INSTAT: Shtrenjtohen mallrat dhe ushqimet


Zamir Alushi


indeksi _cmimeve-_maj_2014 Press release (Professional design)Ulen çmimet e ilaçeve, por vazhdojnë të shtrenjtohen ushqimet. Për ushqimet nuk është një gjë e re, por vazhdim i kurbës rritëse që nga viti i kaluar, ndërsa ulja e çmimeve në sektorin e shëndetësisë shënon një rënie të menjëhershme të madhe. Indeksi i çmimeve të konsumit maj 2014, që u publikua dje nga INSTAT, tregon se ndryshimi vjetor është 1,6%. Një vit më parë ky ndryshim ishte 2,1%. Në muajin maj 2014, indeksi arriti 117,3% kundrejt muajit dhjetor 2007


“Shëndeti”


Farmacistët “tradhtojnë” reformën e qeverisë në shëndetësi. Heqja e TVSH-së prej 10% për barnat më 1 prill 2014, nuk u shoqërua me efektin e uljes së çmimeve në masën që pritej, por vetëm me 2.6 për qind, krahasuar me një muaj më parë, pra mars 2014. Referuar heqjes së TVSH-së duhej që çmimet të uleshin rreth 10%, por tregtarët e ilaçeve kanë zgjedhur të shtojnë fitimet e tyre. Duket qartë se qeveria nuk ka gjetur mekanizimin për të rregulluar dhe kontrolluar këtë reformë që të shkonte në favor të qytetarëve. Kjo del zbuluar nga tabelat e publikuara dje nga INSTAT-i, sipas të cilave çmimet e shërbimeve spitalore u ulën dukshëm gjatë muajit maj, por ato të medikamenteve mbetën thuajse në të njëjtin nivel me prillin. Çmimet e grupit “Shëndeti” ndikuan me -0,05 pikë përqindje në ndryshimin mujor. Në këtë grup çmimet e shërbimeve spitalore u ulën me 5,6% dhe të medikamenteve u ulën me vetëm 0,9%. Ulja më e madhe vjetore e çmimeve, sipas INSTAT-it, vërehet në grupin “Shëndeti” me 5,3%. Rënia e çmimeve në këtë sektor në vlera jo shumë të ndjeshme, ka nisur qysh në fillim të vitit 2013 me 0,1% dhe në vazhdim deri në vlerën 1.4%, ndërsa në prill 2014 ulja mesatare vjetore e çmimeve vlerësohet 3,9%. Sipas INSTAT-it, çmimet e grupit “Shëndeti” kanë kontribuar me -0,18 pikë përqindje në ndryshimin vjetor. Kjo ulje e çmimeve të barnave dhe të shërbimeve shëndetësore është rezultat i zbatimit të paketës së masave të qeverisë për shëndetësinë, ku përfshihej, përveç heqjes së TVSH-së për medikamentet mjekësore, edhe dhënie falas të një pjese të shërbimeve në spitalet dhe klinikat shtetërore. Parashikohet që indeksi mujor i muajit qershor të tregojë një ulje tjetër të çmimeve të shërbimeve shëndetësore, sepse hyjnë në fuqi 10 paketa shërbimesh të miratuara nga qeveria që do të jepen falas.


Mallrat e konsumit


Mallrat e konsumit u rritën. Krahasuar me muajin maj 2013, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 8,0%, pasuar nga grupi “Pije alkoolike dhe duhan” me 6,6%, “Hotele, kafene dhe restorante” me 2,7%, “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 2,1%, etj. Por ka edhe mallra e shërbime që janë ulur. Nga grupi “Veshje dhe këpucë” vjen ulja e çmimeve me 2,8%, “Komunikimi” me 1,2% etj. Rritja vjetore në muajin maj është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 0,82 pikë përqindje. Në këtë grup çmimet e nëngrupit “fruta” janë rritur me 16,7% dhe nëngrupit “zarzavate” me 10,2%. Çmimet e nëngrupit “vajra dhe yndyra” u ulën me 5,4%, pasuar nga nëngrupi “sheqer e ëmbëlsira” me 4,1%, “kafe, çaj e kakao” me 2,3%, “peshk” me 1,3%, etj. Rritja e çmimeve të grupit “Pije alkoolike dhe duhan” ka kontribuar me 0,24 pikë përqindje në ndryshimin vjetor. Krahasuar me një vit më parë çmimi i duhanit u rrit me 11,5%. Çmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme” kanë kontribuar me 0,39 pikë përqindje. Ndërsa grupi “Veshje dhe këpucë” ka kontribuar me -0,14 pikë përqindje, pra kushtojnë më lirë.


Ndryshimi mujor


Në muajin maj 2014 ndryshimi mujor i indeksit është -1,1%. Ulja e çmimeve është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike me -0,89 pikë përqindje. Çmimet e zarzavateve u ulën me 14,4%, ndërsa çmimet e frutave u rritën me 4,4%. Çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji”, kanë ndikuar me 0,05 pikë përqindje në ndryshimin mujor. Çmimet e lëndës djegëse janë ulur me 1,0% krahasuar me një muaj më parë.


 


 


Shporta


 


Indeksi


Indeksi i Çmimeve të Konsumit, duke filluar nga muaji dhjetor 2007 llogaritet me shportën e artikujve të nxjerrë sipas anketës familjare


 


 


Artikujt


Shporta e artikujve në janar të vitit 2002, u rrit nga 221 në vitin 1993 në 262 artikuj. Në shportë, numri total i artikujve është 272.


 


Llogaritja


Indeksi llogaritet, duke përdorur strukturën e klasifikimit të shpenzimeve sipas qëllimit, me 12 grupe kryesore, të përputhshëm me modelin e EUROSTAT-it.


 


Çmimet


Çmimet e artikujve mblidhen në 11 qytetet-prefekturë. Kukësi përfaqësohet nga Dibra. Çdo artikull i shportës ka peshën e tij gjeografike.


 


 


Përkufizim


Ndryshimi vjetor mat ndryshimin e indeksit të çmimeve midis muajit korrent me të njëjtin muaj të vitit të mëparshëm.