë jashtë shtetit. Më e ulëta është në Lurë, ku Censusi e konstaton këtë raport me 0%. Por jo i gjithë Lazarati udhëton me makina. Transporti për në punë në këmbë dhe me biçikletë zë 28.83%. Personat që udhëtojnë vajtje-ardhje për motive punësimi është 324. Ky është numri i personave të punësuar, të cilët punojnë në Shqipëri, në një vend fiks pune larg shtëpisë dhe që udhëtojnë rregullisht nga vendbanimi i tyre i zakonshëm në një vend tjetër (brenda ose jashtë komunës/bashkisë ku jetojnë). Vlera më e lartë e tyre është në Tiranë, 125553 persona dhe më e ulëta në Sult, ku udhëtojnë për punë vetëm 6 persona.
Të ardhurat
Raporti i numrit të familjeve që kanë deklaruar si burim të ardhurash për 12 muajt e fundit ndihmën sociale dhe përfitime (transferta të tjera), ndaj numrit të Njësive Ekonomike Familjare gjithsej ishte 3.29%, kur Shqipëria në 2011-n e kishte këtë mesatare 11.7%. Vlera më e lartë e këtyre familjeve regjistrohet nga Censusi 79.1% në Ujëmisht.
Ndërkaq, Lazarati ka të ardhura të ulëta nga emigracioni. Para të dërguara nga jashtë shtetit, si burimi i të ardhurave u raportua nga 2.80% e familjeve, kur mesatarja e vendit është 8.6%.
Komuna ka gjithashtu shumë pak pensionistë. Burimi i të ardhurave të NjEF-së nga të gjitha llojet e pensioneve u raportua nga 12.66%, ndërsa mesatarja e vendit është 32.0%. Numri më i lartë i pensionistëve raportohet në Komunën minoritare të Pogonit, po në Gjirokastër, me 72.4%.
Por Lazarati ka një numër të lartë të vetëpunësuarish. Puna e paguar ose vetëpunësimi arrin shifrën e lartë 79.44%, kur mesatarja e vendit është 56.4%. Këtu ndikon puna në kultivimin e kanabisit, e cila është mjaft mirë e paguar, por që ia vlen edhe si vetëpunësim, nëse do të hiqnim anën morale dhe ligjore.
Arsimi
Analfabetizmi
Shkalla e analfabetizmit në Lazarat është 2.8%. Vlera më e lartë e regjistruar nga Census 2011 është 11.4% në zonën e Selitës
Arsimi 9-vjeçar
Niveli arsimor fillor ose 8 dhe 9-vjeçar arrin 59.05%. Ky është raporti i atyre që e kanë kryer këtë arsim, ndaj popullsisë 15 vjeç e lart
Me të mesme
Niveli arsimor i mesëm i përfunduar është 27.6%, ndërsa mesatarja e vendit është 31.4%. Vlera më e lartë është regjistruar në Bajram Curri me 51.0%
Me universitet
Niveli arsimor i përfunduar universitar dhe pasuniversitar është 11.0%, afër mesatares së vendit që ishte 11.8%. Tirana ka vlerën më të lartë me 29.1%
Popullsia
Lazarati ka 2801 banorë, ndërsa në vitin 2001 kishte 3155 frymë. Popullsia është e re, duke regjistruar 4.43% familje me vetëm pensionistë