[callout]Fundi i betejës – Hyrja në qendër të fshatit e një patrulle të policisë speciale, e mbështetur nga tri automjete të blinduara, shënoi një fillim të ri për banorët e Lazaratit


Bllokimi i rebelëve – Veprimi i parë i policisë ishte bllokimi i shtëpisë, ku ishte instaluar mitralozi i rëndë, që gjatë gjithë kohës kishte vjellë zjarr mbi pozicionet e policisë[/callout]


Policia hyn në zemër të fshatit, operacioni mbyllet pa asnjë viktimë


Kapitullimi i rebelëve u shënua në orën 17:00 të pasdites, kur forcat speciale hynë në zemër të fshatit


Engjëll Serjani



Për herë të parë, pas të paktën 15 vitesh, shteti shqiptar ka mundur të vendosë nën kontroll “republikën e kanabisit”, fshatin rebel Lazarat. Pas pesë ditësh operacion, nën breshërinë e plumbave, mortajave, por edhe sulmeve politike nga opozita e vendit, forcat policore, duke shmangur edhe viktimat në këtë betejë të ashpër me trafikantët dhe kultivuesit e kanabisit, kanë arritur të fitojnë hap pas hapi komunën famëkeqe të njohur në mbarë Europën, të hyjnë në “zemër” të saj dhe të vendosin rendin e sigurinë për të gjithë banorët.


Dita finale e operacionit


Dita e pestë e operacionit special dhe në shkallë të gjerë të policisë, drejtuar nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi, dhe zëvendësi i tij, Sokol Bizhga, nisi me një shi të ftohtë. Ndonëse krismat nga qendra e fshatit ishin disi të rralla, sipas një prej pjesëtarëve të forcave speciale të policisë, që i lagur vazhdonte të monitoronte situatën dhe lëvizjet e grupit të rebelëve të armatosur nga shumë pranë, qitjet e tyre ishin mjaft të rrezikshme, pasi dilnin nga grykat e disa armëve snajperë të precizonit të lartë.


Rreth orës 08:00 nisi lëvizja dhe depërtimi hap pas hapi i forcave speciale nga disa pika të rrethimit për në brendësi të fshatit Lazarat, duke avancuar dhe duke ushtruar kontroll në territoret përreth banesave të komunës. Një orë më pas, grupe të përbërë nga 10-12 policë, të pajisur me mjete mbrojtëse dhe qen të stërvitur të antidrogës, raportojnë me radio se kanë gjetur dhe asgjësuar mbi 287 kg marijuanë dhe se kanë sekuestruar pistoleta, kallashnikovë dhe municione. Forcat e policisë vazhdojnë të shtrijnë kontrollin në disa zona shumë pranë shtëpive të qendrës nga ku qëllohej me mitraloz të rëndë gjatë këtyre ditëve, çka ishte një problem serioz për përparimin e policisë. Në zonat e pakontrolluara nga policia, vetë banorët vazhdonin të asgjësonin me anë të djegies hashashin e mbetur në fshat.


Në mesditë, rreth orës 15:00, operacionit i bashkohen dy helikopterë ushtarakë, të cilët u nisën nga aerodromi i qytetit të Gjirokastrës me një numër forcash speciale të FNSH-së e RENEA-s dhe zbarkuan sipër fshatit, në malin e Sopotit. Ata kishin detyrën për të depërtuar në brendësi të qendrës së Lazaratit nga ana perëndimore, ku ndodhet xhamia e fshatit. Në ato momente nuk kishte asnjë raportim për të shtëna. Me këtë lëvizje, forcat e policisë synonin të bllokonin arratisjen e pjesëtarëve të grupeve të armatosur nëpërmjet shpateve të malit të Sopotit.


Kapet mitralozi i rëndë


Në orët e pasdites, forcat nga pjesa e poshtme dhe nga lagjja juglindore i janë afruar shumë qendrës së fshatit dhe rreth orës 16:00, e kanë pushtuar atë fillimisht me mjete të blinduara dhe pak minuta më pas, me të gjitha forcat. Veprimi i parë i grupeve të policisë ishte bllokimi i shtëpisë, ku ishte instaluar mitralozi i rëndë, që gjatë gjithë ditëve dhe netëve të operacionit kishte vjellë zjarr mbi pozicionet ku ndodheshin trupat e policisë. Të parët në banesën e mitralozit kanë mbërritur forcat speciale, të transportuara në mal nga helikopterët, duke zotëruar kështu njërën nga bazat më të forta dhe më të rrezikshme të grupit kriminal. Kështu, trupat speciale kanë mundur të zotërojnë dhe sekuestrojnë një nga armët më të forta në duart e rebelëve, që ndodhej në një banesë në pjesën veriore të fshatit dhe që dominonte periferitë e tij. Nga policia u mësua se ajo ndodhej në banesën e familjes Mahmutaj, ku u gjetën 18 thasë me hashash dhe dhjetëra bimë kanabisi të mbjella, ndërkohë që në shtëpinë e familjes Gërveshi u gjetën dhe u sekuestruan rreth 150 kg dhe 200 bimë kanabis të mbjella në gropa.


Hyrja në zemër të fshatit


Pas këtij sulmi, rreth orës 17:00 të pasdites së djeshme, forcat e policisë mësynë fuqishëm dhe “pushtuan” çdo centimetër të fshatit Lazarat, të kështjellës rebele dhe të pamposhtur për më shumë se një dekadë të kultivimit dhe trafikimit të drogës në Shqipëri. Policia, përfundimisht, arrin të vendosë kontrollin e saj mbi një territor të Republikës së Shqipërisë, që më parë nuk kanë mundur ta bëjnë dot, nuk kanë mundur ta kontrollojnë dhe administrojnë sipas ligjeve në fuqi, të paktën qysh nga gusht-shtatori i vitit 1998.


Hyrja në qendër të fshatit e një patrulle të policisë speciale, e mbështetur nga tri automjete të blinduara, pas qëndresës pesëditore të grupeve të armatosura dhe inkriminuara, shënoi fundin e një situate antiligjore, krejt amorale, kur për hir të së vërtetës, shteti, njerëzit dhe institucionet e tij nuk kanë vepruar, por e kanë ndjekur përhapjen e së keqes si spektatorë të thjeshtë. Kësisoj, kjo komunë, ky territor, ku ligji dhe shteti për më shumë se 15 vjet kishin humbur kuptimin dhe respektin ndaj tyre, pas një operacioni policor që nuk zgjati më shumë se pesë ditë, më në fund përkulet dhe pranon autoritetin e shtetit dhe ligjit, duke shënuar vetëm katër të plagosur lehtë dhe asnjë viktimë. Sa e lehtë paskësh qenë?!


 


 


Rrezikshmëria


Ndonëse krismat nga qendra e fshatit ishin disi të rralla, sipas një prej pjesëtarëve të forcave speciale të policisë, që i lagur nga një shi i ftohtë në mëngjes vazhdonte të monitoronte situatën dhe lëvizjet e grupit të rebelëve të armatosur nga shumë pranë, qitjet e tyre ishin mjaft të rrezikshme, pasi dilnin nga grykat e disa armëve snajperë të precizonit të lartë