Raporti: Shqipëria, rritje 2.1% në 2014, llogaria korrente përkeqësohet
Zamir Alushi
Shqipëria duhet të bëjë kujdes me borxhin publik dhe kreditë me probleme. Kjo porosi vjen nga raporti i qershorit i Bankës Botërore “Perspektiva Ekonomike Globale”.
Rritja ekonomike
Për Shqipërinë parashikohet një rritje prej 2.1% në vitin 2014, për t’u përshpejtuar më pas në 3.3% në 2015 dhe 3.6% në 2016-n. Ndërkohë, bilanci i llogarisë korrente pritet të përkeqësohet, nga -10.3% e PBB-së në vitin 2014, në -14.8% të PBB-së në 2016, duke qenë nga më të lartët në gjithë rajonin e Europës Qendrore Lindore e Juglindore. Rritja e konsumit privat do të vijojë të jetë në tendenca negative, edhe për vitin 2014, me -1.2%, për t’u kthyer pozitive në vitet në vijim, përkatësisht 4.3% dhe 4.7% në 2015 dhe 2016. Për ekonominë globale, raporti parashikon që pavarësisht dobësive fillestare, rritja pritet të gjallërohet me kalimin e vitit dhe PBB-ja botërore pritet të zgjerohet me 3.4% në 2015 dhe 3.5% në 2016 – duke qenë gjerësisht në linjë me parashikimet e mëparshme.
Rreziqet
Veçanërisht për Shqipërinë, Bullgarinë, Bosnjë dhe Hercegovinën, Maqedoninë, Malin e Zi, Serbinë, ka rreziqe që do të ndikojnë në rritjen ekonomike, duke iu referuar përmbytjeve shkatërruese (sidomos në Serbi dhe Bosnjë-Hercegovinë) dhe në periudhën afatmesme ndaj papunësisë ende të lartë, borxhin e lartë të sektorit publik dhe rimëkëmbjen e ngadaltë të huas bankare dhe në disa raste rritjen e kredive me probleme. Edhe pse niveli i lartë i kredive të këqija nuk ka shkaktuar paqëndrueshmëri serioze në sektorin financiar deri tani, teksa këto hua janë të mirë provigjionuara dhe të mbështetura nga kapital i mjaftueshëm, nëse këto rreziqe nuk zgjidhen, mund të destabilizojnë më tej sektorin e brishtë financiar dhe të kërcënojnë rimëkëmbjen e kredisë dhe perspektivën e rritjes. Në të njëjtën kohë, paralajmëron raporti, mungesa e progresit në konsolidimin fiskal dhe përpjekjet e pamjaftueshme në zgjidhjen e problemeve strukturore (p.sh., fatura e madhe e pagave në sektorin publik, transfertat e kushtueshme sociale, ristrukturimi i ndërmarrjeve shtetërore) lënë pak hapësirë fiskale për veprime të guximshme të politikave që do të përballeshin me kërcënimet deflacioniste.
Porosia e Laura Tuck
“Veprimi i menjëhershëm i politikave ndaj krizës globale ishte i dobët, duke e zgjatur periudhën me investime dhe rritje të ulët, duke kthyer pas përparimin e bërë në pakësimin e varfërisë dhe duke ashpërsuar çekuilibrat makroekonomike dhe fiskale duke e çuar borxhin publik në nivel paralizues”, konstatoi Laura Tuck, zëvendëspresidente e Bankës Botërore për Europën dhe Azinë Qendrore, e cila ishte në Tiranë me rastin e firmosjes së huas rreth 220 milionë dollarë. Shqipëria u paralajmërua në fund të vitit të kaluar për borxhin nga Standard & Poor’s, por më pas vlerësimi u përmirësua nga B+ në B.