Kryesoret Soni Malaj, fituese e “Top Fest 11”

Soni Malaj, fituese e “Top Fest 11”

1616
SHPËRNDAJE

Një spektakël i paharrueshëm ka qenë nata finale e Edicionit të 11 të “Top Fest”

Soni Malaj është fituesja e edicionit të 11 të “Top Fest”. “Jam shumë e emocionuar. Në 18 vite karrierë kam marrë vetëm çmime të dyta dhe të treta. Më vjen mirë që ‘Top Fest’ e theu këtë ‘traditë’ timen, duke marrë çmimin e parë”, tha Soni, e cila është edhe fituesja e çmimit “Artistja më e mirë femër” e këtij festivali. Edicioni i 11 i Festivalit të Muzikës Moderne Shqiptare “Top Fest” mbylli siparin mbrëmë, në një spektakël të paharrueshëm në skenën e Pallatit të Kongreseve. Nën drejtimin e Ledion Liços dhe dy motrave Luana dhe Marina Vjollca, mbrëmja finale i ngjasoi një feste të madhe. Këtë herë, ata zgjodhën të vinin me motor, duke u nisur nga studio e “Top Channel”, për në Pallatin e Kongreseve, ku mijëra fansa prisnin fillimin e spektaklit. Tashmë partnerë të sigurt në skenë, Ledioni dhe motrat Vjollca sollën një komunikim që nuk i mungoi as humori mes personazheve të njohur nga bota e showbiz-it të pranishëm në sallë si publik. Ishin të gjithë aty, ish-banorët e “Big Brother”, këngëtarë të njohur, gazetarë apo artistë të ndryshëm, për të ndjekur nga afër një nga eventet më të rëndësishëm në fushën muzikore në vend, “Top Fest”. Soni Malaj fituesja e Top Fest 11Me një skenografi dhe regji befasuese, “Top Fest” solli një standard të ri edhe në teknologji. Juria, e cila gjykoi 17 këngët që u ngjitën dje në natën finale, ishte e përbërë nga Shpëtim Saraçi, Dorian Gjoni, Eneida Tarifa, Petrit Sarkaxhi dhe Arbana Osmani. “Top Fest 11” nisi katër muaj më parë me rreth 100 këngëtarë pjesëmarrës, të cilët u reduktuan në 37, në fazën gjysmëfinale, dhe 17 në finalen e djeshme ku garuan me 13 çmime në total të kategorive të ndryshme, përfshirë dhe çmimin e madh për këngën më të mirë të këtij edicioni. “Top Fest” kujtoi përmes një homazhi këngëtaren e madhe shqiptare Vaçe Zela, e cila u nda këtë vit nga jeta. I gjithë publiku u çua në këmbë në nderim të artistes që i dha aq shumë muzikës shqiptare. Festivalit nuk i ka munguar edhe mesazhi sensibilizues që “Top Channel” ka nisur për një nga çështjet e ndjeshme të kohëve të fundit, siç janë vrasjet e femrave. Çmimi i parë që u nda ishte ai i “Best Video”, i cili i shkoi artistit Shpat Deda. Çmimi “Best Pop & RnB” shkoi për këngëtaren Mariza Ikonomi. Çmimi “Best New Artist” shkoi për këngëtaren e re Sigi Bastri me këngën “Qëndro me mua”. Çmimi, i cili jepet nga Fondacioni “Dritan Hoxha”, iu dha këngëtares nga Lori dhe Sara Hoxha. Çmimi “Artistja më e mirë femër” shkoi për Soni Malajn, e cila ia dedikoi çmimin vajzës së saj të vogël. Çmimi “Top Albania Radio” shkoi për duetin e interpretuar nga Olta Boka dhe Erik Lloshi me këngën “Ti më ke mua”. “Çmimi i Internetit” shkoi për këngëtaren Era Rusi, me këngën “Hajde me ne”. Çmimi “Best Group” shkoi për grupin Lynx ft. Andi, ndërsa çmimi “Best Pop Rock” për këngëtaren Xhensila Myrtezai. Dueti më i mirë i këtij edicioni shkoi për dy vëllezërit korçarë Endri dhe Stefi. Balada më e mirë e “Top Fest 11” shkoi për këngëtaren Venera Lumani. Dhe, edhe pse e quante lavd për moshën e tij një nominim për një çmim të tillë, Gjergj Leka është fitues i çmimit “Artisti më i mirë mashkull” i këtij edicioni, të cilin ia dedikoi babait të tij të ndjerë. Çmimi “Best Hip Pop & NrB-Big” shkoi për këngëtarët Big Basta & Angelo.

 

Çmimet:

Best Video – Shpat Deda

Best Pop & RnB – Mariza Ikonomi

Best New Artist – Sigi Bastri

Best Female – Soni Malaj

Çmimi Top Albania Radio – Olta Boka dhe Erik Lloshi

Çmimi i Internetit – Era Rusi

Best Group – Lynx ft. Andi

Best Pop Rock – Xhensila Myrtezai

Best Duet: Endri dhe Stefi

Best Balade – Venera Lumani

Best Male – Gjergj Leka

Best Hip Pop & NrB – Big Basta & Angelo