Taksat


[callout]Datat – 20 prill, 20 korrik, 20 tetor dhe 20 dhjetor, afatet për pagimin e kësteve të tatimit të biznesit të vogël


10 shkurt – Biznesi me qarkullim 2–8 mln lekë dhe 0-2 mln lekë në vit, dorëzon deklaratën vjetore tatimore më 10 shkurt


20 dhjetor – Bizneset me qarkullim 0-2 mln lekë, që çelen gjatë gjashtëmujorit të dytë, paguajnë detyrimin më 20 dhjetor


Vetëdeklarimi – Kur aktiviteti hapet dhe mbyllet brenda vitit, tatimi i biznesit të vogël vendoset mbi bazën e vetëdeklarimit


Parapagimi – Detyrimi ulet kur tatimpaguesi vërteton se tatimi i thjeshtuar mbi fitimin për këtë periudhë është më i ulët[/callout]


Zamir Alushi


taksatNdryshon mënyra e llogaritjes së tatimit për biznesin e vogël. Kështu, akoma pa kaluar gjashtë muaj nga ndryshimi i sistemit fiskal, qeveria reagon ndaj ankesave të biznesit të vogël, duke rishikuar normat tatimore për këtë kategori. Drafti për ndryshimet në ligjin “Për sistemin e taksave vendore” sapo ka mbërritur në Kuvend, ku pritet diskutimi dhe miratimi i shpejtë. Sipas ligjit në fuqi, tatimpaguesit me qarkullim vjetor nga 2 deri në 8 milionë lekë tatohen me shkallën tatimore 7.5 për qind mbi qarkullimin, kurse tatimpaguesit me qarkullim vjetor nga zero deri në dy milionë lekë, tatohen me një shumë fikse prej 25 mijë lekësh në vit. Nga ana tjetër, tatimi i thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël, për subjektet me qarkullim nga 2 deri në 8 milionë lekë, llogaritet në bazë të formularit të deklarimit tatimor të një viti më parë. Për këtë arsye, kjo taksë, për vitin 2014, e llogaritur mbi bazën e deklaratave të vitit 2013, rezulton në shumicën e rasteve më e vogël se 25 mijë lekë. Në këtë mënyrë, pra, tatimpaguesit me qarkullim nga 2 deri në 8 milionë lekë rezultojnë me ngarkesë fiskale më të vogël se tatimpaguesit me qarkullim nga zero deri në dy milionë lekë. Një gjë e tillë ka shkaktuar reagime të shumta te tatimpaguesit biznes i vogël. Sipas shpjegimit që bën Ministria e Financave, është propozuar që tatimi minimal i pagueshëm për tatimpaguesit me qarkullim vjetor nga 2 deri në 8 milionë lekë të jetë jo më i vogël se 25 mijë lekë në vit. Propozimi i mësipërm merr shkas nga reagimet e shumta të ardhura nga kjo kategori biznesesh, e cila deri në fund të vitit të kaluar paguante përkatësisht shumën 8 dhe 5 mijë lekë në vit. Pretendimi i tyre se, me futjen e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin në masën 25 mijë lekë në vit, ngarkesa e tyre fiskale rritet dukshëm, realisht qëndron. Prandaj, projektligji propozon disa shtesa mbi procedurën administrative të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin për biznesin e vogël. Kështu, janë propozuar ndryshime dhe shtesa në ligj, me qëllim që: a) të krijohet mundësia e llogaritjes proporcionale të tatimit fiks për tatimpaguesit me qarkullim vjetor nga zero deri në dy milionë lekë, si për rastin kur ato e fillojnë veprimtarinë e tyre gjatë viti vijues ashtu dhe kur ato e ndërpresin këtë veprimtari gjatë vitit vijues. Ky saktësim diktohet edhe nga implementimi i sistemit të ri informatik nga administrata tatimore; b) të vendoset një afat kohor brenda të cilit duhet të paguhet detyrimi fiks për tatimpaguesit me qarkullim vjetor nga zero deri në dy milionë lekë, në rastin kur ata e fillojnë veprimtarinë e tyre gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit vijues; c) të krijohet mundësia e administratës tatimore që, në rastin kur tatimpaguesi, në çdo kohë, gjatë periudhës tatimore, vërteton se tatimi i thjeshtuar mbi fitimin për këtë periudhë tatimore do të jetë, në mënyrë domethënëse, më i ulët se tatimi i thjeshtuar mbi fitimin të periudhës paraardhëse, të pranojnë zvogëlimin e parapagimeve. Po ashtu, nëse organet tatimore vlerësojnë dhe kanë të dhëna se tatimi i thjeshtuar mbi fitimin për periudhën vijuese tatimore do të tejkalojë me më tepër se 10 për qind tatimin e thjeshtuar mbi fitimin e periudhës së mëparshme tatimore, ato mund të rregullojnë në rritje parapagimet, në përputhje me tatimin e thjeshtuar mbi fitimin e vlerësuar prej saj. Ndërkaq, drafti vendos afat për biznesin e vogël që paguan tatim të thjeshtuar. Kështu, Financat propozojnë një shtesë në ligjin në fuqi, për të përcaktuar detyrimin për paraqitjen e deklaratës vjetore deri më 10 shkurt të vitit që pason periudhën tatimore edhe për të gjithë tatimpaguesit e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin me qarkullim vjetor nga zero deri në dy milionë lekë. Një gjë e tillë është e domosdoshme për dizajnimin e sistemit të ri informatik, pasi në mungesë të një deklarate të tillë, do të ishte i pamundur identifikimi i dallueshëm i këtyre tatimpaguesve. Deklarata që këta tatimpagues do të paraqesin, do të jetë e njëjtë me deklaratën e tatimpaguesve me qarkullim nga dy deri në tetë milionë lekë, por plotësimi i saj do të jetë fare i thjeshtë, duke vendosur një shenjë simbolike në një rubrikë të vetme të deklaratës.


 


Rregullat


Taksa e truallit në përdorim, ja kush përjashtohet


Në ligjin “Për taksat kombëtare” propozohet detyrimi për të paraqitur një deklaratë për çdo muaj, nga të gjithë personat fizikë dhe juridikë që kanë troje shtetërore në përdorim. Ndërkaq, këto subjekte duhet të paguajnë taksat dhe tarifat kombëtare për atë muaj në datën ose para datës së detyrueshme të deklaratës. Deri tani, tatimpaguesit e taksave dhe tarifave kombëtare nuk kishin një datë unike dhe një formë unike për të paguar detyrimet. Kjo bëhet bashkë me implementimin e sistemit të ri informatik, që kërkon unifikimin e datës së pagesës, të deklaratës dhe të mënyrës së deklarimit. Përjashtohen nga kjo taksë trojet turistike, objektet dhe trojet e pranuara në proces legalizimi apo trojet shtetërore të dhëna me qëllim investimi. Në rastet e përjashtimeve përfshihen edhe individët, të cilët, në rastin e privatizimit të këtij trualli shtetëror, paguajnë në mënyrë të menjëhershme vlerën e plotë.


 


Pagesa


Shkrihen në një dokument kontributet dhe tatimi mbi pagën


Tatimet do të mbledhin tri deklarata në një dokument. Bëhet fjalë për kontributet shëndetësore, shoqërore dhe tatimin mbi pagat. Kjo do të fiksohet në ligjin për kontributet e sigurimeve shoqërore. Sipas propozimit të Financave, kontributet e detyrueshme të sigurimit shëndetësor për personin e vetëpunësuar, përfshirë punëdhënësin e vetëpunësuar dhe punonjësin e papaguar të familjes, llogariten sipas nivelit të parashikuar si përqindje mbi dyfishin e pagës minimale të miratuar për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Propozohet që listëpagesa aktuale të shërbejë si deklaratë mujore e detyrimit të kontributeve të sigurimeve shoqërore, të sigurimeve shëndetësore dhe të tatimit mbi pagat, duke zëvendësuar kështu tri deklaratat aktuale me një të vetme. Mbi bazën e kësaj deklarate, sistemi mund të gjenerojë një urdhërpagese të vetme me tri rubrika të veçanta.