Pas pezullimit dyjavor, nga puna, për verifikimin e dyshimeve për shkelje, shkarkohet nga detyra drejtoresha e Arsimit, Tiranë
Masa
Vendimi është marrë dy ditë më parë, nga komisioni disiplinor në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit: “Largim nga Shërbimi Civil”
MAS
Burime zyrtare në Ministrinë e Arsimit bëjnë me dije se shkeljet e bëra nga Mimoza Kuqi, do të bëhen publike ditën e hënë
Kuqi
Vendimi i komisionit disiplinor është i padrejtë dhe unë do ta kërkoj të drejtën time, në rrugë gjyqësore
Verifikohen shkeljet. Ish-drejtoresha: Vendim i padrejtë, do ta ndjekë në rrugë gjyqësore
Shpresa Mezini
Pas pezullimit dyjavor, nga puna, si afat kohor, për verifikimin e dyshimeve të ngritura për shkelje, shkarkohet nga detyra drejtoresha e Drejtorisë Arsimore, Mimoza Kuqi. Shkak, sipas komisionit disiplinor në Ministrinë e Arsimit janë bërë shkeljet e kryera prej saj, ndërsa dosja me informacione më të hollësishme të abuzimeve, ndodhet në Prokurorinë e Tiranës. Masa është marrë dje nga komisioni disiplinor në Ministrinë e Arsimit, i cili vendosi: “Dhënien e masës disiplinore ‘Largim nga Shërbimi Civil’ të drejtoreshës së DART, znj. Mimoza Kuqi. Kundër këtij vendimi mund të paraqitet ankimim, brenda 45 ditëve në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë, Tiranë. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”. Vendimi është marrë dy ditë më parë, ndërsa mban vulën e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, si edhe firmën e kryetarit të komisionit disiplinor në MAS, Plarent Ndreca.
Mësohet se komisioni ka verifikuar disa shkelje, që dyshoheshin se ishin kryer nga drejtoresha e DAR Tiranë, (aktualisht ish-drejtoreshë), Mimoza Kuqi, për rrjedhojë ka marrë, jo vetëm masën për shkarkim të menjëhershëm, por edhe vendimin për t’u ndjekur penalisht. Burime zyrtare në Ministrinë e Arsimit bëjnë me dije se shkeljet e bëra nga Mimoza Kuqi, do të bëhen publike ditën e hënë, ato të cilat u bënë edhe shkak për largimin e saj nga detyra rreth 6 muaj pas emërimit në krye të këtij posti, në dhjetor të vitit 2013. Ndërsa zonja Kuqi, e pyetur nga gazeta “Shqip”, lidhur me vendimin zyrtar për shkarkimin e saj thotë: “Vendimi i komisionit disiplinor është i padrejtë dhe unë do ta kërkoj të drejtën time, në rrugë gjyqësore”.
Ndonëse shkeljet nuk bëhen ende publike, burime për gazetën sqarojnë se zonja Kuqi ka shkelur në mënyrë të vazhdueshme rregulloren për emërimet e mësuesve, në periudhën, kur në këto institucione po ndryshonin drejtorët, të cilët thuhen se janë zgjedhur me konkurs, duke mos i konsideruar më poste politike. Por, kjo nuk ishte akuza e vetme, një tjetër shkelje e rëndë, që thuhet se është bërë nga drejtoresha e DAR Tiranë, në atë kohë, ishte ndryshimi, pa arsye i një kontrate, që drejtoria arsimore kishte me një bankë të nivelit të dytë, ku arsimtarët tërhiqnin prej vitesh, për çdo muaj pagat mujore, duke ia kaluar kontratën një tjetër banke, po të nivelit të dytë.
“Në prill të këtij viti në shkollën tonë, erdhi një punonjës banke, klasë më klasë, i cili përveçse tha se ishtë përfaqësues i X banke, na bëri me dije se kishte ardhur në emër të Ministrisë së Arsimit dhe Drejtorisë Arsimore, Tiranë. Natyrisht që e besuam, sepse nuk ka ndodhur kurrë më parë, që të vijë një punonjës ‘i rremë’ në emër të Ministrisë së Arsimit. Pasi na tregoi për politikat dhe shërbimet që ofron kjo bankë, na tha se ka urdhër nga Ministria e Arsimit, që të gjithë mësuesit të plotësojnë formularët e aplikimit për të transferuar rrogat nga banka ku i kemi marrë prej vitesh, te një bankë e nivelit të dytë. Plotësuam formularët me të dhënat personale, ndërsa me procedurat e tjera formale janë marrë vetë punonjësit e bankës. Procedurat e transferimit zgjatën rreth një muaj, ndërsa që prej muajit maj, ne i kemi marrë rrogat te një bankë e nivelit të dytë, jo më te e para, duke pasur parasysh që ishte urdhër i MAS, sipas pretendimit të punonjësit të bankës”, shpjegoi për gazetën “Shqip”, mësuesja e një shkolle 9-vjeçare, në kryeqytet. Ajo theksoi se bashkë me kolegë të tjerë ishin të pakënaqur me shërbimin që ofronte banka e re, dhe me të mësuar lajmin për pezullimin e drejtoreshës së DAR Tiranë, iu rikthyen bankës së vjetër, për të tërhequr pagën mujore.
Ish-drejtoresha e DAR, Tiranë, Mimoza Kuqi, nuk diskutohet për herë të parë në media. Emri i saj u përmend, nga ish-kryeministri i vendit, Sali Berisha, fill pas emërimit të saj në krye të këtij posti, i cili theksoi se zonja në fjalë kishte qenë pjesë e një spoti elektoral të PS-së, gjatë zgjedhjeve të qershorit të vitit 2013.
Reagimi
Dje, maturantët e disa shkollave në Tiranë protestuan para MAS, duke kërkuar rivlerësimin e tezave të letërsisë dhe gjuhës shqipe
Përjashtimi
Sipas AKP-së, rivlerësim bëhet vetëm në rastet kur në fletën e provimit vërehen gabime teknike apo sekretime të gabuara
Korrigjimi
Korrigjuesit e testeve janë mësues me mbi 5 vite përvojë në arsim. Testet vlerësohen dy herë dhe verifikohen nga një i tretë
Letërsia
Maturantët në protestë: Rishikoni vlerësimin
Rregullorja e MAS nuk parashikon rikorrigjim. Tezat kanë kaluar në tre duar
Rezultatet e provimit të Letërsisë së maturës së këtij viti, ishin më të dobëtat në vite. Është kjo arsyeja, pse maturantët e disa prej shkollave të mesme në Tiranë protestuan paraditen e djeshme për notat me të cilat ata janë vlerësuar në provimin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Përpara dyerve të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, ata kërkuan me zë të lartë rishikimin e tezave të provimeve, pasi sipas tyre janë vlerësuar më pak nga se e kanë merituar. Nxënësit këmbëngulin se kanë dhënë të njëjtat përgjigje, me ato të publikuara te çelësi i përgjigjeve në faqen zyrtare të ministrisë së Arsimit, por, pavarësisht këtij fakti, kanë marrë më pikë, nga çfarë parashikohej. Maturantët thonë se protestat e tyre do të vazhdojnë, madje ditën e hënë kanë bërë thirrje për organizimin e një proteste tjetër masive me maturantë nga të gjitha shkollat e mesme të vendit.
Por, ndërsa nxënësit kërkojnë rishikimin e tezave, bazuar në rregulloren e maturës, rezulton se një kërkesë e tillë, nuk do të mund të aprovohet nga ministria e arsimit, duke qenë se rivlerësimi, nuk parashikohet në asnjë pikë të saj. Kjo, pasi referuar këtij dokumenti, vlerësuesit janë të kualifikuar dhe të trajnuar, për vlerësimin e tezave të provimeve të maturës, të cilat kalojnë nëpër tri duar. E kundërta, sipas agjencisë kombëtare të provimeve, ndodh në rastet kur në fletën e provimit vërehen gabime teknike, sekretime të gabuara apo hedhje të gabuar të pikëve.
“Korrigjuesit e testeve janë mësues të shkollave të mesme me një përvojë jo më pak se 5-vjeçare në arsimin e mesëm. Testet e nxënësve vlerësohen në mënyrë të pavarur nga dy korrigjues dhe verifikohen nga një i tretë. Bazuar në Rregulloren e MSH, nxënësi ka të drejtën e kërkesës për të marrë fotokopjen e testit. Kjo kërkesë paraqitet në shkollë, e cila më pas kërkesat e mbledhura i dërgon pranë DAR-it përkatës ose ZA-së. Më pas, kërkesat e nxënësve dërgohen në mënyrë zyrtare në AKP”, parashikohet në rregulloren e Maturës Shtetërore për vitin 2014. Maturantët kanë të drejtë të kërkojnë fotokopjen e një apo më shumë teze, vetëm pas përfundimit të të gjitha provimeve të maturës, ato të detyruara dhe me zgjedhje. Ndërsa institucioni që vë në dispozicion fotokopjen e provimeve është Agjencia Kombëtare e Provimeve, e cila, sipas rregullores së maturës së këtij viti, ia dërgon me postë, drejtorisë arsimore rajonale përkatëse, me postë.
Sipas zëvendësministres së Arsimit, Nora Malaj, në provimin e letërsisë dhe gjuhës shqipe kanë shkëlqyer tre nxënës në rang vendi, të vetmit që kanë arritur të grumbullojnë 50 pikë të plota. Rreth 435 maturantë janë vlerësuar me notën 10, ndërsa mbi 2400 nxënës janë mbetës. Mësohet se në provimin e letërsisë, ka mbizotëruar nota mesatare 7. Sh.Mezini
Vizita
Ndoka: Papa Françesku viziton Shqipërinë në shtator
Papa Françesku do të vizitojë vendin tonë më datë 21 shtator. Lajmin e bën të ditur deputeti Nard Ndoka, nëpërmjet një statusi, në rrjetin e tij social, Facebook. “Një lajm shumë i mirë për besimtarët katolikë dhe Shqipërinë, më datë 21 shtator Papa Francesku do vizitojë vendin tonë. Vëmendja e gjithë botës do jetë te Shqipëria, bekimi i Papës së Shenjtë do jetë për ne”, shkruan Ndoka në Facebook.
