ELVIN NURIU
Deklarata e ambasadores së Republikës Çeke në Tiranë nuk është një qëndrim surprizë, por një konstatim që prej kohësh qeveria e shkuar e shtetit shqiptar i dha fare pak rëndësi, edhe pse për nga rëndësia në anën financiare kjo mbetet një çështje tepër serioze. Ndërmjetësimi në fillim të këtij viti për fatin e aksioneve të CEZ Shpërndarjes në Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes (OSSH), midis CEZ s.a. Çeki dhe qeverisë shqiptare nuk ishte preludi për një fitore, por fillimi për gjetjen e një rrugëzgjidhjeje të qëndrueshme që statusi i radhës mos mbetej sërish në tentativë.
Në fakt, nëse marrim në konsideratë pengesën e Greqisë për anëtarësimin në NATO të Maqedonisë apo rastin e Sllovenisë kundër hyrjes në BE të Kroacisë, një sukses i mundshëm për marrjen e statusit pa zgjidhur më parë mosmarrëveshjen tregtare me vlerë 200 milionë euro me shtetin çek do të ishte një mundësi e humbur për shoqërinë CEZ, kjo bindje forcohet kur kupton se shoqëria CEZ s.a. është shoqëri me kapital shtetëror dhe mbrojtja e kësaj shoqërie është mbrojtje e interesit publik të atij shteti. Në lidhje me këtë çështje, mospozicionimi i përfaqësuesve të qeverisë çeke së bashku me aleatët tanë që votuan pro marrjes së statusit dhjetorin e shkuar, nxori në pah vendosmërinë e çekëve për të zgjidhur këtë mosmarrëveshje. Ky ishte sinjali i parë për qeverinë e pas 23 qershorit që duhej marrë shumë seriozisht.
Kërkesa e palës çeke për zgjidhjen e mosmarrëveshjes është paraqitur para Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit në Vjenë (ICC Viena) duke u bazuar në kontratën e nënshkruar dhe prej së cilës kërkon 200 milionë euro si dëmshpërblim i ardhur nga dëmi kontraktor, sido që të jenë negociatat për të zgjidhur këtë çështje jashtë Gjykatës së Arbitrazhit, shoqërisë paditëse i duhet minimalisht 50% e totalit të kërkuar në arbitrazh, minimalisht 100 milionë euro për t’u tërhequr nga kërkesë-padia, vlerë e cila justifikohet në përmbajtjen e padisë.
***
Zgjidhja ose përqasja e praktikës për zëvendësimin e administrimit të CEZ Shpërndarjes nga qeveria e atëhershme ishte e gabuar, në fakt as Enti Rregullator i Energjisë (ERE) nuk ka qenë i qartë në lidhje me të ardhmen e shoqërisë pas largimit të çekëve. Marrëdhëniet administrative midis dy subjekteve CEZ-ERE mund të konsiderohen deri diku të drejta për sa i përket monitorimit dhe këshillimit brenda kuadrit ligjor shqiptar të tregut të energjisë, por përqasja e marrëdhënieve në situatat e reja të ndikuara nga tregu ndërkombëtar i energjisë në lidhje me plotësimin e kërkesave me energji importi në vend, për sa u përket tarifave dhe taksave, nuk ishte nga më të mirat. “CEZ Shpërndarje u detyrua të blejë shtrenjtë dhe të shesë lirë!” Kjo ishte një nga deklaratat e drejtuesve të lartë të CEZ s.a., deklaratë e cila, edhe nëse vërtetohet të ketë qenë e vërtetë, nuk e bën plotësisht përgjegjëse palën shqiptare, sepse kjo situatë duhej të ishte llogaritur nga operatori që në fillimet e operimit, përveç këtij argumenti, penalitetet e CEZ Shpërndarjes arrijnë në 4 milionë USD nga ERE, dhe në mbi 30 milionë USD nga Tatimorët, si rezultat i TVSH-së së pambledhur nga konsumatorët që nuk e paguanin faturën e energjisë elektrike, përfshirë këtu edhe vetë institucionet shtetërore dhe konsumatorët privatë. Gjatë 9 muajve të parë të vitit 2012, sipas deklaratave të zyrtarëve të CEZ s.a., humbjet në filialin e Shqipërisë arrinin në 190 milionë USD, humbje të ardhura nga shitja nën kosto e energjisë, të cilat dhanë ndikim të drejtpërdrejtë për shoqërinë mëmë në tregjet ndërkombëtare. Sigurisht që kjo situatë kishte ardhur si pasojë e detyrimit për të furnizuar konsumatorët shqiptarë me çdo kusht, duke respektuar kontratën-ligj. Edhe pse për shkak të thatësirës, e cila solli pamjaftueshmëri furnizimi me energji vendase me çmim më të lirë, CEZ iu përmbajt kushteve kontraktore, duke pësuar humbjet. Më 8 tetor 2012, në një intervistë për një revistë të përjavshme ekonomike, vetë Daniel Benes, atëherë ceo i CEZ s.a., deklaron se “në pamundësi për të gjetur një rrugëzgjidhje pranojmë si opsion largimin nga Shqipëria”, duke mos cituar klauzolat e arbitrazhit ndërkombëtar apo kompensime të mundshme pas largimit.
Veprimet e Avokatisë së Shtetit, duke e dërguar mosmarrëveshjen në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës për gjykim gjatë nëntorit 2012 për të ndaluar ndërprerjen e energjisë institucioneve shtetërore që nuk e paguajnë, ka qenë si “një dhuratë nga lart” me të gjitha efektet për palën çeke. Kjo, në bazë të jurisprudencës ndërkombëtare, duke konsideruar masat administrative të ardhura nga enti dhe tatimet më parë, mund të interpretohet ndryshe si “mënyra nënshtrim për shtetëzimin e shoqërisë”.
***
Si fillim, përqasja e kësaj çështjeje në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës ka qenë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare tregtare dhe mbi të gjitha me kontratën (ligji nr. 10 116, datë 23.04.2009) dhe rregullat e Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë (ICC rules), dërgimi për marrjen e masave të përkohshme/emergjente para kësaj gjykate pa praninë dhe konsensusin e palës tjetër (CEZ Shpërndarje) ka qenë në kundërshtim me parimet e së drejtës ndërkombëtare tregtare. Kryesorja është që vetë gjykata ka dhënë një vendim, i cili në themel është diskriminues dhe penalizon rëndë shoqërinë për të ushtruar aktivitetin legjitim në të drejtën e asaj që i ka dhënë ligji në bazë të kontratës, që është ai i arkëtimeve nga konsumi i energjisë elektrike, nga konsumatorët publikë apo privatë të organizuar në çdo lloj forme. Në fund të fundit, masa e ndërprerjes së energjisë ka qenë e mbështetur në faktin e mospagimit të energjisë së konsumuar, këtë herë nga entet publike, të cilat nuk e kanë paguar energjinë e konsumuar për muaj me radhë duke akumuluar shuma të konsiderueshme debie. Nëse kjo masë shqyrtohet nga Gjykata e Arbitrazhit, masa e marrë nga Gjykata e Tiranës do të vlerësohet si dëm kundrejt shoqërisë CEZ dhe shteti shqiptar është në shkelje të rëndë kontraktore. Në asnjë rast shteti shqiptar, nëpërmjet Avokaturës së Shtetit, nuk është ankuar i pari në Gjykatën e Arbitrazhit në bazë të kontratës dhe sipas nenit 13 të kontratës-ligj, për mospagimin e gjobës së tatimeve prej 30 mln USD dhe as në rastin e entit me 4 mln USD. Gjoba, të cilat ende rezultojnë të pashlyera. Gjithashtu, nuk është ankuar në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit as për investimet e lëna pezull dhe as për heqjen e licencës ashtu siç thuhet në kontratë, por me veprime jashtë-kontraktore është shpronësuar pronari i ligjshëm CEZ s.a., duke mënjanuar zbatimin e kontratës në bazë të konventave të rëndësishme që bëjnë të mundur aplikimin e normave universale për mosmarrëveshje të tilla.
Sipas gjasave, duke u mbështetur në “listën e borxheve” të qeverisë për vitin 2014, kjo çështje ka shumë mundësi të përfundojë në Gjykatën e Arbitrazhit Ndërkombëtar në Vjenë, pasi nuk është përllogaritur një vlerë kaq e madhe. E gjithë çështja është e përbërë në themel nga një “mishelë vendimesh administrative” nga ERE, Tatimet, CEZ Shpërndarje dhe institucione të tjera, të cilat nga ana e shtetit shqiptar duhen të jenë të argumentuara mirë përpara panelit të arbitrave. Duhet pasur kujdes që përgjegjshmëria e qeverisë që iku të mos trashëgohet te qeveria që udhëheq sot vendin, në panel nuk njihen deklaratat politike apo shkresat pa bazë ligjore të përgatitura nga funksionarët shtetërorë. Një argumentim i gjerë i fakteve me prova bindëse, i mbështetur me akt-ekspertime të certifikuara, akte shkresore të mbështetura në ligjet/rregulloret përkatëse, akt-ekspertime me përllogaritje të sakta të dëmeve të ardhura si pasojë e ndërprerjes së energjisë elektrike, do të forcojë pozitën e shtetit shqiptar përballë paditësit CEZ s.a. në Gjykatën e Arbitrazhit.
Statusi vihet në pikëpyetje në këtë situatë ku jemi, jo vetëm për shkak të situatës së brendshme politike brenda BE-së, pas zgjedhjeve të fundit për Parlamentin Europian, por dhe për shkak të kësaj çështjeje. Ndoshta me të drejtë çekët e konsiderojnë si rastin më të mirë për të përfituar maksimalisht mbi një shtet me shumë probleme si Shqipëria.
***
Tri janë opsionet e mundshme për të sheshuar mosmarrëveshjen në mënyrë që statusi të mos mbetet në tentativë nga kjo çështje: t’i jepet CEZ atë që kërkon, pra plot 200 milionë euro, por që është opsioni më i keq për financat publike në këtë situatë ku jemi. Opsioni tjetër është vazhdimi i zgjidhjes së çështjes në Arbitrazhin Ndërkombëtar në Vjenë dhe prej andej të përgatitemi për të keqen më të vogël, sado e madhe qoftë. Ndërsa opsioni i tretë dhe më ekonomiku për situatën ku jemi, është që të vazhdojmë me ndërmjetësimin, i cili ka disa opsione, siç është edhe një rikthim i mundshëm i shoqërisë CEZ pa kompensim dhe pa ndryshime thelbësore në kontratë. Një rikthimi i mundshëm i CEZ Shpërndarje në Shqipëri është një opsion, i cili duhet të merret në konsideratë edhe në këtë periudhë ku ndodhemi. Kjo ndoshta do ta ulë konsiderueshëm kërkesën për dëmshpërblim, do t’i jepte shoqërisë atë që i takon, në kuptim të pronësisë së 76% të aksioneve të OSSH-së, si dhe duke qenë një njohës i mirë i tregut energjetik në rajon dhe Shqipëri, shoqëria ndoshta nuk do përsërisë të njëjtat gabime që ka bërë në të shkuarën.
Eksperiencat si CEZ Shpërndarje dhe të tjerat që do të pasojnë, janë praktika të “dhembshme referimi” që duhet t’i shërbejnë administratës së re si precedent për të mos vepruar ashtu siç deri tani kanë vepruar administratat shtetërore të shkuara, të cilat mund edhe të perifrazohen si forma revolucionare që hera-herës janë ndikuar nga interesat. Trashëgimia e mosmarrëveshjeve të lëna pezull nga qeveria e shkuar me shoqëritë tregtare të huaja janë të shumta për një vend të vogël si Shqipëria, por pozicioni strategjik i vendit tonë në prodhimin dhe shpërndarjen e energjisë (TAP dhe HEC-et), si dhe burimet natyrore (miniera dhe hidrokarbure) e bëjnë ende tërheqës vendin tonë për thithjen e investimeve të huaja. Por këtij fakti i duhen nisma konkrete për miradministrimin e marrëdhënieve koncesionare, të huaja apo vendase qofshin, është i domosdoshëm për kushtet ku jemi që interesi publik të prevalojë mbi atë privat, për këtë duhen studiuar dhe krahasuar praktikat më të mira ndërkombëtare për menaxhimin e pasurive publike.
Edhe nëse kjo barrierë e vendosur me duart tona kohë më parë kalohet pa pasoja, integrimi ynë sërish mbetet në udhëkryq, pasi euroskeptikët që tashmë janë riformatuar në ekstremistë të djathtë, do të synojnë t’i vendosin shkopinj nën rrota integrimit shumë të vonuar të vendit tonë. Le të shpresojmë se shqetësimi ynë është hamendje…