Polemikat
Skolari kujton 5 trofetë “pa ndihma”, por mediat braziliane i rreshtojnë favoret ndaj “seleçaos”
Juiçi Nishimura është padyshim protagonisti kryesor i ditëve të para të Botërorit. Gjyqtari japonez i cili drejtoi takimin e hapjes së Botërorit, me vendimet e tij ka irrituar kroatët që e kanë akuzuar hapur për njëanshmëri në favor të ekipit vendas. Kartoni i kuq i padhënë ndaj Neimar, penalltia e Fred apo goli i anuluar, janë disa nga episodet që kanë shtyrë futbollistë kroatë të shpërthejnë në polemika menjëherë pas ndeshjes.
Dejan Lovren, lojtari protagonist i momentit të penalltisë, mendon se kjo është mënyra se si gjyqtarët po shtyjnë Brazilin drejt trofeut të Kupës së Botës. “Nëse gjërat vazhdojnë kështu, atëherë më mirë t’ia japin direkt trofeun Brazilit. Nuk ishte e vështirë për t’u kapërdirë vetëm nga unë, por nga të gjithë njerëzit që panë ndeshjen. Është turp, që e kanë parë 2 miliardë njerëz, është turp për një gabim të tillë me të cilin nuk pajtohem. Sigurisht jam i nervozuar, më vjen të qaj, por çfarë të bësh? E pyeta edhe gjyqtarin si ishte e mundur që dha një vendim të tillë dhe ai nuk dinte çfarë të përgjigjej. Problemi ishte se gjyqtari nuk dinte anglisht. Si mund të jesh gjyqtar në Kupën e Botës dhe të mos flasësh anglisht?”, tha Lovren. Të njëjtin mendim ndante edhe shoku i tij i skuadrës, Vedran Çorluka. “Mendoj se është e turpshme, nëse një gjë e tillë vazhdon, askush nuk duhet të luajë ndaj Brazilit, më mirë t’i japim menjëherë Kupën dhe të shkojmë në shtëpi. Çdo vendim 50/50 jepej në favor të brazilianëve dhe mendoj se Neimar gjuajti Modriç me bërryl. Pastaj ishte penalltia. Ne shënuam gol, ai e anuloi. Ishte turpëruese, pasi ishte ndeshja e hapjes së Botërorit dhe njerëzit prisnin më shumë. Ai ishte i prirur për të dhënë penalltinë dhe kjo mund të ndodhë. Por më pas u bë qesharake, pasi ai dëshironte të jepte diçka në favorin tonë. Mendoj se nuk duhet lejuar të gjykojë më. Nuk fajësoj kurrsesi lojtarët brazilianë, por nuk kam parë asnjëherë në Botëror një gjyqtar që nuk di anglisht. Ishte shumë qesharake, pasi ai mundohej t’u fliste lojtarëve në japonisht. Sigurisht që nuk e kuptonim, nuk kishim japonezë në skuadër”, tregoi mbrojtësi kroat.
Kritikave kroate është munduar t’u kundërpërgjigjet Luiz Felipe Skolari. “E kam parë në përsëritje dhe ishte penallti. Pastaj mos harroni që Brazili ka 5 Kupa Bote dhe i ka fituar pa ndihma”, ishin fjalët e trajnerit brazilian. Por menjëherë pas kësaj deklarate, mediat braziliane janë kundërpërgjigjur duke postuar listën e ndihmave në favor të “seleçaos” në Botërorët e mëparshëm. Ata kanë kujtuar se në vitin 2002, kur Skolari fitoi trofeun e pestë të Brazilit, ndihma erdhi në ndeshjen në grup ndaj Turqisë, ku gjyqtari koreanojugor Kim Jung-Jo akordoi një penallti në favor të Brazilit të transformuar saktësisht nga Rivaldo në minutën e 87-të, edhe pse faulli ishte jashtë zonës. Më pas, Unal i Turqisë u ndëshkua me karton të kuq pas një simulimi po të Rivaldos. Në të njëjtin edicion, ndihma tjetër ishte në ndeshjen e 1/16 ndaj Belgjikës, kur gjyqtari Peter Prendergast nga Xhamajka, anuloi në mënyrë të pakuptimtë një gol të rregullt të Vilmots kur rezultati ishte 0-0. Ndihma e Kupës së Botës së fituar në vitin 1994, ishte në çerekfinalen ndaj Holandës, kur gjyqtari Rodrigo Sekueira nga Kosta Rika akordoi golin e dytë të Bebetos në pozicion të parregullt, ndërsa dha një faull të pakuptimtë nga i cili Branka shënoi golin e fitores 3-2. Duke u kthyer më pas në kohë, mediat braziliane kanë rreshtuar ndihmën e Kupës së tretë, atë të vitit 1970. Asokohe, në gjysmëfinalen kundër Uruguait, Pele goditi me bërryl me dashje një kundërshtar, por gjyqtari spanjoll Hose Maria Mendibil, jo vetëm nuk e ndëshkoi, por edhe dha faull në favor të tij. Edhe trofeu i fituar në vitin 1962 kishte disa ndihma. E para ishte në ndeshjen kundër Spanjës, kur gjyqtari Serxhio Bustamante nga Kili anuloi një gol të rregullt të Pushkash. Më pas, Nilton Santos shkaktoi faull në zonë, por mbrojtësi bëri dy hapa duke dalë jashtë zonës dhe për gjyqtarin mjaftoi që të mos akordonte penallti. Ndihma më e bujshme ishte në gjysmëfinale, kur Garrinça u ndëshkua me karton të kuq nga gjyqtari Arturo Maldonado nga Peru. Por ky i fundit çuditërisht u zhduk para finales pa dorëzuar procesverbalin e ndeshjes, ndërsa kjo i mjaftoi FIFA-s për t’i dhënë leje Garrinças të luante në finale.
Tifozët
Në rrjetet sociale janë shpërndarë me shpejtësi foto të gjyqtarit Nishimura, duke e rreshtuar si pjesë të ekipit të Brazilit