TVSH-ja dhe tatimi mbi fitimin, në krye të rritjes së të ardhurave të Tatimeve


briseda shehajTatimi mbi Vlerën e Shtuar dhe tatimi mbi fitimin, sipas tabelës krahasuese të përpiluar nga Sektori i Statistikave të Tatimeve, udhëheqin rritjen e të ardhurave të mbledhura për 5-mujorin e parë 2014. Ndërkaq, nga një vlerësim i 5-mujorëve të parë të pesë viteve të fundit, del se të ardhurat bruto të mbledhura nga tatimet, 70.817.365.000 lekë, janë më të lartat. Kjo përkon me parashikimet e BB-së dhe FMN-së për nisjen e rigjallërimit të ekonomisë në fillim të vitit 2014. Gjithashtu, ky rezultat rrëzon parashikimet e skeptikëve se paketa fiskale e vendosur nga qeveria nuk do të funksiononte. Realizimi i të ardhurave të mbledhura për 5-mujorin, janar–maj 2014, tregon një rritje prej 10.97% krahasuar me janar–maj 2013, me një total 70.8 miliardë ose mbi 7 miliardë lekë më shumë. Totalin e të ardhurave të mbledhura më shumë për këtë periudhë, e përbëjnë rreth 1.4 miliardë lekë ose 10.4% më shumë TVSH, 1.92 miliardë lekë ose 25.32% më shumë tatim mbi fitimin, 2 miliardë lekë më shumë ose 8.83% më shumë kontribute të sigurimeve shoqërore, 621 milionë lekë ose 13.7% më shumë taksa kombëtare. Edhe pushteti vendor ka grumbulluar afro 8% më shumë të ardhura, ku taksat mbi pasurinë (banesat) janë rritur me afro 36%. Ndërkaq të ardhurat nga taksat për biznesin e vogël kanë rënie 45% duke reflektuar uljen e taksave për këtë kategori. Gjithashtu tatimi mbi të ardhurat regjistron ulje në statistikat e 5-mujorit krahasuar me vitet e tjera, sepse është aplikuar heqja e taksës së sheshtë dhe është vendosur taksa progresive për taksimin e pagave. Krahasuar me 5-mujorin e parë të vitit 2013 vlera e mbledhur nga tatimi mbi të ardhurat është 9% më e ulët. Muaji maj 2014 sjell një konsolidim në mbledhjen e të ardhurave. Të ndara sipas zërave, ato janë: Kontribute të Sigurimeve Shoqërore janë mbledhur 4.65 miliardë lekë ose 554 milionë lekë më shumë se maj 2013, me një rritje prej 13.52% më shumë se kjo periudhë e mëparshme; TVSH, janë mbledhur 2.54 miliardë lekë; Po kështu, rimbursimi faktik i TVSH-së për muajin maj është 929,7 milionë lekë, ose rreth 20.8% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2013; Tatim mbi Fitimin, gjatë muajit maj janë mbledhur 1.53 miliardë lekë, 36% më shumë ose rreth 405 milionë lekë më shumë se maj 2013. Një shifër që tregon zbutjen e marrëdhënieve me biznesin është ajo e dënimeve administrative. Për 5-mujorin e parë 2014 janë 28.847.000 lekë ndëshkime të tilla kundrejt 31.265.000 lekë gjoba të vendosura në këtë periudhë të vitit të kaluar. Ndërsa viti 2012 shënon kulmin e gjobave të vendosura, me 74.359.000 lekë.


Zamir Alushi