INTEGRIMI


Bie me 8% mbështetja, 70% e qytetarëve: Statusi, dështim nga qeverisja


FATJONA MEJDINI


rama-fyleOrvatjet e gjata të Shqipërisë në portat e Europës për procesin e integrimit duket se e kanë zbehur “dashurinë” e shqiptarëve për Bashkimin Europian. Instituti për Studime Ndërkombëtare, nëpërmjet një sondazhi i cili është zhvilluar në muajin prill në 12 qarqe të vendit me 1200 intervista të drejtpërdrejta, zbuloi se mbështetja ndaj procesit të integrimit në Bashkimin Europian ka rënë. Sipas sondazhit të këtij instituti, vetëm 77 për qind e shqiptarëve e mbështesin integrimin, shifër e cila një vit më parë shkonte në 85 për qind. Pavarësisht se ulja e mbështetjes për procesin, me 8 për qind brenda një viti është e konsiderueshme, përsëri shqiptarët vijojnë të konsiderohen si një popull i cili ka një simpati të lartë për Bashkimin Europian. Interesant në këtë sondazh është dhe fakti se shqiptarët ua faturojnë dështimet me këtë proces qeverisë dhe politikës së brendshme të tyre dhe jo vendeve anëtare të Bashkimit Europian, të cilat për tre herë radhazi kanë refuzuar dhënien e këtij statusi për Shqipërinë. Madje, gjysma e të anketuarve theksojnë se BE-ja bëri mirë në dhjetor që nuk ia dha Shqipërisë statusin e kandidatit, pasi sipas tyre, vendi ka probleme të mëdha me çështjen e zbatimit të ligjit. Por te shqiptarët, gjithsesi, mbizotëron optimizmi se Shqipëria do të arrijë ta marrë statusin e vendit kandidat këtë qershor. Rreth 50 për qind e tyre shpresojnë se Shqipëria do ta marrë statusin, ndërsa 30 për qind mendojnë se jo.


Euroskepticizmi


Shqiptarët kanë nisur të krijojnë rezerva për marrëdhëniet e tyre me procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Europian. Një vit më parë, Shqipëria konsiderohej një nga vendet më ‘eurodashëse’ në kontinent, në një kohë kur 85 për qind e qytetarëve mbështesnin procesin e integrimit. Por tashmë duket se gjërat kanë ndryshuar, në një kohë kur sondazhi i Institutit për Studime Ndërkombëtare, del në konkluzion se vetëm 77 për qind e shqiptarëve e mbështesin integrimin në BE, duke shënuar pikën më të ulët të vlerësimit për unionin në Shqipëri gjatë tetë viteve të fundit. Mesa duket, fakti se Shqipëria po e zgjat së tepërmi rrugën e saj drejt BE-së, i ka bërë shqiptarët eurospektikë në kushtet kur ata po e ndiejnë këtë proces më larg se më parë. Sipas sondazhit, pjesa më e madhe e shqiptarëve presin nga anëtarësimi në Europë më shumë vende pune, nivel më të lartë jetese, ligji dhe demokracie, si dhe më pak korrupsion dhe më pak varfëri dhe këto elemente duket se po vonojnë të shfaqen në jetën e tyre të përditshme. Por pjesa e “euroskeptikëve” është e qëndrimit se aktualisht BE është në krizë ekonomike dhe kjo do ta dëmtonte Shqipërinë me rritje çmimesh, me dobësim të biznesit shqiptar dhe se të huajt mund të zinin vendet më të mira të punës, sepse janë më të kualifikuar.


Fajtorët


Por shqiptarët janë të qartë kur vjen puna të tregojnë “fajtorët” që nuk kanë lejuar që ata ta prekin më shpejt ëndrrën europiane. Rreth 70 për qind e të anketuarve thanë se përgjegjësit kryesorë për këtë janë qeveria dhe politika shqiptare. Ata shohin si përgjegjës kryesorë për këtë proces qeverinë, Parlamentin dhe Partitë Politike. Vetëm 12 për qind e shqiptarëve është e mendimit se përgjegjës për këtë proces është komuniteti ndërkombëtar. Sipas tyre, konflikti politik në Shqipëri, duke shtuar këtu problemet me shtetin e së drejtës dhe situatën me krimin e organizuar dhe korrupsionin, janë disa nga faktorët kyç për dështimin e Shqipërisë me statusin e vendit kandidat në Bashkimin Europian. Qytetarët janë të vetëdijshëm se Shqipëria nuk është ende gati për t’u anëtarësuar në BE. Rreth 30 për qind e shqiptarëve mendojnë se anëtarësimi në BE ka rëndësi kryesore për Shqipërinë, ndërsa 50 për qind të tjerë thonë se këtë vit integrimi është hap i rëndësishëm, por jo kryesor. Mbi 54 për qind e shqiptarëve e pohojnë këtë, por megjithatë, mbi 40 për qind e tyre kërkojnë që BE-ja ta integrojë Shqipërinë edhe pse ajo nuk është gati nga standardet.


 


Tabela detaje


 


Anketimi u zhvillua dy muaj më parë në 12 qarqe me intervista të drejtpërdrejta të 1200 personave


 


Vetëm 12 për qind e shqiptarëve është e mendimit se përgjegjës për këtë proces është komuniteti ndërkombëtar


 


Tetë vite më parë, Shqipëria konsiderohej një nga vendet më “eurodashëse” në kontinent


 


Rreth 30 për qind e shqiptarëve mendojnë se anëtarësimi në BE ka rëndësi kryesore për Shqipërinë


 


Ndërsa 50 për qind të tjerë thonë se këtë vit, integrimi është hap i rëndësishëm, por jo kryesor


 


Mbi 40 për qind e tyre kërkojnë që BE-ja ta integrojë Shqipërinë edhe pse ajo nuk është gati nga standardet