Tatimet
Si 6-mujor, 17.1 për qind më shumë të ardhura se nga viti i kaluar
Ata që kritikuan vendosjen e taksës progresive, prej ditës së djeshme kanë kundër të dhënat nga ekonomia reale. Të dhënat e 6-mujorit që vijnë nga Tatimet, i japin të drejtë qeverisë, sepse jo vetëm që biznesi nuk falimentoi, por u mblodhën më shumë të ardhura në arkën e shtetit. Realizimi i të ardhurave në total të mbledhura për 6-mujorin, janar – qershor 2014, sipas njoftimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, është në shumën 82.6 miliardë lekë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar kjo shifër është 12 miliardë ose 17.12% më shumë. Ndërsa krahasuar me planin e këtij viti, të ardhurat janë rritur me 2.3 miliardë lekë ose 2.9% me shumë. Për këtë periudhë të ardhurat tatimore janë rritur me 9.5 miliardë lekë ose 21.87% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, dhe rreth 2 miliardë lekë ose 3.91% më shumë se plani i këtij viti. Po kështu, është formalizuar punësimi në bizneset private dhe si rrjedhojë janë mbledhur më shumë kontribute të sigurimeve shoqërore. Sipas informacionit zyrtar, kontributet janë rritur me 2.56 miliardë lekë ose 9.49% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe 330 milionë lekë ose 1.13% më shumë se plani i këtij viti.
Të ardhurat nga TVSH-ja
Të dhënat që tregojnë për rigjallërimin e biznesit janë ato mbi të ardhurat në rritje nga TVSH-ja. Në analizën e bërë një muaj më parë për 5-mujorin janar maj 2014, rezultoi se totalin e të ardhurave të mbledhura më shumë për këtë periudhë, e përbëjnë rreth 1.4 miliardë lekë ose 10.4% më shumë TVSH, 1.92 miliardë lekë ose 25.32% më shumë tatim mbi fitimin, 2 miliardë lekë më shumë ose 8.83% më shumë kontribute të sigurimeve shoqërore, 621 milionë lekë ose 13.7% më shumë taksa kombëtare. Muaji maj ishte më pikë kthese për ekonominë, që duket edhe nga shifrat e mbledhjes së të ardhurave tatimore. TVSH e mbledhur në maj, sipas të dhënave të Tatimeve, është 2.54 miliardë lekë ose rreth 538 milionë lekë më shumë se planifikimi i parashikuar për këtë muaj. E shprehur në përqindje kjo shifër është rreth 27% më shumë se planifikimi. Po kështu, rimbursimi faktik i TVSH-së për muajin maj është 929,7 milionë lekë, ose rreth 20.8% më shumë se rimbursimi faktik i muajit maj 2013. Ndërkaq tatimi mbi fitimin, gjatë muajit maj arriti 1.53 miliardë lekë, 36% më shumë ose rreth 405 milionë lekë më tepër se maj 2013. Kurse nga taksat kombëtare u grumbulluan 1.5 miliardë lekë, rreth 527 milionë lekë më shumë se programi i planifikuar i të ardhurave, ndërsa krahasuar me maj 2013 kjo shifër është 108% më shumë apo 777 milionë lekë më shumë. Realiteti dhe shifrat tregojnë se, qoftë taksa progresive apo e sheshtë, kanë një faktor të vetëm kundër, evazionin fiskal, që kjo administratë tatimore duket se e ka luftuar më tepër sesa vitin e shkuar.
Zamir Alushi
TVSH
Nga totali i të ardhurave janë rreth 1.4 mld lekë ose 10.4% më shumë TVSH se e njëjta periudhë e vitit 2013
Taksa
Nga taksat kombëtare u grumbulluan 108% më shumë të ardhura krahasuar me gjysmën e parë të vitit 2013
Tatimet
Të ardhurat tatimore janë rritur me 9.5 miliardë lekë ose 21.87% më shumë se 6-mujori i parë 2013
Rekordi
Të ardhurat tatimore u shtuan 50%
Në muajin qershor 2014, të ardhurat tatimore arritën rreth 3.1 miliardë lekë ose 50.6% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, dhe rritje me 323.6 milionë lekë ose 3.6% më shumë krahasuar me planin e këtij viti. Ndërkaq, gjatë këtij muaji, tatimorët mblodhën në total rreth 14.14 miliardë lekë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kjo shifër është 3.67 miliardë lekë më shumë ose një rritje prej 35.73%. Kontributet e Sigurimeve Shoqërore janë rritur me 13.2% ose 539.7 milionë lekë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.