Në Shqipëri, financimi i bankave të huaja u ul me 1% të PBB-së
Zamir Alushi
Transferimi i fondeve te “bankat mëmë” dhe ulja e kreditimit në filialet e bankave në vendet e Europës Lindore dhe Juglindore, përfshirë Shqipërinë, konfirmohet nga analiza e fundit e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN).
Raporti
Raporti i monitorimit të kredisë dhe bilanceve të bankave të huaja për tremujorin e katërt 2013, në vendet e Europës Qendrore, Lindore e Juglindore (CESEE), bëhet në kuadër të Nismës së Vjenës dhe u njoftua fillimisht në një auditor universitar në Pragë, në fund të muajit prill 2014. Sipas raportit të FMN-së, tkurrja e bilanceve në vendet e Europës Qendrore, Lindore e Juglindore ka kaluar në dy faza. Së pari, pas falimentimit të Lehman Brothers, bankat e ekonomive të përparuara u gjendën nën presione të ashpra likuiditeti dhe u detyruan të ndërprisnin huadhënien e re ose të shisnin aktivet. Në vazhdën e kolapsit të Lehman Brothers, në shtator të vitit 2008, flukset hyrëse të financimit bankar u bllokuan dhe ekonomitë e CESEE u zhytën në recesion të thellë. Gjatë viteve 2008-2012, rreth një e treta e flukseve hyrëse nga bankat perëndimore u ndërprenë. Që nga fundi i 2008-s, bankat e huaja filluan ribalancimin e financimit të tyre në drejtim të burimeve të brendshme. Kjo u shoqërua me udhëzime nga rregullatorët perëndimorë që ndryshuan raportet kredi-depozitë në filialet e tyre në rajon. Nga ulja e kërkesës për kredi, filialet në vendet e CESEE krijuan fonde të tepërta, të cilat u përdorën për të shlyer kreditë bankare të “bankave mëmë”, edhe pse në periudhën e ndërmjetme të krizës, disa prej tyre kanë rritur likuiditetin e dhënë për degët.
Iniciativa e Vjenës
Pas rënies së Lehman Brothers, ka pasur një shqetësim në disa qarqe se bankat e huaja do të tërhiqeshin menjëherë dhe do të linin pas kaosin financiar. Bashkësia ndërkombëtare bëri financimin në shkallë të gjerë kryesisht nëpërmjet FMN-së dhe BB-së. Përveç kësaj, e ashtuquajtura “Iniciativa e Vjenës” krijoi bashkëpunim mes bankave ndërkufitare kyçe, “bankave mëmë”, autoriteteve të vendit pritës dhe institucioneve ndërkombëtare financiare për të kontrolluar situatën. Vala e dytë e reduktimeve të financimit ka filluar në mes të vitit 2011, kur bankat e Europës Perëndimore ranë nën një presion të ri. Presionet ishin të shoqëruara nga shtrëngimi rregullator sipas rekomandimeve të Bazel III për bankat BIS, të cilat ishin të nevojshme për të ruajtur një sistem më të fortë dhe më elastik bankar, por bartnin rrezikun që bankat të zgjidhnin zvogëlimin e kreditimit në vend të rritjes së kapitalit. BIS është organizmi ndërkombëtar “Banka për Zgjidhjet Ndërkombëtare” me qendër në Bazel, Zvicër, dhe ka zyra përfaqësimi në Meksikë dhe Hong Kong. Shtetet anëtare përfshijnë Bankën e Kanadasë, Rezervën Federale dhe Bankën Qendrore Europiane.
Strategjia e “bankave mëmë”
Strategjia e “bankave mëmë” në rajonin CESEE do të ishte shtrëngimi i standardeve për financimin. Sipas FMN-së, bankat që veprojnë nën Marrëveshjen e Bazelit (BIS), gjatë tremujorit të katërt reduktuan pozicionet e tyre të jashtme ndaj vendeve të CESEE me 0.3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), pothuajse në të njëjtin ritëm si në tremujorin e tretë të vitit 2013. Hungaria dhe Maqedonia përjetuan reduktimet më të mëdha në financimin e bankave të huaja, me rënien që u përshpejtua në raport me tremujorin e tretë. Shtete të tjera, që panë një ngadalësim të reduktimit të fondeve përfshijnë Rusinë, Bullgarinë dhe Estoninë, ndërsa ritmi u ngadalësua në Kroaci, Letoni, Rumani, Serbi dhe Slloveni. Kjo panoramë e dobët makroekonomike vazhdon të ndikojë në pritshmëritë e bankave për cilësinë e aktiveve dhe përfitueshmërisë në këto shtete. Por, flukset e parave mes bankave të BIS shënuan trend pozitiv në tremujorin e katërt në Bosnjë dhe Hercegovinë, Lituani dhe Turqi, si dhe vazhduan të zgjerohen në Poloni dhe Ukrainë. E kundërta ndodhi në Shqipëri, ku në tremujorin e fundit fluksi shënoi shifra negative.
Në raport me PBB
Bankat BIS, gjatë tremujorit të katërt 2013, reduktuan pozicionet e tyre të jashtme ndaj vendeve të Europës Lindore dhe Juglindore me 0.3% të PBB-së
Më të goditurit
Hungaria dhe Maqedonia përjetuan reduktimet më të mëdha në financimin e bankave të huaja, me rënien që u përshpejtua në raport me tremujorin e tretë 2013.
Shqipëria
Sipas grafikëve të publikuar nga FMN, rezulton se fluksi është kthyer negativ në tremujorin e fundit të vitit 2013, në rreth 1% të PBB-së
Stabiliteti
Për financat, rreziqet në rënie
Banka e Shqipërisë (BSH) deklaroi dje se rreziqet për stabilitetin financiar janë në rënie. Gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2013, gjendja dhe ecuria e sektorit bankar dhe e sistemit financiar u paraqit e qëndrueshme. Ndërkohë, kostoja e huamarrjes së qeverisë ka rënë në mënyrë të ndjeshme pavarësisht nga rritja e deficitit buxhetor dhe borxhit publik. Realizimi i marrëveshjes me FMN-në, sipas BSH është një hap i rëndësishëm për të siguruar stabilitetin makroekonomik. Megjithatë, BSH thekson se, vëllimi i aktivitetit bankar u zgjerua me ritme të ngadalësuara, teksa depozitat u rritën me ritme më të ngadalta dhe kreditimi u tkurr. Por ritmi vjetor i rritjes së kredisë me probleme, sipas BSH-së, ka shënuar nivelin më të ulët që prej vitit 2008. Rreziku i kreditit përfaqëson sfidën më të rëndësishme të veprimtarisë së sektorit bankar, por madhësia e tij pritet të jetë më e kontrollueshme dhe të nisë një prirje rënëse graduale në të ardhmen afatshkurtër, thekson deklarata e djeshme e BSH-së.