Shifrat
Treguesi i Vlerës së Shtuar Bruto për 3-mujorin e parë të 2014-s, rritet 1.65%. INSTAT: Ndikuan industria e shërbimet
Krahasuar me një vit më parë, ekonomia po ecën me ritme më të mira, por kundrejt fundit të 2013-s, ritmet janë ngadalësuar. Konkluzioni del nga tabela me të dhënat e INSTAT-it për Vlerën e Shtuar Bruto (VSHB) për tremujorin e parë 2014. Sipas INSTAT-it, krahasuar me tremujorin e fundit të vitit 2013, rritja vlerësohet vetëm 0.16%. “Sipas treguesit të Vlerës së Shtuar Bruto, ekonomia në tremujorin e parë të vitit 2014 vlerësohet të ketë pasur një rritje prej 1.65%, ndaj të njëjtit tremujor të vitit pararendës. Ndikimin më të madh në këtë rritje e kanë dhënë degët e ekonomisë si industria, posta dhe komunikacioni, tregti, hotele dhe restorante, si dhe shërbimet e tjera. “Aktiviteti i ndërtimit sërish me rënie prej 5.3% në krahasim me tremujorin e parë të vitit 2013”, deklaroi dje drejtori i INSTAT-it, Gjergj Filipi. Aktiviteti Bujqësor në tremujorin e parë të vitit 2014 krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë pati rritje prej 3,06%, ndërsa industria u rrit me 8,24%, e ndikuar kryesisht nga industria nxjerrëse, e cila shtoi prodhimin me 41,62%. Me rritje shënohet edhe sektori “Tregti, Hotele dhe Restorante” që u ngrit me 2,66%. Në këtë grup, tregtia pati një zgjerim me 5,52%, ndërsa hotelet dhe restorantet ranë me rreth 14,64%. Sektor i dobët paraqitet transporti, i cili në tremujorin e parë të vitit 2014 u ul me 24,98%.
Sa u përket ndryshimeve në krahasim me tremujorin paraardhës të vitit 2013, sipas INSTAT-it: Bujqësia në tremujorin e parë të vitit 2014 krahasuar me tremujorin paraardhës u ul me 0,36%, industria pësoi rënie me 7,7%; ndërtimi shënoi ulje me 4,52 %, sektori “Tregti, Hotele dhe Restorante” pati një rënie prej 0,09%, ndërsa sektori i “Postës dhe Komunikacionit” u ngrit fare pak, me 0,36 %, po kështu edhe sektori i shërbimeve, që u ngrit vetëm 0.29%.
Z.Alushi